Takimi Rama-Basha si pretekst dhe jo si arsye
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/3641_arjan-vasjari-ok.jpg?itok=cTOq4hIm)
Po të kujtosh se, sa shumë kohë iu desh Fatos Nanos që të takohej me Sali Berishën dhe po ashtu këtij të fundit për t’u takuarme Edi Ramën, sigurisht të lë një shije të mirë ideja për një takim mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Kanë kaluar vetëm gjashtë muaj nga fillimi i punës së kryeministrit dhe, diç më shumë nga koha e hipjes në katedrën e Partisë Demokratike e drejtuesit të saj të ri. Mirëpo, po të kujtosh arsyet madhore që nxitën Fatos Nanon, Sali Berishën dhe Edi Ramën të takoheshin me njëri-tjetrin, atëherë tema e takimit të pretenduar mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës nuk duket më shumë se një pretekst. Shtjella epistolare e të dyve, megjithë përkujdesin stilistikor, të heq çdo dyshim rreth kësaj.
Reforma administrative, përveçse nuk përbën realisht shqetësim të mirëfilltë politik për asnjërin prej tyre, nuk mund të konsiderohet si një arsye e qenësishme për t’u takuar. Megjithë spekulimet lidhur me “rëndësinë strategjike për të ardhmen”, në natyrën e saj ajo ngelet një reformë, substancialisht apolitike, e cila meriton një angazhim në nivel teknicienësh dhe një votim formal në parlament. Asgjë më shumë. Kaq e vërtetë është rëndësia relative e saj sa, edhe vetë opozita, jo vetëm ka refuzuar të përfshihet në komisionin parlamentar, për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me reformën, por nuk ka manifestuar ndonjë kritikë të besueshme mbi projektidetë e anëtarëve socialistë të komisionit për reformën në fjalë. Brenda frazës anonime të Lulzim Bashës në përgjigjen ndaj Edi Ramës “reformë e fuqizimit të demokracisë dhe pushtetit vendor” zbulohet gjithë forma e “shqetësimit” të opozitës.
Në të gjitha variantet, ndarja territoriale nuk arrin të cenojë, thuajse fare, targetin elektoral të opozitës. Madje, edhe arbitrariteti hipotetik në hartimin e saj nuk mund të jetë përveçse racional pra, brenda disa limiteve logjike të cilët edhe njëanshmëria e mazhorancës nuk mund t’i shkelë dot. Për të mos e zgjatur, reforma territoriale është e natyrës neutrale dhe kësisoj nuk kualifikohet dot si kryearsye politike për të bërë bashkë Kryeministrin e vendit dhe kryetarin e opozitës në një tryezë. Në çdo vend, demokratikisht normal, ajo konceptohet dhe përvijohet si një operacion teknik i një apo disa ministrive për objektiva të ndryshme por, asnjëherë politike. Në këtë kuptim, tematika e përzgjedhur për të simuluar një takim Rama-Basha është vetëm një pretekst, përgjithësisht banal dhe i pasinqertë, në funksion të arsyeve politike të ndryshme (dhe legjitime) të secilit.
Është mjaft e thjeshtë dhe e qartë se, Edi Rama e ka të nevojshme të takojë Lulzim Bashën, por reforma administrative përbën pretekstin për ta takuar dhe jo arsyen. Arsyeja reale është kushti i prerë i vendosur nga Brukseli për kooperim politik, në mënyrë që të mbahet gjallë shpresa për statusin në qershor. Pas disa sjelljeve arrogante antikushtetuese të shumicës që nga rrëzimi i ligjit për nëpunësin civil e deri tek përpjekja për kolonizimin e të gjitha institucioneve, skepticizmi i europianëve mund të zbutet vetëm përmes një klime të qartë bashkëpunimi me opozitën. E çfarë më shumë se një tryezë politike me drejtuesin e opozitës do ta ekspozonte në sytë e europianëve këtë bashkëpunim të kryeministrit Rama?
Lulzim Basha nga ana e tij, nuk ka ndonjë nevojë politike imediate të takohet me Edi Ramën, aq më pak reforma administrative me rëndësinë e saj relative mund të jetë një arsye për kreun e PD-së. Letra e tij e sqaronte përfundimisht këtë mungesë interesi primar ndaj reformës, që kur e trajtonte atë si një ndajshtesë kuptimore të tipit “…takohemi edhe për reformën administrative”. Praktikisht, me pranimin e ftesës, Lulzim Basha nuk pranoi reformën territoriale si arsye për t’u takuar, por shfrytëzimin e saj si një pretekst për të përplasur në tryezë arsyet e mospërfshirjes së opozitës në këtë reformë. Arsye që, lehtësisht kuptohet, nuk kanë të bëjnë me pretendimin për ta shtrirë konsensusin nga komisioni në parlament siç pretendon drejtuesi i opozitës, por me çështjet e nxehta të nëpunësve të larguar, AMA-s, bllokimit të punimeve për bulevardin e Tiranës etj. Sepse, nëse komisioni do të prodhojë një projekt-reformë konsensuale, si mund të ndodhë që mazhoranca në parlament të mos e votonte? Po çfarë do të votonte atëherë?
Pas kësaj është logjike të ngrihet pyetja: “A duhet të takohet Rama me Bashën?”. Personalisht besoj se nuk ka ndonjë kontekst politik të atillë që provokon nevojën e një takimi mes tyre. Megjithë problemet serioze që ballafaqohemi, megjithë arrogancën e shumicës, prapëseprapë as ndonjë krizë i endet Republikës mbi kokë dhe as ndonjë reformë të madhe jemi duke përgatitur. Jemi në kufijtë e papërcaktueshëm mes normalitetit dhe anormalitetit demokratik, por kjo nuk përbën ndonjë “risi” për ne. Thjesht po kalojmë në një fazë të re ambientimi të çrregullimeve tona. Aq më pak do të përligjte një takim Rama-Basha preteksti i reformës administrative. Jo vetëm për shkak të natyrës kryesisht teknike të kësaj lloj reforme, por mbi të gjitha, për shkak të mungesës së sinqeritetit rreth arsyeve reale përse duhet të takohen. Kjo do ta bënte takimin mes tyre një fasadë demokratike vezulluese, por jo një moment pjekurie demokratike. Do kenë kohë dhe rast për ta provuar këtë. Vetëm pak durim. Ndërkaq, le të takohen. Dëm nuk bën. Por, arsye nuk kanë!
Mapo
Add new comment