Opozita nuk i përmend as emrin Ilir Metës, a i ka "tredhur" LSI edhe Bashën me shokë?

Postuar në 18 Mars, 2016 10:04

Ajo që vihet re në diskursin publik të opozitës ditët e fundit është heqja nga fjalori politik i emrit të Ilir Metës. Basha dhe të tijtë kanë stopuar çdo etiketim dhe sulm ndaj kryetarit të LSI-së duke e përqëndruar retorikën politike tek emri i kryeministrit si autorin kryesor të keqqeverisjes së vendit. Në njoftimet e përcjella nga zyra për shtyp e Partisë Demokratike, ku pasqyrohen deklaratat e kryetarit dhe folësve të tjerë të opozitës, kreu i kuvendit Ilir Meta nuk figuron në asnjë rrjesht dhe togfjalëshi Rama-Meta është zëvendësuar me sulmin frontal ndaj Edi Ramës. Nga Shtetet e Bashkuara ku ishte për vizitë, Lulzim Basha përmendi vetëm Edi Ramën; "Barra e provës është në anën e Edi Ramës. Nëse është gati për reformën në drejtësi, testi i parë është Byroja Kombëtare e Hetimit"-deklaroi kreu i PD-së. Po ashtu edhe në takimin e Partive Popullore Europiane, Basha foli vetëm për një emër. "Duke shprehur shqetësimin se lidhja e Ramës me krimin dhe korrupsionin mbetet e fortë, Basha tha se dekriminalizimi që të zbatohet kërkon vullnet politik, gjë që tek Kryeministri i vendit për shkak të lidhjeve të tij mungon"-thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së. Edhe në takimin e pak ditëve më parë në Klos, sërish asnjë fjalë për Ilir Metën “Edi Rama rri dy orë në ditë në televizor ndërkohë që produktin e ka zero, zero për punësimin, zero për shëndetësinë falas, zero për legalizimin etj, etj. 1.2 miliardë dollarë të zhdukura në një vit të vetëm" - u tha Basha banorëve.
Emrin e Ilir Metës nuk e përmendin as deputetët e PD-së. Dy ditë më parë, kreu i grupit parlamentar Edi Paloka bëri këtë deklaratë "Shqiptarët po ashtu si ne janë koshientë se, kjo qeveri ky kryeministër paktin nuk e ka me ta me qytetarët e këtij vendi. Paktin e ka me krimin dhe oligarkinë. Kjo qeveri nuk është e qytetarëve kjo qeveri është e Prengëve, është e Kokëdhimëve". Po ashtu edhe Luçiano Boçi në një dalje nga selia e PD-së "harroi" Ilir Metën. "Kjo është situatë e pastër inkriminimi ku një mashtrues financiar punon në ministrinë e Financave. Edi Rama dhe ministri i tij i skandaleve nuk kanë vullnet për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit. Ky rast dëshmon qartë vullnetin e Edi Ramës për të bashkëjetuar e bashkëqeverisur me krimin". Ky është bilanci i luftës politike të opozitës ditët e fundit, që ndoshta sheh si kamardare të vetme shpëtimi Ilir Metën, me të cilin i bashkon jo vetëm e kaluara, po ndoshtja dhe e ardhmja.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.