OSBE në Shqipëri është barrikadë ndaj autoritarizmit
Regjimi i Enver Hoxhës kishte një urrejtje, të pajustifikueshme madje edhe nga këndvështrimi i tij, për Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Europian (KSBE), që më vonë u quajt OSBE. Kur KSBE u krijua, më 1973, nuk kishte arsye që Shqipëria të qëndronte jashtë saj, sepse KSBE nuk ishte gjë tjetër veçse një bashkim i vendeve anëtare të OKB-së që i përkisnin kontinentit europian, së bashku me SHBA dhe Kanadanë. Shqipëria ishte vend anëtar i OKB, pra kishte të drejtë të ishte vend anëtar i KSBE. Enver Hoxha nuk tha ndonjëherë që Shqipëria nuk do të merrte pjesë në KSBE për arsye se në të do të bënin pjesë edhe këto dy vende joeuropiane, SHBA dhe Kanadaja. Këto dy vende ishin edhe anëtare të OKB-së ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Kina e Maos, aleatja e madhe e Shqipërisë komuniste, nuk bëri kërkesë për t’u anëtarësuar në KSBE, kështu që kjo nuk mund të ketë qenë arsyeja që Enver Hoxha e refuzoi KSBE-në. Arsyeja nuk mund të ketë qenë as se KSBE do të miratonte akte për liritë dhe të drejtat e njeriut, gjë që Enver Hoxha nuk e donte fare. Të drejtat e njeriut ekzistonin edhe në Kartën e OKB, por kjo nuk do të thotë se regjimi i Enver Hoxhës i zbatoi ato.
Aktet për liritë dhe të drejtat e njeriut që miratoi KSBE nuk i pëlqenin as Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste, duke përfshirë Jugosllavinë më të hapur ndaj botës. Këto vende nuk e zbatuan Aktin Final të Helsinkit deri në vitin 1989, kur në Europën Lindore ndodhën revolucionet demokratike, domethënë një vit para se këto procese të ndodhnin në Shqipëri. Enver Hoxha natyrisht që e dinte se as Brezhnjevi, as Çaushesku, as Honekeri, madje as Titoja madje, nuk kishin ndërmend t’u qëndronin angazhimeve që do të merrnin për këtë çështje. Atëherë përse kjo KSBE-fobi e Enver Hoxhës? Nuk kuptohet arsyeja, por urrejtja ndaj KSBE ka qenë aq e madhe sa kur u krijua KSBE, Enver Hoxha ngriti në këmbë deputetët e Kuvendit Popullor dhe drejtuesit më të lartë, duke përfshirë këtu babain e ministrit të sotëm të Punëve të Jashtme, Sulejman Bushati, kuadër i lartë i nomenklaturës komuniste. Që nga ajo kohë KSBE shahej më shumë se çdo organizatë tjetër ndërkombëtare nga propaganda e regjimit komunist, në qendër dhe në rrethe. Dhe Ditmiri, si djali i Sekretari të Parë të Komiteteve të Partisë së rretheve, e di shumë mirë këtë punë.
Ramiz Alia, që zëvendësoi Enver Hoxhën e ruajti fobinë ndaj KSBE-së deri në vitin 1990, kur ishte i detyruar që të bënte gjoja sikur po kërkonte anëtarësim në KSBE. Mbledhja e filmuar e Byrosë Politike në nëntor 1990 që është transmetuar në televizion, dëshmon qartë se regjimi komunist nuk e dëshironte vërtet anëtarësimin e vendit në KSBE. Në Shqipëri nuk u ftua asnjë delegacion i KSBE për të zhvilluar bisedime për anëtarësimin e vendit. Vërtet që në 1990, pas ndryshimeve politike të ndodhura në Europën Lindore, anëtarësimi në KSBE kishte si kusht të domosdoshëm pluralizmin politik. Por frika e pakuptueshme e regjimit komunist nga kjo organizatë i përkiste kohës kur nuk ekzistonte ky kusht politik. Përfundimisht, Shqipëria u anëtarësua në KSBE, vetëm pas zgjedhjeve të para pluraliste në vend të marsit 1991, kur opozita demokratike hyri në qeverinë e koalicionit të quajtur qeveri e stabilitetit.
Që nga ajo kohë, KSBE ka ndërruar emrin në OSBE (Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim Europian), Partia e Punës ka ndërruar emrin në Partia Socialiste. Për shumë vite, liderët e rinj të kësaj partie, pas Ramiz Alisë, kryetarët dhe kryeministrat e dalë prej saj, deshën të bindin për bashkëpunimin e tyre të sinqertë me OSBE-në. Ndonjë pakënaqësi që kishte PS herë pas here me ndonjë ambasador të OSBE-së në Shqipëri, si me Liponen apo Wolfarth, nuk e çoi kurrë përtej aluzioneve për largimin e këtyre personave. Asnjëherë nuk u kërkua largimi i Prezencës së OSBE në Shqipëri. Kështu shkuan gjërat deri pak ditë më parë, kur ministri aktual i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati i tregoi “dhëmbët’ OSBE-së, ashtu si në kohën e babait të tij i cili i shërbente me devocion regjimit të Enver Hoxhës, duke kërkuar largimin e OSBE-së nga Shqipëria. Arsyeja ishte dalja në media e një raporti të OSBE-së për kriminalizimin dhe pasuritë e fshehura të politikanëve shqiptarë, ku thuhej se ka depozituar qindra milionë euro në bankat e huaja. Ndoshta edhe Enver Hoxha dinte diçka të tillë që i qëndroi larg OSBE-së. Domethënë e dinte se OSBE ka mënyrat e saj për të të kontrolluar xhepat.
Lufta e ftohtë që Ditmiri si ministër i Jashtëm i ka shpallur aktualisht OSBE-së është një gjë shumë alarmuese sepse historikisht, me OSBE-në (KSBE-në), është i lidhur qëndrimi i partisë së qeverisë aktuale ndaj sistemit politiko-shoqëror që kemi sot. Me këtë nuk dua të them se me ndryshimin e qëndrimit ndaj OSBE-së, do të vendoset përsëri sistemi i vjetër politiko-shoqëror në vend. Por është një tregues se ka një tendencë që të bëhen shumë hapa prapa në drejtim të autoritarizmit në qeverisje, marrjes nën kontroll të institucioneve të pavarura etj.
Që kur OSBE erdhi në Shqipëri me një prezencë të përhershme, në formën e një ambasade, në vitin 1997, me një përfaqësues të përhershëm, ajo ka patur si rol kryesor pengimin e vendosjes së një regjimi autoritar në vend. Dhe mund të themi se mbështetja e Zyrës së OSBE në Tiranë ka qenë vendimtare për rotacionin e pushtetit në vend, në momente delikate, kur dukej se do të përjetësohej pushteti i një partie dhe i një lideri. ODIHR, Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, që asiston vendin tonë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale, është një zyrë e OSBE-së. Që OSBE nuk ka mbajtur anësi politike në Shqipëri, kuptohet nga fakti që në momente të ndryshme me ambasadorët e OSBE-së në Shqipëri kanë qenë të zemëruar herë PD dhe herë PS. OSBE ka qenë dhe gardiane e institucioneve të pavarura, dhe ka nxitur pavarësinë e mediave. Një pjesë të madhe të mbështetjes ndaj vendit tonë, partnerët tanë ndërkombëtarë perëndimorë, duke përfshirë edhe amerikanët na e kanë dhënë me anë të Zyrës së OSBE-së në Tiranë. Nuk mund të thuhet se Zyra e OSBE-së nuk ka bërë gabime gjatë angazhimit të saj 18-vjeçar në Shqipëri, por bilanci i saj i përgjithshëm është padyshim pozitiv.
Raporti i fundit i OSBE-së më duket më tepër se shkaku i luftës së ftohtë të Qeverisë ndaj OSBE-së, është preteksti për ta nisur këtë luftë të paramenduar. Një gjë tjetër alarmuese është se sulmi ndaj pranisë së OSBE-së në Shqipëri vjen në kohën që OSBE-ja është duke u sulmuar shumë edhe nga Rusia, për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, ku OSBE-ja, që në fillim të konfliktit të armatosur mori përsipër një rol të rëndësishëm paqëtues.
Është e vërtetë se Qeveria nën presionin e dukshëm të partnerëve tanë më të afërt ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe amerikanët, bëri një hap prapa duke thënë se nuk ka ndërmend t’i japë fund pranisë së Zyrës së OSBE-së në Shqipëri. Por gjithashtu është e qartë se përpjekjet për dëbimin e Zyrës së OSBE-së u bënë madje zyrtare dhe kjo gjë në vetvete është një tregues shumë shqetësues. Si kurrë ndonjëherë që nga viti 1990 u ngrit një stuhi propagandistike kundër OSBE-së në mediat pro qeverisë, që arriti deri atje sa njerëz të afërt me kryeministrin të deklaronin në debate televizive se OSBE-ja është një organizatë e kohës së Luftës së Ftohtë që tanimë i ka kaluar koha. Pikërisht kështu siç thonë analistët pro Putinit në mediat ruse në Moskë.
Shqipëria do të ketë nevojë për praninë e përhershme të OSBE-së akoma edhe për një periudhë të gjatë kohe pasi demokracia në vendin tonë është akoma e brishtë, institucionet e pavarura janë akoma të brishta, pavarësia e medias akoma nuk është arritur. Roli i OSBE-së do të mbetet i pazëvendësueshëm edhe së paku për një dekadë në Shqipëri dhe prania e përhershme e OSBE-së në Shqipëri mund të marrë fund vetëm në dy mënyra: Kur OSBE ta gjykojë vetë se prania e saj nuk është më e nevojshme, dhe kur të dy palët e politikës në vend, qeveria dhe opozita ta gjykojnë se kjo prani nuk është më e nevojshme. Kuptohet se këto dy skenarë janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Skenari më i keq është largimi i njëanshëm i OSBE-së nga Shqipëria, vetëm me vullnetin e Qeverisë, aq më tepër të qeverisë që i përket asaj partie që ka një ngarkesë historike të keqe në marrëdhëniet me OSBE-në si organizatë, që prej dekadash, jo thjesht me individë të saj, që nga viti 1997 e tutje. Një skenar i tillë, në një kohë që Shqipëria, kërkon të hapë negociatat për anëtarësim me BE-në, do të ishte shkatërrimtar për procesin e integrimit të vendit në BE, sepse dihet që vendet anëtare të BE janë të gjithë vende anëtare të OSBE dhe përbëjnë gjysmën e vendeve anëtare të organizatës.
"Mapo"
Add new comment