Gati “pushtimi”, QSUT rrethohet nga 100 spitale, klinika, laboratorë diagnostikimi dhe farmaci private
Është më tepër se një skandal. Kjo hartë ngjan me lojërat kompjuterike, ku një vend duhet rrethuar për t’u pushtuar. Ne fakt është Qendra Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”. Në një kronikë të trasmentuar nga “Vizion Plus” thuhet se institucioni shëndetësor më i madh në Shqipëri është “rrethuar” tashmë nga rreth 100 spitale, klinika, laboratorë diagnostikimi privatë dhe farmaci. Shifra janë alarmante nëse krahasohen me sipërfaqen ku ato ndodhen e që është pak më shumë se 200 mijë metër katror. Këto fakte janë pjesë e një hetimi që ka kryer faqja informative online “Historia Ime”. Me një staf mjekësor prej 2297 personash që përfshin mjekë, infermierë e teknikë laboratorësh, në QSUT, nuk do të duhej të kishte radhë të gjata njerëzish. Por realiteti sjell dy pamje: Të sëmurë e familjarë që presin gjatë në spitalet publike, e ata qe shërbehen ne kohë rekord vetëm pak metra më larg, tek privatët. Nga vëzhgimi i bërë, rezulton se ka një numër të madh mjekësh që e ndajnë kohën e tyre mes klinikave private dhe QSUT. Shumë prej klinikave dhe laboratorëve privatë rreth QSUT-së e fshehin informacionin për stafin e tyre. Në vetëm pesë nga ato që e bëjnë publik në faqet e tyre të internetit, mësohet se punojnë të paktën 13 mjekë që njëkohësisht janë pjesë e stafit të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Add new comment