Rruga e Arbrit, Exim Bank dhe një precedent në Bahamas
Qeveria aktuale dhe sidomos kryeministri Edi Rama u investuan shumë para disa muajsh për ndërtimin e rrugës së Arbrit, që lidh Shqipërinë me trevat shqiptare në Maqedoni e më gjerë. Duke u vlerësuar si një projekt jo i vogël, qeveria u vu në lëvizje për gjetjen e fondeve dhe pas Samitit të Bukureshtit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, u deklarua se rruga do të ndërtohet nga kinezët e “China State Contruction” me financim të bankës shtetërore kineze “Exim Bank”. Qeveria shqiptare shpalli se marrëveshja do të realizohej me një ligj të posaçëm për shkak të specifikave që nuk u bënë publike. Siç dihet gjatë rrugës diçka ngeci: u fol se tarifa e udhëtimit do të ishte 5 euro dhe nëse fluksi nuk arrinte 7 mijë mjete në ditë, kjo do të kompensohej nga qeveria shqiptare. Përtej debatit që shtron ky lloj negociimi, mbetet e paqartë se çfarë e ka bllokuar konkretizimin e marrëveshjes. Në muajin tetor, një gazetë që i kushtohet kësaj rruge dhe ka si titull emrin e saj, publikoi disa të dhëna që po i riprodhojmë nga portali “lapsi.al” që e ka huazuar shkrimin prej andej. “Kompania kineze “China State Construction” që do të ndërtonte rrugën duhet ta kishte paraqitur brenda shtatorit oferën e saj përfundimtare për projektin e rrugës që ka një gjatësi prej 26.9 kilometrash. Ligji i miratuar më 16 prill në Kuvendin e Shqipërisë përcakton fundin e shtatorit si afatin për dorëzimin e ofertës nga kompania kineze. Pas dorëzimit oferta do të duhet negociohet për 60 ditë përpara se të dërgohet në kuvend. Arsyet e shkeljes së afatit të dorëzimit të ofertës nuk bëhen të ditura. Por tërheqja e bankës kineze “Exim Bank” duket se e ka vënë në vështirësi edhe kompaninë “China State Construction”. Asaj tashmë i duhet të gjejë financues të tjerë...Koço Kokëdhima, deputeti i Partisë Socialiste, i angazhuar në negocimin me kompaninë kineze “China State Construction” i tha gazetës se “interesi i kredisë nga “Exim Bank” do të jetë 3 % dhe IRR 5 %, duke e çuar atë në 8 %, ndërsa negociatat e qeverisë së mëparshme e conin atë në 24 %”(http://www.lapsi.al/lajme/2015/10/06/vihet-në-dyshim-financimi-për-rrugën-e-arbërit#.Vowciq-kqrU).
Dy muaj më pas ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto dha një sinjal të ri në këtë drejtim, por duke mos përmendur më dy aktorët e mësipërm: “Exim Bank” dhe “China State Construction”. “Ministri Haxhinasto gjithashtu vijoji inspektimin e tij edhe në investimet që po bëhen në tunelin e Qafë Buallit në Bulqizë, pjesë e rrugës së Arbrit. Në këtë segment është dhënë një fond prej 19 mln $. Haxhinasto njoftoi se në 30 dhjetor do të shpohet tuneli që lidh dy krahët e rrugës së Arbërit që na lidhe me rajonin fqinj dhe se janë në fazën e fundit bisedimet me një kompani serioze kineze për segmentin 27 km ku nuk kanë nis punimet ende”( http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=257667).
Asgjë konkrete, asnjë emër kompanie, as termat e negociimit. Një sjellje që u vu re edhe në negociatat me konçesionarin e Rinasit, ku ministri përkatës fliste në përgjithësi pa informuar qytetarët se çfarë ka ofruar qeveria shqiptare.
"Exim Bank" dhe "China State Construction", “e njëjta lojë” edhe në Bahamas
Një rast që ka ndodhur aë fundmi në Bahamas, me aktorë sërish “Exim Bank” dhe “China State Construction” ndoshta jep një moment sqarues për këtë bllokim të pashpjegueshëm dhe tërheqje të kinezëve. “Bloomberg” raporton se për arsye të njëjta thuajse resorti më i madh në Karaibe, “Baha Mar”, me kosto 3.5 miliardë dollarë, mbetet një ndërtesë fantazëm. Projekti nis të ideohet që në vitin 2005, duke shpresuar se një vepër e tillë jo vetëm do të rigjallëronte turizmin, por do të shtonte me 12% PBB-në e Bahamas. Për këtë qëllim, ish-kryeministri Perry Christie arrin një marrëveshje me një biznesmen lokal: Sarkis Izmirlian, asokohe 32 vjeç dhe që premtonte rivitalizimin e Cable Beach. “Bloomberg” sqaron se biznesmeni në fjalë ishte zgjidhje logjike: i pasur familjarisht, ai investoi 900 milionë dollarë në resort, duke tërhequr në partneritet edhe Caesars Resort. Kriza e vitit 2008 i hapi rrugën China State Construction që të hynte në veprim duke iu ofruar biznesmenit me origjinë armene. Miratimi i tij implikoi në biznes edhe “Exim Bank” të Kinës, e cila përmes kredive hodhi 2.45 miliardë dollarë përveç 150 milionë të CSC. Kushti paraprak i "Exim Bank" ishte që në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak, ndërtuesi kinez dhe punëtorët kinezë nuk do të largoheshin. Nuk është e qartë se çfarë i shkaktoi problemet, por fakt është se afatet e deklaruara publikisht nuk u kapën. Izmirlian kërkoi ndërmjetësim, por në sipërfaqe dolën edhe probleme me karakter teknik që çuan në përballje në gjyq. Pala kineze akuzoi se projekti për të cilin tashmë kërkohej nga pala bahamiane faliment dështoi për shkak të shkeljes së kontratës dhe ndryshimit të dizenjos në punë e sipër. Hollësi këto që nuk kanë rëndësi për çështjen e investimit në Shqipëri. Ajo që ka rëndësi është se “Bloomberg” nënvizon se “Exim Bank” garantoi në finale që ndërtuesi kinez të mos nxirrej nga loja duke shtuar se banka ka deklaruar së fundmi se ka “biznesmenë kinezë të interesuar për të vijuar me investimin”( http://www.bloomberg.com/news/articles/2016-01-04/the-ghosts-of-baha-mar...).
Kushtet e “Exim Bank” në “Baha Mar” ishin qartazi në funksion të mbrojtjes së interesave kinze dhe këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur. Thjesht nga ky precedent mund të pyesim nëse edhe për rrugën e Arbrit, një projekt shumë më minor sesa “Baha Mar” të jenë kërkuar kushte të njëjta. Pala shqiptare nuk jep shumë informacon, por miratimi i nenit për kompensimin e palës kineze nëse rruga nuk përmbush pritmëritë, flet në favor të faktit se qeveria shqiptare ka lëshuar jo pak. Nuk është pa rëndësi edhe fakti se në të dyja rastet shfaqet si garant dhe ndërmjetës një biznesmen vendas, sikurse ajo që na thotë Haxhinasto se “po negociohet me një kompani serioze kineze”. Nëse do të besojmë se kinezët nuk janë tërhequr atëherë jemi para të njëjtit skenar: “Exim Bank” po gjen një kompani që të kryejë punën e CSC-së. Me ndryshimin e madh se deri më tani në Shqipëri nuk është hedhur asnjë fond.
Comments
mou@yahoo.com
Nuk eshte per te mos u besuar pandehma se
refuzimi i rruges eshte hakmarrje e kinezeve per njerin nga Refleksionet e Edi Rames ne vitin 1990:
"Enveri na skuqi me sovjetiket dhe na zverdhi me kinezet..."! tha Edi asokohe. (Ende priste ta pranonin ne PD, pra nuk i shkonte mendja as te bira e veshit te merrte ne dorezim PS-ne]
Po ti as ksuqesh, as zverdhesh, i tha Vani, korespodenti i HsinHuas ne Tirane, agjensi qe ne kete rast lexohet Shty Hua...
Add new comment