Na duhet reforma në drejtësi, jo fitoret politike me të

Postuar në 16 Korrik, 2016 20:11

Sot ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar rreth incidentit në Presidencë, ku u përfolën lloj-lloj skenarësh. Mirëpo në vend se ministri të shprehet si ministër i Jashtëm, ai shfaqet më i akomoduar me gjuhën e një ish-opozitari të kurdisur nga zyra e Edi Ramës. “Keqardhje për “amnezinë presidenciale” ndaj paranojës së partisë së zotit President për reformën në drejtësi, që po e çon këtë të fundit gjithnjë e më shumë drejt instikteve e metodave izolacioniste të Doktorrit, i cili, për hir të interesave të pushtetit dhe familjes së tij, u konfrontua me popullin dhe botën atlantike. Zoti President, çlirojeni veten nga përdorimi i funksionit publik si pronë private dhe partinë tuaj nga paranoja e “rrezikut euro-amerikan”, çlirojeni veten dhe partinë tuaj nga sindroma e qarramanit, sepse për Shqipërinë çështja më madhore mbetet miratimi i reformës në drejtësi”, shkruan Bushati. I cili, meqë ra fjala, ka aftësi autodidakte për të disiplinuar veten të gjykojë mbi bazë origjine politike, krahinore etj., gjithnjë këto të para si shenja mençurie në korridoret e partisë së tij.

Ministri ka keqardhje për PD-në, por nuk është vetëm. Keqardhje ka edhe kolegu i tij, Arben Ahmetaj, i cili sot ka tentuar të japë një leksion demokracie, si plotësim norme fjalimesh pro linjës së PS-së. Ahmetaj është shfaqur si kampion i filoamerikanizmit, me gishtin drejtuar ndaj izolacionistëve të PD-së. “Duke parë me keqardhje degradimin e përditshëm të frikës nga drejtësia në një konfrontim të hapur të opozitës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, e kam të vështirë të pranoj se ky vend po merret peng! Po merret peng bashkë me vendin, edhe perspektiva e zhvillimit ekonomik e social”, thotë Ahmetaj në një postim në rrjetet sociale. Të dyja keqardhjet ministrore janë raportuar nga televizioni kombëtar Top-Channel, nisur mbi kushedi se cilave kritere të përkufizimit të lajmit politik. Sepse këtu vetëm lajm politik nuk ka dhe nuk mund të ketë sa kohë ata që citohen, mendojnë në mënyrë pasive kur vjen puna te ngritja e kartonit.

I vetmi lajm që del këtej është keqardhja e madhe për groteskun e një situate ku marrëdhënia e cilësuar si strategjike me SHBA-në po merret në dorëzim nga përfaqësuesit e korit socialist të Edi Ramës shoqëruar nga libretisti i konfliktit virtual PD-SHBA, Spartak Ngjela. Por praktika na mëson se sa më shumë njerëz si këta, por edhe këta vetë, kanë bërë be e rrufe për një politikë parimore, po aq herë kanë rrëzuar veten nën peshën e angazhimeve që nuk kanë këllqe t’i mbajnë. Dhe me sa duket po rezulton peshë e rëndë edhe statusi i ushtarit të bindur. Sikurse dredhia prej paraziti e polarizimit pro dhe kundër Amerikës. E cila uk mund të ecë pse një qeveri kujton se duket se lëpin më mirë se kundërshtarët.

Është shumë e qartë se situata kërkon një Reformë në Drejtësi, por në asnjë mënyrë një Fitore politike apo kartë elektorale për Edi Ramën dhe PS-në mbi këtë arritje, që nuk ka sesi të jetë e plotë, veçse si e Përbashkët. Qeveria duhet të gjykohet për Punët dhe Premtimet, jo për arritjet në marrëdhëniet me ambasadorët. Shqipëria ka ecur aq sa të nxjerrë bojën e kësaj loje të tejkaluar të socialistëve. Ky është një lajm i mirë. Keqardhje për ata që nuk e kanë kuptuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.