Një rekord e thyen edhe FSHF…

Postuar në 13 Gusht, 2015 18:05
Pano Xhixho

Futbolli shqiptar po kalon një moment shumë të mirë. Ekipi kombëtar ka arritur një pozicion rekord në klasifikimin e FIFA-s apo të UEFA-s, Skënderbeu ka thyer një tjetër rekord në Evropë dhe është në prag të një arritjeje akoma më të madhe nëse shkon grupet e Champions-it.

Ndërkohë që, në këtë kohë rekordesh, FSHF-ja, siç duket ka menduar edhe për veten… Superkupa e Shqipërisë nuk u transmetua në asnjë Televizion “PA pagesë”… E paparë, e padëgjuar, një rekord (ndër)kombëtar më vete. Superkupa është një trofe simbolik. Një ndeshje e vetme, që vë përballë Kampionët Kombëtarë të futbollit dhe fituesit e Kupës së Shqipërisë.

Kjo është një sfidë, e cila në cdo vend të Botës, (përfshi këtu edhe Shqipërinë e këtyre viteve të shkuara), transmetohet së pari në një televizion PA pagesë (Free to Air) për shkak të rëndësisë dhe simbolikës, por mund të nënliçensohet edhe në platforma me pagesë për shkak të cilësisë dhe standarit të ndeshjes apo lojtarëve që marrin pjesë në të.

Interesantja në këtë mes, është edhe mënyra e arritjes së këtij rekordi. Në garën e të drejtave televizive të shpallur nga FSHF-ja, në datën 3 gusht, kërkohen specifikisht oferta financiare si për transmetimin “PA pagesë” ashtu edhe për atë “ME pagesë”, duke kërkuar të arrijë jo vetëm shikueshmërinë maksimale të eventit (për efekt marketingu), por edhe të përfitimit financiar që vjen nga dy burime (parimi: qenjgji i mirë, pi dy nëna).

Ndërkohë që kur shpallen fituesit e garës, Federata harron t’i shpallë për të gjitha transmetimet. (Me) Pa dashje, harron të shpallë fituesin e tenderit të transmetimit “PA pagesë”. Gafa bëhet ende më e rëndë kur hap dhe lexon ligjet e Republikës së Shqipërisë, ku duhet të bazohet kryesisht FSHF kur hap një garë të drejtash transmetimi, që kanë përparësi mbi cdo ligj tjetër në këtë rast.

Ligji për mediat audiovizive në nenet 127, 128 dhe 129 shprehet në mënyrë shumë të qartë, që jo vetëm “ngjarjet me një rëndësi të veçantë për publikun duhet të transmetohen pa pagesë”, por edhe “nëse transmetuesi që ka blerë të drejtën ekskluzive të kësaj veprimtarie nuk kualifikohet, ai ja vë në dispozicion një transmetuesi të kualifikuar (një televizioni kombëtar pa pagesë në këtë rast) dhe për këtë, duhet të kujdeset vetë Federata.

E pra, Superkupa e Shqipërisë është një ngjarje me rëndësi të veçantë në sport, sepse shpallen “Superkampionët” e vendit . Jo më kot, UEFA e ka kusht transmetimin e Superkupës së Evropës në një televizion pa pagesë, në çdo shtet ku e shet të drejtën televizive. Ndërkohë që edhe Italia (nëprmjet RAI-t), Gjermania (ZDF), apo edhe Spanja (Telecinco) siç duket nuk kanë arritur ta thyejnë ende këtë rekord… Neve ja arritëm. Nuk kanë faj në këtë mes dhe nuk ja vlen të përmenden, as fituesit e garës së të drejtave, dhe as humbësit e saj (nëse ka), por kur hapet një garë të drejtash televizive për transmetimin PA pagesë, duhet të shpallësh edhe fituesin e kësaj gare, apo jo…?!

Nxitimi ka sjellë një gafë, e cila tashmë është e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe nuk mund të korrigjohet. Patjetër që FSHF-ja do të jetë shumë më e kujdesshme në veprimtaritë e radhës që disponon për të korrigjuar përpilimin e ofertave, por qëllimi duket se do mbetet i njëjtë… publiku mos të shikojë më futboll kombëtar… “PA PAGESË”
"Tema"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.