Një presidencë që kënaq punët private të vetëm dy njerëzve
Në prill të vitit 2013 u tha se koalicioni me Ilir Metën u bë në emër të nxjerrjes nga skena politike të Sali Berishës. Pa pyetur shumë mendimin njerëzve, Edi Rama, pranoi pazarin e ndërmjetësuar dhe mandej eci përpara. Në politikë njësoj si në çdo sipërmarrje duhet pak guxim, pabesi, marrje rreziku që të ecësh. Kjo e Edi Ramës në fakt ishte dorëzim dhe dëshpërim në kushtet kur Sali Berisha e kishte dhunuar rëndë në planin psikologjik kreun e PS-së. Është kjo dhunë psikologjike, e ndoshta një frikë e madhe fizike që ka shoqëruar Edi Ramën në karrierën politike, ajo që sot po shlyhet në kurriz të interesit publik me një arrogancë të pastër, e cila patjetër që do të kërkojë edhe kjo haraç.
Me një vendim të papritur, pa asnjë argumentim publik, në ndryshim edhe me praktikën e kërkuar me ngulm nga vetë PS-ja në të shkuarën, socialistët nxorën nga xhepi kartonat dhe votuan në grupin e tyre kandidaturën konsensuale të Ili Metës. Sigurisht që jemi në kushtet e jashtëzakonshme të një bojkoti nga opozita, bojkot i cili aq sa ndërlikon dhe vështirëson punët, aq edhe lehtëson dhe thjeshton me daljen nga ekuacioni parlamentar.
Ilir Meta shkon drejt karriges së presidentit pas dështimit të negociatave me PD-në, jo me konsensus, por thjesht, në përmbushje të një ambicjeje të vjetër. Sali Berisha deklaroi se ai e kërkoi këtë post edhe në vitin 2012, por u refuzua. Sot janë socialistët dhe e gjithë pamja e tyre prej Gollumi që e voton Metën, dikur i kapur “me bllok në dorë”. Apeli moral në Shqipëri nuk ka më asnë vend, pasi në garë me amoralitetin Edi Rama ka fituar dhe po tërheq zvarrë të gjithë vendin.
Mbetet për të llogaritur diçka nga ajo që mund të hapë ky zhvillim politik. Meta del nga jeta aktive politike duke marrë finalen e karrierës. Por firmën për të e kanë dhënë për çudinë e të gjthëve, nëse mund të çuditesh ende në këtë vend, deputetë të PDIU-së. Të cilët vetëm pak muaj më parë, kur Meta vizitonte Athinën, për pak sa nuk e shpallën tradhëtar kreun e LSI-së. Çka do të thotë se Meta vjen në presidencë edhe me një premtim formal për angazhime në politikën e Jashtme, në raport edhe me Greqinë. Ky është një shënim që do mbajtur, edhe pse kur e dredh njëherë, s’ka arsye pse të mos e dredhës herën e dytë.
Bashkëpunimi PDI-LSI është ide e vjetër. Meta që në vitin 2013 foli për një pol politik. Aktualisht afati për regjistrimin e koalicioneve ka përfunduar, ndaj elektoralisht e vetmja mundësi që kjo aleancë të maksimalizojë votat është alternimi i listave të deputetëve sipas qarqeve ku ka interes. Aty u LSI-ja mund të mos shpresojë shumë, mund të ofrojë votat për listën e PDIU-së në këmbim të një kandidati të vetin në listën e kësaj të fundit. Variant teorik, por nuk shihet tjetër për momentin. Kalimi në Presidencë i Metës nuk do të thotë shkrirje e LSI-së, siç edhe ndoshta shpreson Edi Rama, që kërkon një mandat të dytë, e me gjasë edhe një mandat presidenti pas këtij.
Ajo që kryeministri deklaroi se zgjidhet me Metën president në fakt nuk ka edhe aq gjasa. Kreu i LSI-së ka tentuar negociimin dy herë në vitin e fundit, por pa sukses. Skema politike dhe koniunktura pas saj mbetet po aq e ndërlikuar, me ndryshimin se pushteti i të majtës ja doli që edhe një diskutim dhe përballje pozitive që ishte si traditë në zgjedhjen e presidentit ta zhbëjë.
Një votim formal, 87 vota pro Ilir Metës, i cili duket se me karrigen e presidentit zgjidh disa dilema dhe ankthe që kanë lindur dhe mbarështohen në percpetimin e kryeministrit aktual, që do të luajë me fushën bosh. Të mos harrohet se gëzimi i sotshëm i Ramës është prova e stresit të këtyre katër viteve, por edhe konkluzioni i një pazari që sot rregullon vetëm punët private të dy individëve. Asgjë më shumë.
Comments
Nuk e morrem vesh cfare u
Nuk e morrem vesh cfare u zgjodh dhe kush! Presidenti? Cili? Presidenti i Gabit? Apo i Pazarit te ri? Apo i ndonje ndermarrje private? Nejse, duket pa rendesi, perderisa qe nje eveniment dy-minutesh dhe i pa-paralajmeruar!
Add new comment