Kryeministri Rama nuk mund ta reformojë drejtësinë

Postuar në 08 Janar, 2016 13:51
Fitim Zekthi

Çështja e burimit të të drejtave të njerëzve, e asaj se çfarë janë ato, ka qenë një nga diskutimet më të thekshme në gjithë mendimin filozofik dhe politik që në Greqinë e vjetër e deri më sot. Më së shumti, diskutimet janë dominuar nga mendime: njëri që thotë se çdo njeri ka në mënyrë të natyrshme disa të drejta të patjetërsueshme dhe tjetri që thotë se njerëzit nuk kanë të drejta të vetvetishme, por të drejtat që ka një individ, i jepen atij prej shoqërisë. Ky mendim, i dyti, është në zemër të mendimit që prodhoi disa nga totalitarizmat më të urryer në shekullin që shkoi, sidomos komunizmin. Sipas tyre, të drejtat që kanë njerëzit iu jepen atyre nga shoqëria, e cila e bën këtë gjë me anë të qeverisë. Ky është kushti që një individ duhet të pranojë në mënyrë që ai të jetë pjesë e shoqërisë. Komunistët, socialistët, marksistët, maoistët, punistët etj., dhe çdo pikëpamje që vjen nga kjo anë, e quan thjesht fiksion idenë e të drejtave të natyrshme dhe të patjetërsueshme që ka njeriu, të cilat i ka pasur edhe para se të ketë qeveri. Për ta, qeverisë i është dhënë monopol i shtrëngimit, i dhunës, me qëllim që ajo të sjellë në jetë një rend ekonomik dhe shoqëror ideal. Në qoftë se të drejtat vijnë nga qeveria, atëherë ne pranojmë që kushdo që kontrollon qeverinë është autori i të drejtave dhe kjo vetëm sepse ai ka fuqinë të imponojë vullnetin e tij. Në njëfarë kuptimi kjo përkthehet: fuqia është e drejta. Fakti që dikush ka fuqinë të rrahë, godasë apo burgosë, do të thotë se kjo është e drejta. Pikërisht në një mënyrë të tillë e sheh të drejtën qeveria shqiptare dhe sidomos kryeministri, i cili prej më shumë se dy vitesh sillet si një entitet që do të sjellë një rend të ri shoqëror dhe politik në vend dhe se atij i është dhënë në dorë monopoli i dhunës bash për këtë gjë. E drejtë është vetëm ajo që bën ai. Të drejtat e njeriut i përcakton ai se cilat janë. Për ta bërë më të prekshëm këtë realitet, po përmendim disa raste. Kohë më parë policia arrestoi pa asnjë provë dhe brutalisht biznesmenin Hajredin Fratari, arrestim të cilin prokuroria vetë e quajti të paligjshëm. Në një protestë në Kukës, policia arrestoi aktivistin Nderim Lushi, ndaj të cilit policë civilë drejtuan armën. Ai u la i lirë nga Gjykata e Apelit. Policia ndaloi në 10 qershor të vitit që kaloi 7 studentë gjatë një proteste. Policia arrestoi një njeri sepse gënjeu në televizion (e drejta për të gënjyer nuk ka qenë kurrë vepër penale, por akt i shëmtuar moral). Kryeministri lajmëroi policinë, e cila arrestoi një avokat natën vonë, sepse kishte shkëmbyer mesazhe me sharje me të. Avokati qëndroi një muaj në burg. Në polici ka qëndruar për shumë orë një nënë së bashku me vajzën e saj të mitur. Në Pogradec, policia ndaloi një burrë, të cilin e mbajti në komisariat bashkë me të birin. Një konvikt i tërë me dhjetëra familje është pa energji elektrike prej tetë muajsh në Kamëz. Janë arrestuar para kamerave të kurdisura më parë funksionarë të lartë, si gjeneral Syrja Gjoka, guvernatori Fullani, që të dy të liruar më pas nga gjykata. Kryeministri ka dhënë verdikte dhjetëra herë para se të flasë gjykata. Ai i ka quajtur fajtorë dhe të pafajshëm njerëzit, duke dalë mbi ligjin, ose duke u bërë ai vetë shprehje e ligjit. Qeveria e kryeministrit Rama ka prishur shtëpi të qytetarëve, kate shtëpish të tyre, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese i ka quajtur kundër Kushtetutës vendimet që çuan në këto prishje shtëpish. Veç kësaj, qeveria ka shkarkuar në mënyrë antikushtetuese anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjykata Kushtetuese e quajti antikushtetues ndryshimin e ligjit që bëri të mundur shkarkimin e tyre. Gjykata Administrative po ashtu kërkon kthimin në detyrë të dy anëtarëve të shkarkuar. Qeveria i mori Presidentit kompetencat për shkarkimet dhe emërimet e ushtarakëve madhorë, kompetenca të cilat i riktheu Gjykata Kushtetuese. Dhe kjo listë shumë e gjatë vazhdon…Mjafton të themi se këshilltarja e kryeministrit i deklaroi Gjykatës Kushtetuese kur gjykohej akti normativ për statusin e nëpunësit civil, se qeveria mund të ndryshojë me anë të akteve normative edhe Kushtetutën e vendit.

Kjo është vetëm një ide mbi kontekstin në të cilin prej më shumë dy vitesh kryeministri kërkon me ngulm reformë në sistemin e drejtësisë. Duhet thënë se gjykatat dhe prokuroria janë sot, kanë qenë edhe më parë, institucionet më mizerabël të vendit. Shkalla e korrupsionit në to është lebetitëse dhe nuk ka raport, studim, sondazh dhe përvojë personale që të mos e pohojë këtë gjë. Por kjo gjendje e rëndë nuk mund të jetë justifikim për një reformë që e sheh të drejtën çështje fuqie, që i mendon njerëzit si subjekte të qeverisë, që e sheh qeverinë si burim të drejtash. Gjendja e rëndë nuk mund të justifikojë qëndrimin skandaloz të kryeministrit Rama, i cili tha në një program televiziv se “nuk i ka fare në listë gjykatat. Gjyqtarët dhe prokurorët janë gagarela dhe unë nuk dua t’ia di fare për ta”. Kur në shekullin e katërt dhe të pestë një pjesë e priftërinjve të Kishës së Krishterë (në atë kohë nuk kishte ndodhur skizma) persekutonin të krishterët duke u bërë vegla të perandorit Dioklecian, nisi një debat i gjerë. Një pjesë e madhe e njerëzve të kishës shpreheshin se ata priftërinj që kishin tradhtuar besimin dhe kishin persekutuar të krishterë nuk mund të lejoheshin të mbanin detyra ose poste në kishë kur persekutimi përfundoi. Në bindjen e tyre, detyra, posti, autoriteti kishtar ishte funksion që kishte të bënte me cilësitë e personit. Shën Augustini mendonte ndryshe. Ai tha se autoriteti vjen nga institucioni i kishës. Legjitimiteti i tij nuk varet nga cilësitë personale të qenies njerëzore, që është përkohësisht kujdestar i pushtetit apo i postit. Kryeministri Rama nuk mund të jetë një idealist më i madh sesa Shën Augustini dhe nuk mundet të shpërfillë, të mos marrë fare në konsideratë gjyqtarët dhe prokurorët, pavarësisht se sa të zhytur në korrupsion janë ata. Një kryeministër me mendim, sjellje dhe qëndrime të tilla mbi të drejtën, institucionet, njerëzit nuk mund të jetë zë i rëndësishëm për reformën në drejtësi. Përkundrazi, reforma në drejtësi duhet të gjejë mjete dhe mënyra që të zbehë zëra, sjellje, ide dhe qëndrime totalitare me ngjyra të thella komuniste ekstremisht majtiste se të drejtat burojnë nga qeveria dhe se qeveria e ka monopolin e fuqisë për të ndërtuar një rend ideal shoqëror. Ndoshta për këtë shkak reforma në drejtësi ka ngecur dhe ndoshta për këtë shkak nuk do të bëhet.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.