Europa i mbyll dyert OMGJ-ve, po Shqipëria?

Postuar në 15 Tetor, 2015 18:00

Në mendjet e Evropianëve, siguria është përbërësi më i rëndësishëm i ushqimit të tyre. Të bërit kompromis në lidhje me sigurinë e cilësisë ushqimore nuk hyn në planet e BE-së ose të paktën jo në planet e 19 vendeve që së fundmi kanë votuar jo ndaj rritjes së produkteve të modifikuara gjenetikisht OMGJ. Qasja e Komisionit Evropian në lidhje me këtë propozim ishte t’u jepte demokraci të gjithë vendeve anëtare për të pranuar ose jo farërat OMGJ edhe pse brenda BE-së ato janë të autorizuara.

Sipas Reuters, vendet anëtare në mënyrë specifike futën në shënjestër kultivimin e misrit Monsanto’s MON 810, e vetmja kulturë OMGJ që rritet në Evropë (vetëm në Spanjë dhe në Portugali) dhe që po analizohet aktualisht në nivel Evropian. Të 19 vendet që dhanë votën kundër janë: Italia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Austria, Belgjika, Britania e Madhe, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Danimarka, , Lituania, Letonia, Luksemburgu, Malta, Hollanda, Polonia dhe Sllovenia.

Parimi kryesor i propozimit afati i të cilit ishte më 3 tetor, është se ushqimet OMGJ nuk duhet të paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut, shëndetin e kafshëve ose mjedisin. Dhe pikërisht për këtë arsye ushqimet duhet t’i nënshtrohen autorizimit të detyruar para daljes në treg, duke përfshirë dhe konstatimet shkencore mbi rrisqet potenciale. Ato mund të tregëtohen vetëm në rast se arrihet në përfundimin që produktet janë të sigurta. Propozimi, i cili u mbështet nga 28 ministrat e mjedisit të BE-së në qershor të vitit 2014, i jep "përgjegjësinë e plotë" çdo shteti anëtar mbi kultivimin e OMGJ-ve në territorin e tyre.

 

Etiketimi OMGJ, kusht për sigurinë e konsumatorit

Megjithëse OMGJ-të rriten gjerësisht në shumë vende të botës, në Evropë kjo temë është pritur mes shumë debatesh. Shumë prej vendeve të BE-së kanë ligje të rrepta përkundrejt OMGJ-ve përsa i përket ruajtjes së shëndetit publik dhe shqetësimeve mjedisore dhe të gjithë 28 shtetet anëtare kërkojnë etiketimin OMGJ në të gjitha produktet në shitje. Përderisa ky parim nuk është i ri përsa i përket ushqimit të modifikuar gjenetikisht, propozimi përcakton për herë të parë rregulla të qarta dhe të rrepta për ushqimet që rrjedhin nga OMGJ. Gjithashtu ka parime të tjera të rëndësishme në lidhje me OMGJ-të në ushqim si përshembull:

-nuk duhet të çorientojnë konsumatorin ose përdoruesin

-nuk duhet të ndryshojnë nga ushqimet të cilat ata janë të destinuara për të zëvendësuar në një masë të tillë që konsumi i tyre normal të jetë i disfavorshëm për konsumatorët ose kafshët. Frika e evropianëve në lidhje me OMGJ-të është e lidhur jo vetëm me faktin që BE-ja promovon fuqishëm produktet e tyre organike, por edhe sepse siguria ushqimore është në krye të listës së tyre.

 

Në Shqipëri ligjërisht nuk ka kultura OMGJ

Në Shqipëri, siç dhe pohojnë ekspertë për AgroWeb nuk ka kultura OMGJ. “Ose të paktën jo në mënyrë ligjore”, thotë Petrit Topi ish drejtor i Entit Shtetëror të farave. “Ligji nuk i lejon, por edhe fakti që ne aktualisht nuk kemi një laborator për të bërë inspektimet bën që mos t’i lejojmë këto fara OMGJ”. Ndërkohë etiketimi i OMGJ-ve duhet të bëhet vetëm për ushqimin e kafshëve. Mënyra e etiketimit të ushqimit për kafshë, përfshirë dhe ato që kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ndërkohë që në ligj nuk përmenden farat OMGJ për ushqim për përdorim për njerëzit.

 

Provat e para me organizma OMGJ u kryen në SHBA në vitin 1972, vite më vonë u përhapën në tregun amerikan fara të bimëve të sojës, misrit, patate, oriz, domates dhe pambukut të modifikuar gjenetikisht. Prodhimet e këtyre bimëve u përhapën gjerësisht në tregun vendas e atë ndërkombëtar duke e kthyer në këtë mënyrë arritjen shkencore në një realitet të prekshëm për konsumatorin. Dhe me siguri që ju ka rastisur të hani një domate, që veç shije domateje nuk kishte e që me shumë gjasa mund të ketë qenë OMGJ. Por ndërsa Shqipëria po përshkon rrugën drejt Bashkimit Evropian, rregullat edhe për vendin tonë në këtë pikë do të jenë gjithnjë e më të forta. Nëse ky propozim i Komisionit Evropian do të të vazhdojë të qëndrojë në fuqi derisa Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Evropian, vendi do të ketë të drejtën që të ndalojë ose jo përdorimin e OMGJ-ve. Dhe në rast se do ta pranojë, do t’i nënshtrohet rregullave strikte, ku përveç etiketimit i cili është i detyrueshëm, mbi të gjitha do të kërkohet çertifikimi që do të kërkojnë këto kultura OMGJ.

Të luftosh urinë me OMGJ

Sipas OKB sot më botë sot ka rreth 795 milion njerëz të keq ushqyer. Çka do të thotë se një në nëntë njerëz nuk marrin mjaftueshëm ushqim për të qenë të shëndetshëm dhe për të bërë një jetë aktive. Ndërsa dita botërore kundra urisë afrohet (16 Tetor Dita Botërore e Ushqimit) shumë vende në Afrikë dhe Azi vuajnë në mënyrë të vazhdueshme nga mungesa e ushqimit dhe përdorimi i OMGJ-ve në këtë kontekst shihet si shpëtim për disa nga këto vende. Madje dhe Papa Francesku në një nga fjalimet e tij u shpreh se disa nga vendet që janë në varfëri esktreme mund të përfitojnë nga përdorimi i OMGJ-ve për të luftuar varfërinë dhe urinë. Uria dhe kequshqyerja janë ndërkohë rreziku numër një në botë për shëndetin, madje më shumë se AIDS, malarja dhe turbekulozi të bëra së bashku. Por lajmi i mirë është se uria është tërësisht e zgjidhshme dhe duam apo s’duam OMGJ-të mund të jenë zgjidhje për shumë vende, ndoshta jo për tonin!

http://agroweb.org/?id=10&l=597&ln=sq#sthash.Pr19tHEa.dpuf

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.