Çfarë sinjalizon trakti i Sekretarit për Dixhitalizimin?
Qeveria e bëri dhuratën e parë për vitin 2017. Dhe ka zgjedhur ta bëjë këtë me paralajmërimin për kufizimin e shprehjes dhe lirinë e përdorimit të informacionit. Në një vend të cilin vetë ajo e cilëson si peng të një gjyqësori të korruptuar, pra një vend ku e vërteta apo gënjeshtra nuk kanë mundësi ligjore të vlerësohen, sot shpallet rreziku nga lajmet e rreme, nga gënjeshtra. Sot qeveria po na bën me dije se kërkohet përgjegjësi për hapësirën e lirisë dhe se këtë përgjegjësi do ta katalizojë ajo.
Detyrën për të njoftuar këtë periudhë të re të kyçjes informative e ka marrë sekretari për Dixhitalizimin, Alfred Peza. Përmes një shkrimi në gazetën “Tema”, Peza nis tregimin e tij filozofiko-didaktik me osmanët, ecën shpejt te errësira komuniste dhe gjenialiteti konsensual I Ismail Kadaresë, për të dalë aty ku edhe qëndron çështja:
…Kjo liri jo rrallëherë është abuzuar këto 26 vjet. Në familje, në rrugë, në lokale, zyra, punë, parlament, qeveri, gjykata, prokurori, polici, media, libra, këngë, poezi, shkollë… Eshtë përçudnuar. Është përdhunuar. Eshtë sakatuar. Eshtë shfytyruar. Është zhvlerëzuar. Deri dje, megjithëse jetonim në epokën e pluralizmit të ideve dhe mendimeve, liria e shprehjes nuk ishte ende absolute, por relative. Për aq kohë sa e drejta e shprehjes së fjalës publike dhe fjala e lirë nëpërmjet mediave “kontrollohej”, “drejtohej”, “orientohej”, “diktohej” nga kërkesë- oferta e tregut si një mall që shitej e blihej, apo “manipulohej” nga “pronarët” e mediave private, nga nëpunësit publikë, qeveritarë apo drejtuesit shtetërorë. Vendin e censurës diktatoriale e kishte zënë autocensura demokratike dhe librale
shkruan ish-gazetari Peza.
Më tej edhe një konstatim që edhe teknikisht, pra në formulim është i pakujdesshëm për nga marzhi i spekullimit që lë.
Revolucioni i teknologjive digjitale, i shoqërisë së informacionit, i përdorimit të internetit, celularëve, rrjeteve sociale, mediave online, aplikacioneve dhe lirisë së pakufizuar të komunikimit, e kanë shndërruar individin e thjeshtë në botën demokratike, përfshi edhe cdo qytetar shqiptar, në një qenie me gradë shumë më të plota lirie…Për herë të parë qytetari shqiptar është pronar i mendimit të tij. Kjo situatë, kjo mundësi e hapësirë, ky dimension i ri, i panjohur, i pashijuar, i paparë e i pa përjetuar, ka krijuar lehtësi të jashtëzakonshme por edhe probleme për qytetarët e botës. Përfshi edhe shqiptarët…Tani në provë nuk është liria. Por individi. Raporti i shqiptarëve me lirinë, është në provën e madhe të së vërtetës. Gjatë këtyre viteve, nëpër hapësirat e lirisë kibernetike dhe në jetën reale, ka qenë lehtësisht e kuptueshme dhe e verifikueshme që kjo liri është shijuar e vlerësuar, sikundër është shpërdoruar. Nga ku qytetari, politikani, gazetari, punonjësi publik, i zgjedhuri apo i emëruari…jo vetëm kanë informuar. Por edhe kanë shpërndarë gënjeshtra, gjysëm të vërteta dhe lajme të rreme
Kështu shkruan ky zelot i lirisë që duhet dekretuar dhe rregulluar. I lirisë që duhet futur në uniformë, që duhet kontrolluar, që duhet eliminuar në format e tanishme. Që duhet maturuar me të vërtetën, por e cila konfirmohet nga çfarë? Nga qeveria, nga normat e gazetarisë profesionale që e ofron kush? Apo nga gjykatat?
“Ky vit veç të tjerash, do të jetë një provë edhe për raportin e shqiptarëve me lirinë. Me të vërtetën. Me lirinë e fjalës, shprehjes, mendimit. Si nëna, djepi apo burimi i të gjitha lirive të tjera. E kush e ka thënë se ne nuk e meritojnë atë?!” vijon Peza. Çfarë sinjalizon pra ky shkrim që ngjan si ndonjë fjalim që demaskon grupin armiqësor të lajmeve të rreme? Në të vërtetë duket se në provë është durimi i njerëzve, të cilëve sot u kujtohet si me takt se “kanë një çikë si shumë liri”. Apo mos vallë edhe ky interpretim i këtij trakti të datës 4 janar konsiderohet pikërisht një nga ato shfaqje të shpërdorimit të lirisë?
Add new comment