Gjurmët e grafikëve të çojnë te… kanabisi
Në një shkrim të mëparshëm, u mundova të zbërthej me fjalë e shifra tezën: “Meqenëse gjatë çerekshekullit të fundit është bërë gjithnjë luftë shifrash mes qeverive dhe opozitave në Shqipëri, dhe e vërteta ka qenë zakonisht diku në mes, vlen që edhe në këtë luftë të fundit mediatike (mbi kanabisin), të dëgjohen me skepticizëm të dyja palët. Ndërkohë, është e mundur që t’i afrohemi të vërtetës tërthorazi – përmes kursit të këmbimit të Euros, valutës që përcakton edhe kursin e valutave të tjera që përdoren në Shqipëri.”
Por për ta argumentuar më bindshëm këtë tezë, ilustrimi me grafikë mund të jetë ndoshta më efikas se fjalët e shifrat.
Grafiku 1, (shih më poshtë) i cili eshte ndertuar me te dhena nga Banka e Shqipërisë, na zbulon dy fenomene – një sezonal dhe një disavjeçar.
Së pari, Euro ka pësuar rënie në vjeshtë në krahasim me pranverën praaardhëse në 3 vjetët e fundit. Ky është një fenomen i ri, sepse zakonisht Euro ka rënë në krahasim me Lekun gjatë verës – si rezultat i fluksit të madh të pushuesve shqiptarë nga Kosova dhe Europa – dhe është rikthyer në nivelin e pranverës paraardhëse pas ikjes së pushuesve.
Së dyti, Grafiku 1 na tregon se ka një rënie graduale të Euros në krahasim me Lekun në 3 vjetët e fundit. Kjo rënie do të mund të shpiegohej me rënien graduale të deficitit të llogarisë korrente të Shqipërisë, gjë që na çon tek Grafiku 2 (shih më poshtë).
Siç tregon qartë Grafiku 2, deficiti i llogarisë korrente (që përfaqëson diferencën mes valutës që del dhe asaj që hyn në Shqipëri në mënyrë legale) është rritur çdo vjeshtë në 3 vjetët e fundit. Si rrjedhojë, duhet të kishim rritje të kursit të Euros në çdo vjeshtë, e jo ulje në krahasim me pranverën.
Gjithashtu grafiku tregon se ka patur një rritje graduale trevjeçare të deficitit të llogarisë korrente. Gjë që do të duhej të shoqërohej me rritjen e kursit të Euros, e jo uljen e tij nga 140 Lek në 137 Lek. Kjo, sepse llogaria kapitale (që përmbledh hyrjet dhe daljet e kapitalit nga vendi) ka qenë pothuaj kostante gjatë këtyre 3 vjetëve.
Dhe së fundi, Grafiku 3 (shih me poshte), i cili eshte ndertuar me te dhena nga INSTAT-i, demonstron se treguesi kryesor që ndikon te kursi i këmbimit – raporti mes eksporteve dhe importeve të mallrave e shërbimeve – ka pësuar një përkeqësim në 3 vitet e fundit (kryesisht si rezultat i rënies së kërkesës për naftën dhe kromin shqiptar). Gjë që do të duhej të shoqërohej me rritjen e kursit të Euros, e jo uljen e tij nga 140 Lek në 137 Lek.
Në përfundim, mund të thuhet se ndryshimet e kursit të këmbimit të Euros me Lekun në 3 vjetët e fundit nuk mund të shpiegohen me shifrat zyrtare mbi hyrjet e daljet legale të valutës apo mbi eksport-importet legale. Diçka e madhe ilegale duhet të ketë kaluar nën radarin zyrtar të shifrave. Dhe me shumë gjasa, kjo diçka mund të ketë qenë kanabisi që mund të jetë mbjellë përtej 17-përqindëshit të territorit që ka fotografuar Guardia di Financa…
Add new comment