Alarmohet PD, e kanë përjashtuar nga Komisioni i Autoritetit të Hapjes së Dosjeve. Spaho: I besuam marrëveshjes verbale me Taulant Ballën
Partia Demokratike deklaroi sot se është përjashtuar nga përfaqësimi në Komisionin e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve që do të bëjë jo vetëm verifikimin e dosjeve të së kaluarës diktatoriale, por edhe verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në lidhje me të shkuarën komuniste, pjesë e procedurës që parashikon Ligji i Vetting-ut.
“Çuditërisht ditët e fundit mësova që mazhoranca ka paraqitur dy kandidatura për Autoritetin e Hapjes së Dosjeve dhe synon që me mekanizmin e votës që disponon edhe në Komisionin e Ligjeve, por edhe në seancë plenare, t’i kalojë të dy kandidaturat. Në këtë mënyrë opozita është përjashtuar tërësisht nga autoriteti me gjithë insistimin e përfaqësuesve tanë që të respektohet marrëveshja verbale e arritur nëpërmjet meje dhe z.Taulant Balla, si edhe të garantohet përfaqësimi i opozitës në dy procese të rëndësishme, si hapja e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit dhe procesi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në lidhje me të shkuarën e tyre komuniste”-deklaroi nënkryetari Edmond Spaho.
Autoritetit i Hapjes së Dosjeve do të ketë në përbërje të tij pesë anëtarë, nga të cilët; njëri propozohet nga Këshilli i Ministrave, një kandidat i dytë nga shoqëria civile, një kandidat i tretë nga Shoqata e të Përndjekurve politikë dhe dy kandidatura jepen nga Kuvendi i Shqipërisë.
Add new comment