Qeveria bën makiazh me raportin e Bankës Botërore. Ekonomi: Në Shqipëri ia vlen të investosh
Çdo notë pozitive qoftë edhe formalisht i duhet qeverisë për të përmirësuar sadopak imazhin sa i takon klimës së të bërit biznes sidomos pas ngjarjeve me biznesmenin Fadi Mitri apo kundërshtitë e forta të Dhomave të Huaja të Tregëtisë për Ligjin e Anëtarësimit të Detyrueshëm në Dhomat Rajonale të Tregëtisë. Me një letër në dorë të printuar nga faqja e Bankës Botërore Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi doli në konferencë shtypi për të ndarë me shqiptarët lajmin e mirë se Shqipëria është ngritur në renditjen e BB-së për “Të bërit Biznes” si për të çertifikuar me firmën e Bankës Botërore atë që qeveria propagandon nga mëngjesi në darkë se reformat kanë dhënë sukses. Me siguri ky raport do jetë një argument më shumë në takimet e kryeministrit për Shqipërinë që ka ndryshuar falë reformave të qeverisë.
Raporti thekson se Shqipëria ka thjeshtësuar procedurat për lejet e ndërtimit, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 83 vende. Në fakt ishte kjo qeveri që pasi erdhi në pushtet vendosi që të pezullonte përkohësisht dhënien e lejeve të ndërtimit në gjithë vendin, duke anulluar më pas vendimin.
Banka Botërore thotë se efiçenca e procesit të marrjes së energjisë është përmirësuar. Teknikisht aksesi më i shpejtë në rrjet lehtëson një nga hallkat për bërjen e biznesit, por nuk është ajo që pengon investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri.
Pagesa e taksave, sipas raportit “Te bësh biznes” është bërë më e shpejtë me fillimin e pagesës elektronike të taksave që nga 1 janari 2015. Nga pikëpamja proceduriale Shqipërisë i nevojitet një sistem shumë më efektiv sesa ai që është përdorim dhe kjo nuk përbën ndonjë revolucion në mënyrën sesi administrata tatimore mbledh taksat. Bazuar në këto arritje ministrja Milva Ekonomi ka bërë këtë deklaratë:
“Vlerësimi i Bankës Botërore ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm sepse konfirmon që reformat e ndërmarra nga qeveria janë duke ecur në drejtimin e duhur, por çka është më e rëndësishme, sepse inkurajon investitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri, pasi vendi ynë është miqësor ndaj sipërmarrësve të huaj dhe të bësh biznes tek ne VLEN”.
Për të qenë të e sinqertë deri në fund, ministrja tha se i vetmi vendim i qeverisë shqiptare që ka patur ndikim negativ në renditjen e Shqipërisë ka qenë ai për të skanuar në mënyrë të detyrueshme në dogana çdo mall që importohet ose eksportohet. Një vendim për të cilin qeveria nuk ka dhënë shpjegime bindëse përse i qëndroi konçesionit që kishte premtuar se do ta anullonte.
Ministrja në fjalë ka folur pak javë më parë edhe për një investim të madh prej 5 miliardë dollarësh në Portin e Karpenit në Kavajë, për të cilin nuk po flitet më ndonëse Shqipëria sipas ministres është bërë një vend që ia vlen të investosh.
Add new comment