Konceptimi i demokracisw dhe parimi i “elitave”
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1254_dgsdfhg.jpg?itok=Hkk4-2Ia)
Në librin e tij "Essenza e attualità del Liberalismo"[Esenca dhe aktualiteti i Liberalizmit], Filipo Burzio përcakton në këtë formulë raportin midis aspiratave demokratike dhe realitetit të "elitave": "elitat më parë vetformohen e pastaj vetpropozohen (në regjimet liberal - demokratike), ose u imponohen masave (në regjimet totalitare). Mbi këtë tezë, me të cilën jam dakord në thelb, po i shtoj edhe disa konsideratave të tij.
**
Kur mendohet se demokraci do të thotë një qeverisje direkte që populli i bën vetvetes, thuhet jo vetëm diçka e pamundur në vetvete (siç Burzio e bën të ditur), por në rrethanat e saj është edhe mjaft e rrezikshme. Nëse populli qeveris vetë, lind menjëherë pyetja: - A është i pjekur për këtë vetqeverisje? Dhe për këtë vetpjekuri nuk mund të vendosë vetë subjekti [dmth populli]; duhet të jetë një palë tjetër. Kështu, ngritur problemi i pjekurisë, populli s'do duket kurrë i pjekur, e duke zgjedhur dorë pas dore do arrijmë nën dikaturë, e cila do marrë përsipër të luajë rolin e "edukatores" provizore, si përgatitëse e kësaj vetqeverisjeje të ardhshme. Por historikisht nuk ka ndodhur ndonjëherë që një diktaturë ta hapë vetë spontanisht derën e demokracisë, sepse realisht roli i diktaturës është çedukues e aq më tepër, në vend ta pjekë popullin ajo shkon në kah të kundërt. Prandaj vetqeverisja direkte nga populli nuk është kurrë një realitet, por propozohet si një ideal; gjithmonë projektohet në të ardhmen; dhe mbulon një realitet, që është komplet ndryshe. Duhen fakte historike që e provojnë këtë?!
Një shembull është proçesi historik që ndodhi nga teoriku i parë i demokracisë, Russoi, tek diktatura e russojanit Robespier. Po përse të kërkojmë shembujt në të shkuarën? Le ta shtrojmë çështjen në rrafshin institucional. Cili është argumenti, për të cilin përpiqen partitë që më shumë i mëshojnë vetqeverisjes direkte përpara një referendumi kushtetues? Asgjë tjetër veç kësaj, që populli nuk është i pjekur për një vendim të rëndësishëm, dhe kjo pjekuri u rezervohet partive. Edhe pse mbështetësit e referendumit e kundërshtojnë këtë me të drejtë, pasi kështu instaurohet një lloj diktature e partive mbi popullin. Dhe e njëjta logjikë mund të shihet edhe në diskutimet mbi detyrueshmërinë e votës. Nga ana tjetër, qeverisja direkte nga i gjithë populli a nuk është shembulli politik i mitit romantik, tashmë të braktisur, të poezisë popullore?
Pra, s'mund të jem në një mendje me Burzion për përkufizimin e tij; kemi regjim demokratik kur elitat propozohen dhe s'u imponohen masave. Dhe kjo: elitat demokratike i veçojnë vlerat nga forca, çfarë transformon një elitë të caktuar politike në elitë qeverisëse është konsensusi; elita totalitare, veçse, bën një vlerat me forcën (bindja për drejtësinë e këtyre vlerave u duket e justifikueshme që t'ua imponojnë edhe me forcë masave). Por ku është baza ideale e këtij veçimi të vlerave nga forca? Besoj se përkufizimi i demokracisë mund të quhet ky: regjim, në të cilin çdokush e ka të pamundur të veprojë mbi të tjerët, veç metodave të bindjes, dmth - përkufizim ekuivalent - regjim, në të cilin çdo person konsiderohet objekt për t'u bindur, pra si individ. Avantazhet e këtij përkufizimi më duken në përputhje, jo vetëm në pranimin e principit të elitave, por në eliminimin e rrezikut të despotizmit demokratik, si formë e presionit të masave mbi individin, ose prioritet i masës mbi cilësinë. Ajo çfarë karakterizon demokracinë nuk është qeverisja e shumicës (pasi kjo ndodh edhe në regjimet totalitare), por respekti ndaj individit. Është pikërisht ky kushti i respektimit të individit (të njëjësit) që përcakton nevojën e demokracisë.
Konsekuencat imediate të këtij principi atëherë janë: a) vlera finale, për të cilën një regjim është i drejtë nuk është avantazhi material, i kombit, klasës, por ideja e bindjes, e jo dhunës; b) politika demokratike merr parasysh qëllimet dhe metodat e realizimit të këtyre vlerave, gjithmonë në funksion të çdo individi (e për këtë elitat prpozohen dhe nuk imponohen).
Personi për të cilin flitet nuk konsiderohet si një ide abstrakte, por si çdo individ i vetëm. Kështu mund të thuhet se demokracia është një konceptim pluricentrik; dmth, në një regjim demokratik, çdo individ duhet konsideruar si një fund e askush si një fund i përgjithësuar i gjithë jetës sociale. Sipas meje, në këtë moment kompletohet problemi social me problemin politik, me të cilat lidhet ngushtë ideja e barazisë.
*Augusto Del Noce (1910 - 1989) ka qënë filozof dhe politolog, profesor i filozofisë politike në universitetin e Romës.
Përshtati në shqip Besnik Terpollari
Add new comment