Janari pa botime: Biblioteka Kombëtare nuk jep ISBN
Në dy javët e para të vitit 2016 nuk është shënuar asnjë titull i ri i botuar. Kjo për shkak se Agjencia e ISBN pranë Bibliotekës Kombëtare nuk ka lëshuar asnjë numër ISBN për këtë vit. Kështu ka bërë të ditur Shoqata e Botuesve Shqiptarë ditën e djeshme në një njoftim për mediat, ku ata shprehin shqetësimin për bllokimin e botimeve të reja.
Në këtë njoftim thuhej se nga Agjencia në fjalë botuesit janë bërë me dije se puna është bllokuar nga Ministria e Kulturës, e cila po ndërmerr disa ndryshime ligjore.
“Askush nuk ka të drejtë të pezullojë veprimtarinë botuese në Shqipëri dhe askush nuk ka të drejtë të bëjë pezullime apo ndryshime pa njoftuar qysh më parë. Kjo situatë është shumë e rëndë dhe e paprecedentë” – thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndryshimet në fjalë po bëhen pa pasur asnjë dialog paraprak me botuesit shqiptarë, ku sipas tyre për ndërhyrje në punë e pavarur të subjekteve që zhvillojnë veprimtari ekonomike në Republikën e Shqipërisë, duhet të nisnin bisedimet të paktën tre apo katër muaj më parë se të kryhen ndryshimet.
“Ndryshimet ligjore duhen biseduar më parë me profesionistët e sektorit dhe me organizatat që i përfaqësojnë ata (siç parashikojnë edhe ligjet), për të mos u shkaktuar shqetësime në punën shumë të vështirë që bëjnë” – vijohet në njoftim.
Shoqata e botuesve kundërshton masat e përgatitura pa u këshilluar më parë më grupin e interesit, ku për të marrë numrin e ISBN duhet dorëzuar në Agjencinë e ISBN –së kopja e librit në letër ose në format elektronik, ku përveç kostos financiare shtohet edhe rreziku i piratimit në rastin e formatit elektronik, si edhe shkel privatësinë dhe konfidencialitetin e punës botuese.
Në këtë njoftim botuesit kundërshtojnë dorëzimin e materialeve të pabotuara në zyrat e Bibliotekës Kombëtare, madje shprehen se do të luftojnë edhe për të ndryshuar atë pikë të ligjit mbi librin dhe bibliotekat dorëzimi i pesë kopjeve pa pagesë në këtë institucion. “Nuk duhet të lejojmë asnjë ndryshim që cenon pavarësinë tonë profesionale dhe dëmton interesat tona ekonomike. Të bëhemi të gjithë bashkë kundër arbitraritetit dhe të forcojmë bashkëpunimin e frymën e dialogut”, mbyllet njoftimi.
Po dje ka reaguar edhe Biblioteka Kombëtare, e cila ka bërë publike njoftimin që Agjencia e ISBN–së u ka nisur shtëpive botuese shqiptare për t’i lajmëruar se kjo agjenci do e ofrojë shërbimin e saj për të lidhur kontratat e përvitshme me qëllim pajisjen tuaj në vijim me ISBN dhe CIP duke filluar nga data 18 janar.
Shtyrja sipas Agjencisë lidhet me disa përmirësime ligjore në dokumentacion, gjë që e tejkalon kompetencën e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Kjo agjenci ka bërë me dije se duke nisur nga 2016, dhënia e ISBN-së për çdo botim do të shoqërohet edhe me dhënien e CIP-it (katalogimi i librit në botim).
Sipas kësaj agjencie kjo mbështetet në pikën 7 të nenit 27 të Ligjit nr. 8567, dt. 3.2.2000 “Për Bibliotekat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, i cili shprehet se Biblioteka Kombëtare “Kryen katalogimin e librit për botim”. Sipas nenit 21, germa “j” të Ligjit nr, 9616, dt. 27.9.2006 “Për librin në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, i cili shprehet: “Në çdo botim të botuar dhe të shtypshkruar në Republikën e Shqipërisë duhet të shënohen dëftuesit e mëposhtëm:….j) katalogimi në botim (CIP)…”.
Kjo do të thotë se botuesit për t’u pajisur njëherazi me ISBN dhe CIP, duhet të dorëzojnë paraprakisht pranë kësaj agjencie një kopje të materialit tuaj për botimin të printuar ose në format elektronik.
Sipas Bibliotekës CIP-i (katalogimi në botim) është një praktikë ndërkombëtare, detyrim ligjor i BKSH-së që rrjedh nga ligjet e sipërcituara, dhe nënkupton pajisjen e librit me: përshkrimin bibliografik; klasifikimin; fjalët kyçe, ISBN etj., çka shërben dhe do të shërbejë edhe më fort për sistemin kombëtar e atë ndërkombëtar.
Biblioteka ka siguruar se asnjë ligji për librin dhe bibliotekat si ai i vitit 2000 ashtu edhe ai i vitit 2006 nuk kanë ndryshuar dhe se nuk ekzistojnë propozime për t’i ndryshuar, porse bëhet fjalë vetëm për një përditësim të dokumentacionit (kontrata dhe formulari tip) dhe jo të ligjit të sipërcituar, por të shkresave zyrtare që ndërtojnë marrëdhënien mes Agjencisë së ISBN-së dhe botuesve.
Në njoftimin e Bibliotekës thuhet se pas kësaj shpalljeje nuk është depozituar asnjë ankesë apo kërkesë për shpjegime të mëtejshme.
Duke paraqitur shembuj nga Biblioteka e Shqipërisë si edhe Biblioteka e Kongresit Amerikan në lidhje me katalogimin për botim, sqarohet se ky shërbim kryhet brenda 24 orëve , afat kohor ky që shmang frikën e botuesve për piraterinë. Dorëzimi i librit në format letër apo elektronik është i domosdoshëm për realizimin e detyrimin ligjor, siç është katalogimi për botim, gjë që lë të kuptohet se ky vendim është marrë tashmë, pa e diskutuar më parë me botuesit.
"Mapo"
Add new comment