A i ka në axhendë shqiptarët e Maqedonisë, Tirana zyrtare?*

Postuar në 11 Dhjetor, 2016 17:50
Ben Andoni

Gjendja e vërtetë “e unitetit” të komuniteteve shqiptare në shtetet me popullsi mikse ballkanike mund të shikohet lehtë në Maqedoni. Për më tepër aty mund të kundrosh edhe sesa të përçarë janë vetë shqiptarët, sesa pa ide për të ardhmen, por edhe sa pa forcë është Tirana zyrtare, që t’i ndihë. Kjo është edhe gjendja aktuale në orët e fundit, kur të gjitha partitë politike në Maqedoni, po i përmbyllin fushatat zgjedhore. Edhe pse ka muaj që përfliten dhe diskutohen zgjedhjet dhe mezi u arrit data e tyre, këto të fundit kanë një tregues real përballë: Të ardhmen e përfolur të Maqedonisë. Ato mbahen mbas skandaleve të frikshme politike të përgjimeve, urrejtjes etnike kryesisht ndaj shqiptarëve, por edhe përballjes me alternativat për emrin dhe gjetjen e gjuhës së munguar për të marrë anëtarësimin në NATO. 

Shqiptarët marrin pjesë si zakonisht me disa formacione, ku më të fuqishmet, paçka problemeve të fundit mbeten BDI-ja dhe PDSH-ja. Këto të dyja pretendojnë të kenë veçmas më shumë nga 10 vende, kurse BESA parashikohet me 3-4 mandate, sipas Menduh Thaçit të PDSH-së, teksa Aleanca për Shqiptarët, e përbërë nga LR-PDSH, UNITETI dhe RDK-ja ka pak gjasa për të arritur objektivat që i kanë vendosur vetes.

Por, e keqja nuk mbaron këtu, pasi për shkak të humbjes së besimit, mos mbajtjes së premtimeve dhe humbjes së rolit të Tiranës zyrtare, shqiptarët e Maqedonisë janë tejet të përçarë. Madje aq shumë saqë Zoran Zaev, kryetari i LSDM-së dhe përfaqësues i Listës së kandidatëve të LSDM-së dhe koalicionit në NJZ4, pretendon se do të marrë deri edhe votat e shqiptarëve në bastionet e tyre! I çuditshëm ky personazh që mori jetë pas përgjimeve në vend, por edhe mënyra disi jo e ndershme sa i përket qasjes me shqiptarët.

Sa për premtimet, gjëja e cila ka qenë më brengosëse ishte se veç joshjes së fashave të ndryshme të komunitetit, ka ardhur radha e administratës që të vuajë kulaçin (lexo kërbaçin) e të gjithë politikanëve (këta të fundit përsërisin se nuk preken paçka kë votojnë!) ndaj i duhet të dëgjojnë me kujdes. Politika shqiptare në Maqedoni ka një rregull zgjedhor të pafolur, që i bashkangjitet partisë fituese maqedone. Me sa duket, kjo do të funksionojë sërish dhe këtë e kupton nga Ali Ahmeti i BDI-së, që është prej kohësh, i lidhur me qeverinë në fuqi, ndërsa ai vetë krejt skeptik prej partizave shqiptare të dala, ku shumë syresh janë të dala nga formacioni i tij. Ai nuk ka hezituar që tashmë fushatën ta bëjë një-kahëshe: Votoni BDI-në, por jo të bënte përpjekje për shqiptarët e bashkuar. Ndërkohë shqiptarët po përballen me shumë probleme të integrimit, mosrespektimin e marrëveshjes së Ohrit, gjuhës, ashtu si edhe ato që do të rrjedhin prej kazusit “Monstra” dhe “Sopoti”, që me sa duket nuk do kenë zgjidhje të shpejta. Vetë Maqedonia në dinamikën e saj ka treguar më së miri trendin ballkanik të kaosit, kurse sa i përket shqiptarëve ka përshfaqur realisht sesa të përçarë jemi nga mungesa e ideve dhe mungesa e një vetëdije të sinqertë kombëtare.

Për fatin e keq, Tirana jo vetëm nuk e bën më dot rolin e qendrës së shqiptarëve, por me nivelin e saj të korrupsionit, paraqitjen e dobët ekonomike dhe diplomacinë e saj të brishtë nuk mund t’i bashkojë më, përveçse t’i sodisë. Maqedonia është në udhëkryq, por shqiptarët janë realisht në zgrip të një gjendje pashpresë, që edhe këto votime nuk mund ta ndryshojnë. Këtë e kupton edhe kur lexon Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin, që ndërrojnë njeri-tjetrin në pushtetin maqedon, duke akuzuar me të njëjtën retorikë po njëri-tjetrin.

"JavaNews" 

*Titulli origjinal: Maqedonia zgjedhje, shqiptarët në sherr, Tirana sodit

Comments

Submitted by Hallall bendoni (not verified) on

Edi Rama, sa lexoi artikullin e Ben Andonit, i therriti mendjes, dhe sot, realizoi sugjerimet e ketije te fundit, dhe u takua ne Tirane me kater kreret e partive shqipetare te Maqedonise, alias FYROM, shtet leshi.
Aferim Ben Ndoni.
Ti po, ja ke " mbledhur" Edi Rames.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.