Shoqëria “e hapur” dhe përbindëshi brenda saj

Postuar në 18 Mars, 2014 14:43
Gjergj Meta

Na ka shokuar te gjitheve vrasja e tre vajzave te mitura ne Itali nga nena e tyre. Na shokoi, sepse ishin shqiptare. Sigurisht çështja kapet dhe trajtohet nga shume këndvështrime. Me i keqi këndvështrim mendoj është ai i paragjykimit moral dhe atribuimit te fjales “përbindësh” per nenën. Ndër të gjitha komentet e atyre ditëve vëmendjen time  tërhoqi ajo e gazetarit Edi Oga në një postim të tijin në fb i cili thonte: “Ajo ka bere nje krim, sigurisht! Me te tmerrshmin e krimeve, "infanticid"... por perpara sesa ta etiketoja "Monster", do te doja te zgjoja ato "monstrat" e vogla qe flejne tek seicili prej nesh, tek kjo shoqeri "monstruoze" qe arrin te formezoje njerez kaq te deshperuar, te pashkolluar dhe te frustruar, sa te arrijne ne krime kaq te pabesueshme... Le ta fillojme nga vetja, le te provojme te zgjidhim problemet e vogla qe te mos na degjoje me veshi makabritete kaq te medha!”. Ftesa e Edit m’u duk e sinqertë, sepse nisej nga “monstra” brenda tij dhe nga “monstra” brenda secilit prej nesh.

 

Unë në fakt më shumë se sa kaq mendoj që “monstra” qëndron e fshehur në nënvetëdijen e shoqërisë së “hapur” që ne po ndërtojmë e po promovojmë në kohën bashkëkohore (në fakt edhe Big Brother-i ku punon Edit është një monstër brenda shoqërisë tonë të hapur), qoftë në sistemet politike e qoftë në ato ekonomike me pasoja në proceset formative dhe edukuese. Dikush mund të më akuzojë si mendjembyllur meqë flas kundër shoqërisë së “hapur”. Në të vërtetë unë mendoj se ka një diferencë të madhe ndërmjet shoqërisë së “hapur’ dhe shoqërisë së lirë. Shoqëria e hapur nuk di t’i japë rregulla vetvetes, ndërsa shoqëria e lirë mundet, pasi liria e vërtetë është liria për t’i dhënë vetes rregulla, kufij që të lejojnë të jetosh ti dhe tjetri afër teje, dhe përkundrejt teje. I mbetem mendimit se ajo grua është një viktimë e jo një “përbindësh”. Është një viktimë që ka shkaktuar viktima të tjera. Shoqëria e hapur është në vetvete një shoqëri “infanticide” sepse është një shoqëri që për qelizë të vetvetes ka individin dhe jo familjen, pra bashkësinë, për të cilën familja është baza ku nisin e zhvillohen relacionet ndërpersonale të cilat në të mirë apo në të keq përcaktojnë rritjen dhe zhvillimin tonë.

 

Dua edhe të them se “infanticidi” apo tentativat për të, si fenomen nuk është i ri, pavarësisht se kanë ndryshuar rrethanat. Po sjell vetëm dy shembuj biblikë dhe njw nw letwrsinw shqiptare. Infanticidi i Egjiptianëve ndaj hebrenjëve në mënyrë që ata të mos rriteshin, sepse kërcënonin integritetin dhe të ardhmen e egjiptianëve. Kemi infanticidin e Herodit i cili vret fëmijët, pasi ndjehej i rrezikuar në pozicionin e tij si mbret. Po të gjurmojmë në letërsinë tonë, pikërisht në një momument të kulturës shqiptare si “Lahuta e Malcisë”, gjejmë amanetin që Ali Pasha i Gucisë i jep gruas së vet:

 

Nuses s’ vet, mandè’ i ká thânë/ Nji amanet jam tue t’ a lânë/ … Por në kje se Mali i Zí/ Erdh e rá kurr ne Gucí,/ Dér sá t’ jét djali kerthi,/ Pâsh njat Zot, qi te ká falé,/ M’a ndigio ti, grue, nji fjalë/ Bâne zêmren gúr e krep,/ Premia djalit kryet ne djep/ Mos m’ i a lsho Knjazit n’ dorë gjallë..

 

Ali Pasha është i shqetësuar për një mundësi të së ardhmes e nuk do që djali i tij, pasardhësi i tij, pra në fund të fundit ai vetë, të mos jetë skllav i dikujt. Don t’i shmangë vetes turpin, sepse më pas thotë:

 

S’ due t’ a lâ n’ Shqypní un prrallê/ Se nji biri i Alì Begut,/ Se nji i nipi i Skenderbegut/ Knjaz Nikollës i ká sherbye/ Se ká vû kapicë mbí krye,/ Se ká ndêjë per t’ gjallë nen shkjá,/ Pagë e t’ dheta atij tue i lá./ Mâ mirë n’ vorr m’ u kjá per mâll,/ Se nên Shkjá me ndêjë per t’ gjallë!

 

Janë sigurisht shembuj të një epoke tjetër, të një konteksti tjetër e të motivuara ndryshe, por kanë një të përbashkët, një e ardhme e rrezikuar, një e ardhme që ende nuk është, qw shihet me frikw e pasiguri e që nuk lejohet të ndodhë. Në kontekstin për të cilin po flasim kemi një të ardhme që shoqëria nuk garanton, pasi është shumë e zënë me të tashmen. Dhe një nga problemet e mëdhaja që shtrohet në shoqërinë aktuale eshtë familja, plagët e së cilës sipas këndvështrimit tim sjellin plagë të tjera: krimi brenda familjes, dhuna në adoleshencë, bulizmi nëpër shkolla etj.

 

Divorci sigurisht mbetet kryeplaga e familjes. Shoqëria e “hapur” që ne po kërkojmë të ndërtojmë, merr parasysh të drejtat e individëve, për të pasur një jetë të tyren, duke harruar fëmijët. Të imagjinojmë pak një fëmijë i cili dëgjon nga prindërit e tyre: “dashuria ime për ty ka marrë fund”, “unë nuk të kam dashur kurrë” etj etj. Një fëmije të cilit i është thënë se ti je frut i dashurisë nuk e beson më këtë gjë. Po ashtu sa shumë investohet nga shteti që të shkojë deri në fund një seancë divorci, duke angazhuar më tej struktura të tjera për mbrojtjen e prindërve apo të fëmijëve, por nuk investohet në seancat pajtuese me anë të një ekipi njerëzish që e marrin seriozisht unitetin e familjes, që besojnë në të dhe merren seriozisht me pajtimin e bashkëshortëve. Nuk mund të presim që një familje e copëzuar të sjellë më pas lumturi në të ardhmen e fëmijëve. Në fakt kjo e ardhme me vetë faktin e divorcit është kompromentuar shumë, pasi ka thyer brenda fëmijës diçka e cila me shumë vështirësi dhe punë mund të riparohet.

 

Sistemi që ne modernët po ngremë punon kundër familjes në emër të mirëqënies personale, apo si thuhet në emër të të drejtave të njeriut. Por mirëqënia e njeriut kalon piksëpari nga kraharori i nënës që e ngjiz. Të gjitha studimet e psikologjisë na orientojnë drejt faktit që vitet e para të jetës, qysh në barkun e nënës, janë përcaktuese për rritjen e individit. Nëse ajo familje apo vatër nuk është e ngrohtë sigurisht do të rriten fëmijë të ftohtë. Brenda asaj nëne në mënyrë të pajustifikueshme ka vepruar ky mekanizëm i pafuqisë për të menduar një të ardhme. Por kjo nuk është shumë e ndryshme nga ata që i bien shkurt vështirësive të një martese duke i’u drejtuar dyerve të gjykatave, duke “vrarë” kështu lidhjen e tyre, apo atyre që e konceptojnë ngjizjen e një fëmije si një pengesë dhe i drejtohen bisturisë së një gjinekologu për ta hequr pengesën. Në fund të fundit këtu fshihet gjithmonë një frikë e së ardhmes, frikë që sigurisht shoqëria jonë “e hapur” nuk është në gjëndje ta administrojë.

 

Ndërsa ajo që unë quaj shoqëri e lirë është e aftë të mendojë një të ardhme, duke e ndërtuar atë mbi vetëdijen se duhet t’i japë vetes disa rregulla e kufij sikurse e përmenda edhe më lart. Nuk mund ta likujdojmë vrasjen e tre vajzave si një raptus të çastit, një marrëzi. Është diçka më shumë, diçka që flen e del herë pas here në pah, e vret. Është një lloj “përbindëshi”, një lloj Leviatani që del nga thellësitë e nënvetëdijes tonë shoqërore (Leviatani del nga thellësitë e detit të cilat janë të errëta), të cilin ne nuk kemi kurajo ta shohim në sy, por e mbulojmë. Ky Leviatan është i pamëshirshëm dhe frikë ka vetëm Zotin. Një shoqëri e “hapur” si kjo e jona e ka vënë Zotin në periferi…

 

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.