Vëzhguesit vendorë: Financimet e partive politike jo transparente, KQZ përgjegjëse
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/08/04/9085_koalici.jpg?itok=JFqnpvlO)
Koalicioni i vëzhguesve vendorë ka dalë me një qëndrim zyrtar sa i takon transparencës së financimit të partive politike. Me anë të një deklarate KVV shprehet se: “Mungesa e transperencës financiare nga subjektet është mosefikasitet i KQZ-së si institucioni përgjegjës”. Sipas këtij koalicioni, KQZ nuk ka përmbushur detyrat. “Mungesa e transperencës financiare prej vetë subjekteve zgjedhore, mos efikasiteti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si institucion përgjegjës dhe niveli tejet i ulët i zbatimit të ligjit, i kanë forcuar pikëpyetjet dhe shqetësimin mbi financat e subjekteve zgjedhore. Në periudhën e regjimit elektoral, periudhën zgjedhore, që parapriu Zgjedhjet Vendore të 21 Qershorit 2015, një shqetësim që u ngrit gjerësisht nga aktorë të brendshëm dhe ndërkombëtarë ishte dekriminalizimi i kandidatëve dhe i të zgjedhurve të ardhshëm për pushtetin vendor. Një frymë që me të drejtë i adresohej një shqetësimi madhor, por ishte e pabazuar në rregullimin që bën aktualisht legjislacioni zgjedhor shqiptar. Kontrolli financiar i partive politike shqiptare vuan prej një niveli të lartë moszbatimi dhe mosrespektimi të ligjit. 1)Mosdorëzimi në kohë dhe i plotë i raporteve vjetore vetëdeklaruese të financave prej partive politike; 2)auditimi jo profesional dhe jo i plotë i ekspertëve kontabël të caktuar për auditimin e shpenzimeve; dhe 3)mos marrja e masave administrative dhe mos investimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kontrollimin e financave, janë tre pikat më nevralgjike të mosfunksionimit të kontrollit financiar. Përsa është vëzhguar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reflekton një mospërmbushje të detyrave dhe kompetencave të tij si institucioni të cilit i ngarkohet transparenca financiare e partive politike”. Sipas Koalicionit të Vëzhguesve vendorë, KQZ vazhdon të qëndrojë inaktiv, duke i vlerësuar përfundimet e raporteve si pa vërejtje. Kjo traditë e krijuar dhe ecuri që vazhdon të vihet re, e ka shndërruar realisht kontrollin financiar të partive politike në një vetëdeklarim sipas vullnetit dhe traditë ligjore të pëlqyeshme. Në këtë gjendje të transparencës së financave të partive politike, diskutimet për parime dhe vlera shumë të rëndësishme si dekriminalizimi i politikës, barazia në garimin elektoral, informimi i publikut, mbesin në kuadrin e keqpërdorimit politik dhe intelektual pa asnjë produkt në të mirën publike”, përfundon kjo deklaratë.