Burgu për bizneset, Jaka: Po lobojmë që ndryshimet në Kodin Penal, të mos kalojnë në Kuvend
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në një intervistë për “Monitor” thotë se do të vazhdojë të lobojë që ndryshimet në Kodin Penal, të cilat po miratohen me procedura të përshpejtuara, të mos kalojnë në Kuvend. Reagimi i tij ka ardhur pasi Qeveria ka propozuar disa ndryshime, të cilat po diskutohen edhe në Kuvend, në Kodin Penal, ku parashikohen ashpërsimi i dënimeve në rastet e kontrabandës, mosdeklarimi i mallrave në doganë, deklarimi i rremë. “Propozimet e fundit që bëhen për të ndryshuar Kodin Penal urojmë që të mos kalojnë, do të kërkojnë të miratohen me shumicë të cilësuar (3/5) të deputetëve. Dhoma e Tregtisë i ka analizuar me shumë kujdes këto propozime jo vetëm në një analizë të brendshme, por edhe me anëtarët e saj, sipërmarrës që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, si dhe me ekspertë e analistë të ndryshëm. Të gjithë janë të mendimit se këto janë masa të paprecedenta e aq më tepër që merren në një vend ende në zhvillim, ku tërheqja e investitorëve të huaj është kusht i domosdoshëm për buxhetin, për profilin që duhet të krijojë një vend që synon të zhvillohet përmes sipërmarrjes private2 u shpreh Jaka. Sipas tij nenet e propozuara ashpërsojnë maksimalisht dënimet administrative. Jaka thotë gjithashtu se në këtë mënyrë nuk bëhet asgjë tjetër veçse rëndohet klima e të bërit biznes, por edhe ekonomia shqiptare, e cila do të futet në një rreth vicioz, pasi nuk do të ketë më nisma, sipërmarrësit do të jenë të pezmatuar në zgjerim, por edhe në ushtrim aktiviteti. “Gabimet janë njerëzore dhe nuk mundet që për gabimin e punonjësit të ndëshkohet sipërmarrësi. Kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme. Ligji është shumë i ftohtë dhe i prerë”.
Add new comment