Masat ekstreme për ndëshkimin e informalitetit, Malaj: Parlamenti të mos i miratojë
Ish-Ministri i Financave, Arben Malaj, duke folur për “Ora News” deklaroi se parlamenti nuk duhet të miratojë masat ekstreme për ndëshkimin e informalitetit. Sipas Malajt votimi kundër ndihmon edhe qeverinë. “Unë do tu lutesha kolegëve deputetë. Më vjen keq që qeveria pas reagimit nuk i pa vetë masat e ashpra që ka çuar në parlament, por nuk ka asgjë të keqe, nuk ka pse të vazhdojë ky debat. Është parlamenti që ka një mandat më të drejtpërdrejtë. Nuk ka pse të thuhet që parlamenti nuk mbështeti qeverinë e tij, por në disa raste është parlamenti filtri i fundit që nuk duhet ti miratojë ato. Dhe nuk duhet ti miratojë jo për t’iu kundërvënë qeverisë, por për ta ndihmuar qeverinë që objektivat e saj për ta reduktuar informalitetin ti bëjë në një mënyrë më logjike, më të buta, më të shtrira në kohë, në mënyrë që edhe situata të përmirësohet por pa e rritur varfërinë, pa dëmtuar besimin tek biznesi, pa krijuar pasiguri për të ardhmen.Pasi nga guri nuk del ujë”, u shpreh , Arben Malaj. Sipas ish-Ministrit të Financave, ulja e burokracisë dhe e kostove do të ndihmojë në rritjen ekonomike të vendit. Ai shikon një frymë agresive tek ligjet që prekin biznesin, çka po reflektohet edhe në rënien e besimit të sipërmarrësve por edhe konsumatorëve tek ekonomia shqiptare.
Add new comment