Dosja e mbyllur e ligjit të dosjeve

Postuar në 16 Shkurt, 2016 15:21
Afrim Krasniqi

Rreth 10 muaj më parë parlamenti miratoi ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” ose siç njihet ndryshe, ligjin për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit. Ligji u trumbetua si sukses, zhvillim me vlerë historike dhe një akt konkret që bashkon Shqipërinë me vendet e tjera, të cilat prej vitesh kanë ndërmarrë akte ligjore për ndarjen e drejtë me të kaluarën. Qeveria dhe mazhoranca premtuan se ligji do të jetë efektiv dhe me ndikim direkt edhe në jetën politike dhe publike, opozita e kritikoi por gjithsesi e pa atë si një hap drejt zgjidhjes finale të çështjes së dosjeve dhe ndarjes me të kaluarën. Një numër donatorësh shqiptarë e të huaj dhanë mbështetje dhe vetë procesi u vendos në prioritetet kryesore të qeverisjes në Shqipëri.

Pas 10 muajsh bilanci mbetet i trishtë: ligji gjendet në fletoren zyrtare, por asnjë produkt I tij nuk është jetësuar. Konkretisht, autoriteti kryesor në zbatim të ligjit është Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, organ i përbërë nga 5 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi. Formula e propozimeve është mikse, dhe e tillë, që i mundëson mazhorancës të emërojë çdo person që ajo e konsideron të arsyeshme. Për shkak të formulës dhe vetë debateve mbi ligjin, duket qartë se më shumë kemi të bëjmë me vullnet politik të mazhorancës sesa me një proces konsensual dhe funksional të shtetit dhe vendimmarrjes politike. Vetë fakti se ligji i dosjeve hartohet e miratohet nga e majta, kur e djathta për 13 vjet në pushtet nuk e bëri, ka simbolikën dhe paradoksin e tij. Në traditën politike e shtetërore shqiptare nuk kanë munguar ligjet e mira dhe as nismat për të trajtuar problematika me rëndësi publike e shtetërore. Ligji I dosjeve është një rast i tillë.

Gjithsesi, në traditën tonë politike e shtetërore problem kryesor ka qenë e mbetet hendeku i madh midis ligjit të shkruar dhe zbatimit të tij praktik. Ligji i dosjeve është një rast tjetër i tillë. Bazuar në nenin 44 të ligjit, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e ligjit Kuvendi do të duhej të realizonte zgjedhjen e anëtarëve të Autoritetit drejtues. Pra, nëse ligji u votua në prill 2015, hyri në fuqi në maj 2015, zgjedhja e anëtarëve të Autoritetit do duhej të bëhej në qershor 2015. Për shkak se në qershor politika ishte e zënë me zgjedhjet, u gjet alibia e radhës për shtyrjen e këtij detyrimi ligjor. U premtua se procesi do realizohej në shtator 2015. Prej detyrimit ligjor për ngritjen e Autoritetit kanë kaluar 8 muaj dhe ende Kuvendi nuk e ka përmbushur detyrimin e vet formal, zgjedhjen formale të anëtarëve dhe kryetarit të Autoritetit. Janë bërë séance dëgjimore, janë lajmëruar procedura e praktika “transparente”, por në fund të fundit, procesi ka mbetur vendnumëro, detyrimi ligjor nuk është përmbushur dhe për pasojë, ligji dhe Autoriteti që buron prej tij nuk është jetuar ende. Ligji kishte edhe detyrime të tjera kohore. Për shembull, “brenda dy muajve nga ngritja e Autoritetit, rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë paraqet informacion pranë Autoritetit dhe vë në dispozicion të tij informacionet dhe dokumentet e kërkuara prej tij” apo se “brenda tre muajve nga fillimi i funksionimit të Autoritetit, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe SHISH-i duhet të kenë kaluar në administrim tek Autoriteti të gjithë arkivin e ish Sigurimit të Shtetit”. Pra, çështja e arkivave do të duhej të kishte ndodhur në gusht 2015 për arkivat shtetërore dhe shtator 2015 për arkivat e ish sigurimit të shtetit. Natyrisht nuk ka ndodhur as njëra dhe as tjetra. Dhe nëse Autoriteti do ngrihet në mars 2016 atëherë afatet për arkivat shtyhen në rastin më të mirë drejt verës apo vjeshtës 2016, pra rreth një vit jashtë detyrimit ligjor.

Në qarqet e politikës alibia është gati: ngaqë ka pasur mosmarrëveshje politike për çështjen e drejtuesit të Autoritetit, procesi është shtyrë pafund derisa palët në qeveri në bien dakord për emrat, përpara se ata të votohen në Kuvend. Në ligj nuk ka detyrim për konsensus dhe fryma e ligjit është e tillë se kryetari e anëtarët vendosen me vota në Kuvend, jo me negociata politike, gjithsesi, në traditën shqiptare, vendimet parlamentare vijojnë të mbeten formale dhe noterizuese për pazaret politike që ndodhin jashtë parlamentit. Ligji i dosjeve është një tjetër rast i tillë. Ajo që bën më shumë përshtypje në këtë rast nuk është injorimi i çështjes së dosjeve të ish sigurimit të shtetit dhe procesit të ndarjes me të kaluarën, si dhe përdorimi i tyre për efekte politike periodike. Shqipëria postkomuniste është kampione për sjellje të tilla. E ka bërë e djathta, e ka bërë e majta dhe do vijojnë ta bëjnë edhe në të ardhmen. Problemi është më kompleks: kush është përgjegjës për zbatimin e ligjit në Shqipëri? Kur një ligj nuk jetësohet, kur ai shkelet publikisht dhe kur efektet e tij nuk jetësohen, cili organ është mbikëqyrës, kontrollues dhe imponues për zbatimin e ligjit? Përse Kuvendi i Shqipërisë nuk ka një strukturë ligjore që të monitorojë pasojat e ligjeve që miraton dhe të raportojë në parlament për ecurinë e tyre në aspektin formal, afatet kohore? Përse qeveria nuk ka një strukturë të tillë? Përse organet e tjera shtetërore që janë përfshirë në propozim, hartim, miratim e dekretim të ligjeve të tilla nuk kanë një strukturë të tillë? Përse grupet parlamentare kryesore në Kuvend nuk kanë një strukturë të tillë dhe nuk bëjnë një bilanc qoftë edhe formal midis ligjeve të miratuara dhe atyre të jetësuara? Ka ndodhur edhe më 2004 dhe 2013 të miratohen ligje të ndryshme për të njëjtën çështje, për shkak se askush në sallën e Kuvendit dhe rreth saj nuk kishte memorie politike, institucionale dhe arkivore për ligje të njëjta të miratuara më parë, por që nuk ishin jetësuar asnjëherë. A ka sens që Shqipëria e vitit 2016, pas 25 viteve jetë parlamentare, të mos arrijë minimalisht të monitorojë e zbatojë afatet formale kohore të ligjeve që miraton? Çështja e dytë ka të bëjë me raportin e politikës me prioritetet politike. Ka një tezë për shtetet me natyrë klienteliste dhe para-demokratike: nëse një çështje shndërrohet në prioritet politik mos u gëzoni, sepse në vend që të trajtimit serioz do të rëndohet më shumë dhe do të humbë shansin e zgjidhjes finale”. Ligji i dosjeve është një rast i tillë. Në mars-prill 2015 ishte tema më e debatuar politike dhe publike. U miratua, dhe më pas, askush nuk merret më me të. Nuk është më prioritet as i qeverisë, as i opozitës, as i medias dhe as i shoqërisë civile.

Lehtësia me të cilën ne i caktojmë prioritetet dhe sesi bëjmë sikur i zgjidhim ato, përbën një tipar dramatik për nivelin e kulturës politike dhe shtetërore. I tillë është edhe trajtimi joserioz që iu bë dhe po i bëhet çështjes së dosjeve dhe të kaluarës. Së fundi, bilance të tilla kanë edhe një vlerë simbolike për debatin politik të ditës: reformën në drejtësi, Byronë e Hetimit, ligjin kundër de-kriminalizimit apo reformën e re zgjedhore. Janë reforma të mëdha, për të cilat flitet aq shumë, janë shndërruar në prioritete, por që bazuar në praktikën e ligjit të dosjeve, mund të kenë të njëjtin fat: - të hartohen në letër dhe të mbeten në letër. Kështu ushqejmë një sistem fiktiv reformash dhe aktesh të cilat prodhojnë më pas një sistem fiktiv të demokracisë funksionale dhe të mirëqeverisjes. Kur fiktiviteti buron nga organi kryesor i ushtrimit të pushtetit, - parlamenti, kur të gjithë e shohim dhe askujt nuk i bën përshtypje, kur shohim se praktika të njëjta kanë krijuar situata absurde pa drejtim efektiv edhe në TVSH, në KLD dhe struktura të tjera publike, - atëherë tipari negativ identifikohet me sistemin dhe ky përbën një zhvillim dyfish negativ. Një shoqëri e drejtë krijon raporte të drejta përgjegjësie: qytetarit i kërkohet që edhe në rrethana specifike të zbatojë ligjin, por nuk ka dilemë se vetë shteti duhet që në çdo rrethanë të zbatojë ligjin, - si burim i ligjit, si produkt, garant dhe simbol i ligjit. Një paradigmë, që në Shqipërinë e vitit 2016, referuar rastit të ligjit të dosjeve dhe disa praktikave të tjera, fatkeqësisht nuk funksionon.

"Shekulli"

Comments

Submitted by Dosja X (not verified) on

O zoti Afrim, ti per vehte a je i sigurte qe nuk ke patur ndonje nga te tute te ngaterruar me sigurimin e shtetit ?
Nga mbiemri qe ke, eshte e pa mundur mos te keshe patur ndonje te ngaterruar me sigurimin si agjent, a si informator, a si te duash ti. Ndonje e ke patur se nuk ben. Pyeti mire, ose me mire, pyet ke eshte per te pyetur, dhe me siguri dicka ke per te gjetur, dhe kur t'a gjesh, nuk do te te vije mire.
Te fala, kush te te pyese.

Submitted by Anti Dosja X (not verified) on

Afrimi eshte nga individet me te mevetshem ne syprinen e Tiranes politike dhe ti Dosja X ,o e njeh dhe je kunder tij, ose nuk je gati ta lexosh e ta marresh dot vesh...

problemi i pare ne ate vend nuk jane ata qe jane bere me dosje, or mik. Problemi, sado i vonuar, jane ata qe kane urdheruar dosjet, ata qe kane sajuar ose hapur dosjet me dhune, me kercenim dhe presione mbijetese per te viktimizuarit e tyre...

Ngaqe nuk u be gjyqi i Atyre qe krijuan dhe ushtruan Diktaturen, te erdhi koha serish ty, te akuzosh serish Viktimat e tua, te dosjuarit prej teje!

Mos ma merr per keq: nuk e kam me ty, personalisht, nese ti vete, personalisht, nuk je nder inkuizitoret ose te privilegjuarit prej organeve te dhunes. Por edhe me ty do ta kisha, nese ti kerkon te akuzosh kolektivisht, me familje, mbiemer, fis dhe t'i akuzosh tere krasniqet fajtor dhe t'i nisesh diku ne internim se paku! Ose tere Dosje-X-et e tu tu besh te njejten gje, se sipas tejqyres tate, s'ka mbimere ne shqiperine isdiktatoriale te mos kete dike prej te afermeve te ngaterruar me ate kohe murtaje per te gjithe shqiptaret...

Submitted by keno kotorri (not verified) on

Afrim ai ligj eshte mashtrues sa kohe qe nuk behet Lustracioni.
eshte njelloj si "dekriminalizimi" nga Kuvendi me kriminele.

Submitted by nendetsja 105 (not verified) on

O Afrim, kur Sala te emeroi Kryetar FRPD-je u nis nga dy kritere: Te qenit tropojan dhe te pasurit pseudonimin "URITHI".OKrasniq me je bere si Prec "CIFTELIA" dhe Remzi "HOLTA"!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.