Z. Kryeministër, Tahiri nuk e bën dot. Jepe me konçesion më mirë!

Postuar në 17 Shkurt, 2017 13:56

Partia Socialiste hodhi para zgjedhjeve sloganin: “Një shtet, një polici”. Këtë slogan e shoqëronin fjalë të tilla pretenduese si:

Ne kemi marrë një angazhim brenda 300 ditëve të para të qeverisjes sonë do të zhvillojmë një luftë të paparë me krimin, do të kthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Do t’u japim shqiptarëve në shërbimin e tyre një Polici të Shtetit si asnjëherë më serioze dhe më të gatshme për t’ju përgjigjur sfidave të kohës që jetojmë. Do të shënojmë një fitore të rëndësishme në betejën me krimin. Sigurisht, që ne nuk besojmë se lufta me krimin është një luftë që mund të zhvillohet dhe mund të përfundojë brenda 300 ditësh. Ne besojmë se brenda 300 ditësh mund ta zmbrapsim krimin, të rimarrim në dorë kontrollin mbi territorin dhe të vendosim një ekuilibër të ri në raportin e forcave në këtë fushë beteje ku krimi sot ka një epërsi të papërballueshme”.

Dhe pak më poshtë:

Shqipëria është e mbushur me policira, me inspektorate, me trupa që supozohet se kanë si detyrë të kontrollojnë pjesë të ndryshme të territorit të pasurisë publike, të sigurisë publike dhe me radhë…Në Shqipëri me taksat e qytetarëve të paguhen shumë trupa, shumë forca për të ruajtur gjithçka dhe faktikisht të mos ruhet asgjë…Ne do të kemi vetëm Policinë e Shtetit, që do të ngarkohet vetëm për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe pasurinë kombëtare, publike apo private të shqiptarëve.

http://ps.al/te-reja/nje-shtet-nje-polici/

Kanë kaluar më shumë se 300 ditë dhe pa iu dorëzuar keqdashjes mund të thuhet se asgjë nga këto që premtohen më sipër nuk janë bërë realitet. Shqipëria e kanbizuar dhe në qeverinë e së cilës ka patur sugjerime për ndërhyrje të ushtrisë na provon se kontrolli mbi territorin mungon. Ai nuk është arritur. Tonelatat e drogës që kapen përditë na thonë se ekonomia ka hyrë në rrugën e ilegalitetit dhe se për rrjedhojë stabiliteti social varet nga paratë e krimit.

Sot ministri I Brendshëm ka qenë në një takim me Shoqatat Private të Sigurisë, ku ka kërkuar kontribut prej tyre në fushën e sigurisë. Kjo pas ngjarjeve dhe grabitjeve në mjetet e bankave – NË RRUGË – meqenëse siç tha ai policitë private angazhojnë 9 mijë policë. Sigurisht Sajmir Tahir është përpjekur të fshehë dështimin e vet duke u kujtuar për “skllavërëinë moderne” që ekzistoka në policitë private, që vuajnë edhe ato nga dukuria: Punë ka, kërkohen profesionistë.

Të 9 mijë policët privatë në Shqipëri (që janë më shumë se policët e Shtetit) janë trajtuar si një armatë jetimësh apo të braktisur nga çdo qeveri e së kaluarës ndërsa janë lënë në fatin e tyre në kontratat e bëra me punëdhënësin. Shpesh edhe punëdhënësit, pra pronarët e Policive Private, kanë qenë të fokusuar tek fitimi duke shfrytëzuar kapitalin e madh njerëzor – që jeni ju praktikisht.  Pavarësisht gjithçkaje, përkundër sulmit, vrerit dhe baltës së përditshme mbi Policinë e Shtetit, kemi dhënë prova të vazhdueshme se Policia e Shtetit është në detyrë dhe bën detyrën. Por na duhet të ndreqim në themel gjërat që nuk kanë funksionuar prej dekadash në Shqipëri, në mënyrë që ngjarje si ato që kanë ndodhur të mos ndodhin më”, tha ai.

E ndërkohë që Tahiri me eprorin e tij po vënë themelet nën presionin e vrerit, me siguri që duhet të paktën të kërkojnë një falje për premtimet me shifra dhe me data për revolucionin që priste Shqipërinë. Shumë mirë që po hidhen themele, pasi themelet vlejnë edhe si rrënoja, por do të ishte e udhës që një punë e bërë deri më dje të mos shumëzohej me zero. Pa folur këtu për dyshimet e qëndrueshme se mes policsë ka ende “Legena” që i prishin asaj punën e mirë. Sot Tahiri e gjeti sërish alibinë: kërkon bashkëpunimin me policitë private. Po nesër kur të ndodhë xhudhia e radhës? Mos vallë është koha që të rishikohet diçka në drejtim, qoftë edhe duke e dhënë me konçesion?!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.