Investitorët e “çekut të bardhë”

Postuar në 11 Gusht, 2011 05:05
Arbër Zaimi

Disa ditë më parë botova një koment mbi “privatizimet misterioze”, mbi investitorë të huaj që vijnë në Shqipëri për të na shpëtuar prej varfërisë, dhe mbërrijnë të marrin nën kontroll ajkën e burimeve ekonomike të Shqipërisë, edhe pse nuk paraqesin as eksperiencë, as strategji, as burime të mjaftueshme e as plane për hapje të vendeve të punës. E kisha fjalën mbi të gjitha për mënyrën se si është trajtuar Miniera e Bulqizës prej koncesionarëve të saj, DARFO-s (gjer në 2006), dhe ACR (nga 2007 e këndej). Këta investitorë jo vetëm që kanë shkaktuar probleme të vazhdueshme duke mos investuar e duke mos respektuar kontratën me shtetin, por kanë përkeqësuar gjendjen e punëtorëve, gjë që del në pah qartë te greva e fundit e minatorëve të Bulqizës, së cilës fatkeqësisht askush nuk po i kushton vëmendjen e duhur.

Mirëpo “privatizimet misterioze” nuk janë gjithnjë kaq spektakolare sa ai i minierave të kromit. Ka raste që burime të pamasa energjie e financash, siç janë ato hidrike, të privatizohen ashtu si nën zë, e të mos marrë vesh gjë njeri. Nuk e merr vesh njeri, pjesërisht sepse ne nuk jemi një shoqëri vigjilente, pjesërisht se media jo gjithnjë sqaron se ç’po ndodh, e pjesërisht sepse qëllon që këto privatizime të mos kenë të bëjnë me ndërmarrje që punësojnë numra të mëdhenj njerëzish. I tillë është rasti i këtij mashtruesit të fundit, McMann, që paskësh privatizuar qetë-qetë shtatë hidrocentrale të vegjël e të mesëm në jug e në juglindje të Shqipërisë, apo si prodhuesi i sallamit Arben Tafaj, që gjithashtu ka marrë licensa hidrocentralesh, apo edhe më tej, si i famshmi Gimi, miku i Metës, që kishte premtuar 700 karamele për një hidrocentral, siç u provua përfundimisht prej ekspertëve italianë që lexuan buzët e ish-zv.kryeministrit.

Në një vend normal e në një shoqëri funksionale, as që do të duhej të ngrija një shqetësim të tillë, sepse vetë shteti dhe institucionet do të kujdeseshin që të shmangnin sharlatanët dhe mashtruesit (siç bëri SHBA fjala vjen, me të njëjtin person). Mirëpo ne nuk jemi një vend normal (ende institucionet tona nuk kanë filluar hetimet ndaj McMann, edhe pse tashmë publikisht dihet se me ç’biznesmen kemi të bëjmë). Nuk jemi shoqëri normale, sepse jemi bindur në vërtetësinë e fjalëve të Thatcher-it që dikur thosh se “Nuk ekziston shoqëria, ekzistojnë vetëm individët dhe familjet e tyre”. Nuk duhet të habitemi që një shoqëri me të këtillë mentalitet kolapson lehtë, e nuk i reziston dot lojërave mashtruese të McMann-ëve, që në bashkëpunim me pushtetarët vendas do të vijojnë të vjedhin gjithçka që munden. Duhet kuptuar se ky bashkëpunim i ngushtë midis pushtetit dhe mafias ekonomike nuk është rastësor, ashtu siç nuk është rastësor fakti që shqiptarët e kanë humbur krejt besimin te publikja, nuk e ruajnë atë e nuk kujdesen për të.Ky është produkti i “Shock Terapisë” që Berisha e nisi në 1992, e frutat e të cilit po i vjel tani. Ndërsa ne, ende presim “çekun e bardhë”… 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.