Shqipëria nën kërcënimin e varfërisë ekstreme
Shqipëria po përballet përditë e më shumë me realitetin e rënies ekonomike dhe varfërisë. Aspekte të trashëguara në ekonomi dhe në shoqëri, këto po shfaqen përherë e më shumë me forcë. Banka Botërore ka publikuar shifrat e varfërisë në Shqipëri nga të cilat rezulton se brenda periudhës 2008-2012, numri i personave nën minimum është trefishuar. “Sipas standardit ndërkombëtar, Banka klasifikon si individë në varfëri ekstreme ata që jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë të shprehura sipas standardit të fuqisë blerëse. Sipas shifrave në vitin 2008, në Shqipëri jetonin vetëm 10 mijë e 900 persona nën këtë nivel të ardhurash, por në fund të vitit 2012, pas katër vitesh me rritje të dobët ekonomike, shifra e personave në skamje ekstreme kërcëu në 30 mijë e 900 vetë duke zënë 1.06 përqind të popullsisë së përgjithshme”, raporton Top-Channel. BB shton se shifra është domethënëse pasi ka një shumicë njerëzish që jetojnë me diçka më shumë se 1.9 dollarë. “Shqipëria mbetet vendi më i kërcënuar nga skamja ekstreme ndër ekonomitë e ngjashme në rajon, pasi një pjesë shumë e madhe e familjeve i kanë të ardhurat shumë më të ulëta sesa ato të vendeve të tjera. Më konkretisht, sipas shifrave të bankës, aktualisht në Shqipëri mbi 32.1 përqind e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë. Në vendet e tjera fqinje, popullsia që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë varion nga 2 përqind në Bosnje deri në 23.86 përqind në Maqedoni”, thotë BB.
Add new comment