"Jo-ja" gjermane: Mos lexoni mediat, por kryeministrin!
Për të kuptuar se çfarë ka shkaktuar deklarata e sotme e deputetit gjerman Gunther Krichbaum, mos lexoni mediat, as ndonjë televizion kombëtar që referon burime sesi kryeministri tha, e çfarë tha, se raport i 2017-ës kështu e ashtu, apo se deputeti foli vetëm me hemisferën e majtë etj..
Jo, më mirë - këshillë kjo - lexoni vetë kryeministrin sesi flet si një Ezop që e ka pickuar zegali në rolin e artistit shëtitës, me fotografi të vjetra nga ai sënduku i thellë i kulturës që më shpesh dalin "ikona" katolikësh. Ja statusi i sotshëm që na zbulon se jetojmë kohë të rrezikshme, kohë kur ai që qeveris i ka mbushur mendjen se ai dhe vetëm ai e do dhe DI ta dojë Shqipërinë:
"Në kohën kur është shkrepur kjo foto e kishës dhe kuvendit françeskan në Shkodër, shumë skeptikë nga jashtë e kishin krejt të zorshme të shihnin te Shqipëria tjetër gjë veçse një "Turqi të vogël", shprehje gjeopolitike e kohës, por në fakt përkufizim i çdo prapambetje, prapanikllëku, dallkaukllëku, korrupsioni, vëllavrasje, zhvatje, tradhëtie dhe shitje për interesa krejt të vogla, domosdo antikombëtare.
E keqja ishte atëhere, e ndoshta ende sot, se edhe pse potenciali ishte i madh që Shqipëria të bëhej me forcën e vullnetit dhe të një shumice të vendosur ndonëse të heshtur, kopshti i punuar dhe harmonik me gjeometrinë për tu pasur zili që paraqet kjo foto, xhakajdurët dhe karanxhollët e çdo sahani, rreken ta prishin si të babëzitur. Këtë "punë të madhe në interes të shqiptarëve" siç e quajnë me krekosje prej të marri, historiani romak Taciti e quante "ajo lloj paqe dhe ngazëllimi që nuk janë veç mynxyrë dhe vetmi"
Me siguri me këta syresh e kish, europiani i madh dhe syçelët Konrad Adenauer tek thoshte se ishte e padrejtë që Zoti, duke kufizuar mençurinë e njerëzve, nuk kishte kufizuar në të njëjtën kohë edhe dritshkurtësinë e tyre.
E megjithatë, muret e këtij kuvendi, të rrënuara nga varrmihësit e këtij kombi e të ringritura prej shprestarëve në të ardhmen ende buçasin nga zëri i amëshuar i bujtësit të tyre të madh:
"Për inat të dreqit e (ca) shqyptarëve, Zoti ka me e mbajt Shqypnin në kambë, me nder e me lumni... Si janë pra shqyptarët e Shqypnia sot? Si janë? Si po i don anmiku...".
Add new comment