Analiza e gazetës “Shekulli”: Arsyet që çuan në ndarjen e Kokëdhimës me Edi Ramën
Gazeta "Shekulli" në pronësi të botuesit Koço Kokëdhima ka publikuar sot një analizë të gjatë ku shpjegon arsyet e ndarjes së ish-deputetit socialist me kryetarin e PS, njëherësh dhe kryeministër, Edi Rama. Arsyet sipas gazetës janë, divergjencat e mëdha për reformimin e PS-së dhe legalizimi i kanabisit.
Reformimi i PS-së dhe përplasja me Ruçin
Në mungesë debati dhe interesi nga lart, Kokëdhima e zbatoi modelin e tij reformues në Vlorë, domethënë në bazë. Gjë që krijoi në mënyrë të paevitueshme përplasje. Por përplasja Kokëdhima-Ruçi më kot u interpretua si një ambicie e supozuar e Kokëdhimës për postin e Ruçit. Lidershipi i PS-së mendoi ta likuidonte platformën dhe reformën e Kokëdhimës, pa bërë zhurmë, pa bërë transparencë, domethënë pa debat në parti që mos t'u bëheshin "reklamë" tezave të Kokëdhimës. Teza vërtet "subversive". Janë gjithë këto elemente divergjencash të njëpasnjëshme që e bënë çdo ditë e më të dukshëm hendekun ideologjik midis kryetarit të PS-së, Rama, dhe Kokëdhimës.
Prekja e Kushtetutës, përplasja më serioze Kokëdhima-Rama
Nuk është sekret se mandati i Kokëdhimës u godit politikisht dhe aspak juridikisht. Në këtë goditje pas shpine që iu bë atij, nuk është e ndaluar të mendohet se rolin kryesor mund ta ketë luajtur lidershipi i PS-së. Kur e gjithë Shqipëria e pranon sot se e gjithë drejtësia është nën influencë politike, përsa Gjykata Kushtetuese do t'i kish shpëtuar një mëkati të tillë?
Debati për reformën në drejtësi
Debati i fundit, përplasja kryesore dhe më serioze nga gjithë të tjerat mes Ramës dhe Kokëdhimës, është për mua ai mbi Kushtetutën. Nuk është e pamundur që për shkak të këtij debati është larguar edhe më shumë Kokëdhima nga Rama, ose anasjelltas. Sipas Kokëdhimës, u cenua Kushtetuta në favor të të huajve nën petkun e reformës së drejtësisë.
Ashtu siç ndodhi më parë me plehrat, me armët kimike, me kanabisin, kështu i ka ndodhur fare thjesht Kokëdhimës me kryetarin e PS-së edhe në rastin e reformës në drejtësi. Por në debatin mbi këtë reformë, Kokëdhima nuk ka deklaruar kurrë se ajo nuk është e nevojshme.
Ashtu siç është i pathemeltë e i pavërtetë dhe pohimi se ka një bashkërendim të sinkronizuar e të supozuar midis Kokëdhimës, Metës dhe Berishës kundër Ramës në reformën e drejtësisë. Kur Kokëdhima, Berisha (që gjithmonë ka kërkuar skalpin e Kokëdhimës) dhe Meta, u gjendën në të njëjtën llogore në dosjen e armëve kimike, pse askush nuk pa aty asnjë komplot? Në të njëjtën mënyrë, tre politikanë që s’janë të së njëjtës parti mund të ndajnë fare mirë të njëjtin opinion mbi disa aspekte themelore të reformës në drejtësi.
Legalizimi i Kanabisit
Në fillim të verës 2014, Rama kryen të famshmin operacion militaro-policor kundër Lazaratit. Ndryshe nga afera e armëve kimike, kësaj here kryeministri ka me vete opinionin. Cili guxon dhe i thotë sërish jo? Kokëdhima. I vetëm fare, si një eremit në shkretëtirë, ai vazhdonte me të tijën. Ishte gabim fatal, krim kombëtar, sipas tij, t’i bihej me shqelm asaj që mund t’i jepte sovranit popull me miliarda euro dhe me mijëra vende pune nga eksporti shtetëror i një bime që blihet shumë nga vende të pasura, të cilat e fusin në ciklin e prodhimeve farmaceutike.
Add new comment