24 korriku dhe tradita presidenciale
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1974_presidential_palace_of_tirana_blgu_spring_school_2013_1.jpg?itok=-tn-PhXS)
Më 24 korrik 1997, në Kuvendin e Shqipërisë u betua Presidenti i ri i Republikës, Rexhep Meidani. Pesë vjet më vonë, në të njëjtën orë e datë u betua Presidenti Alfred Moisiu dhe kështu me rrallë, në të njëjtën datë dhe orë edhe Presidenti Bamir Topi dhe Presidenti Bujar Nishani. Në këtë mënyrë, nga shtatë presidentë shqiptarë në 100 vjet, një është zgjedhur/betuar në janar (Ahmet Zogu), dy në muajin prill (Ramiz Alia dhe Sali Berisha, ky i fundit në mars 1997 me mandat të dytë) dhe katër të tjerët, Meidani, Moisiu, Topi e Nishani janë betuar me 24 korrik. Nëse nuk ka situata të jashtëzakonshme (dorëheqje, shkarkim, arsye shëndetësore) edhe presidenti pasues (2017) do të marrë detyrën në të njëjtën datë dhe orë, 24 korrik, ora 10.
Mjafton kjo rastësi dhe këto të dhëna për të krijuar motivin e leximit të datës 24 korrik si Dita Presidenciale në Shqipëri. Një numër i madh shtetesh kanë ditën e tyre presidenciale, kryesisht vendet me sistem presidencial ose gjysme-presidencial, por në dekadën e fundit janë imituar tradita të njëjta edhe për një numër vendesh me sisteme parlamentare ku Presidenti zgjidhet direkt ose indirekt. Kosova ka festë zyrtare Ditën e Kushtetutës, por Presidenti Rugova e bëri protokollare edhe Darkën e Lamës, një simbolikë falënderimi. Në disa vende të Evropës Qendrore ditët presidenciale kanë karakter afirmimi në publik të historisë, përgjegjësive, aktiviteteve dhe respektit ndaj institucionit simbol të unitetit kombëtar.
Shqipëria nuk ka ditë të parlamentit, as të presidentit, as të kushtetutës, dhe as të falënderimeve. Për më tepër, Shqipëria është vendi i vetëm në NATO (një grupim me disa standarde demokracie funksionale) pa një historik presidencial, pa botime e studime institucionale presidenciale, pa ligj organik për institucionin e Presidentit dhe pa një model të qëndrueshëm kompetencash kushtetuese dhe ligjore referuar këtij institucioni. Në muzetë historike dhe në librat shkollorë mungon edhe një listë formale e atyre që kanë qenë presidentë të këtij vendi, - praktikë që nuk gjendet në asnjë vend tjetër evropian. Ish presidentët shqiptarë janë të vetmit në Evropë që nuk kanë një adresë zyrtare pas mbarimit të mandatit, nuk kanë një vend specifik në protokollin zyrtar, nuk kanë status ligjor dhe as nuk kanë fonde të plota dhe aktive në arkivin shtetëror, për të mos folur për detaje të tjera të shumta të trajtimit shtetëror dhe zyrtar, si pjesë të memories, përgjegjësisë dhe interesit publik e shtetëror.
A do të mundet Shqipëria të krijojë një traditë presidenciale? A mund të ketë Shqipëria një datë presidenciale? Po. Në çdo rast e rrethanë mundet dhe do ishte e dobishme. Problemi shqiptar vijon të jetë absurdi i sjelljes politike dhe institucionale: asnjë mazhorancë nuk ka pasur raporte pozitive me Presidentët dhe çdo herë, palët politike e kanë gjykuar kryetarin e shtetit jo sesi ai e ushtron detyrën kushtetuese, por sesa përputhen vendimet e tij me interesat e partive të caktuara në mazhorancë apo opozitë. Ka ndodhur që disa presidentë të kenë bashkëjetuar me të njëjtën parti gjatë gjithë mandatit (Berisha, Meidani, Topi), disa me dy palët (Moisiu, Nishani), por vetëm në një rast nuk ka pasur konflikt (kur vetë presidenti drejtonte partinë në qeveri).
Në çdo rast tjetër “prishja” ka ardhur në mesatare 7-8 muaj pas zgjedhjes në detyrë. Gjatë mandatit Berisha patëm të njëjtin kryeministër, gjatë mandatit Meidani u ndryshuan tre kryeministra, gjatë mandatit Moisiu u ndryshuan dy kryeministra, gjatë mandatit Topi patëm të njëjtin kryeministër kurse në mandatin aktual deri tani janë dy kryeministra, - tregues se mandati presidencial është më i gjatë (jo vetëm numerikisht), më i qëndrueshëm dhe më kompleks sesa mandati i një mazhorance politike. Ka një konsensus publik se në përgjithësi kryetarët e shtetit i kemi pasur më të mirë sesa shefat e qeverive, edhe për shkak se me ndonjë përjashtim - të parët mendojnë më shumë për shtetin, të dytët për pushtetin. Këto janë motive shtesë që institucioni i Presidentit sot e mot të meritojë dhe të gëzojë më shumë respekt nga politika e ditës, e cila, siç bëhen fushatat tek ne, është në konflikt interesi me disa kompetenca presidenciale, sidomos në çështjet e prokurorisë, drejtësisë, shërbimit sekret dhe diplomacisë.
Nëse i referohemi aspektit memorial tendës së studimeve historike dhe shkencore shqiptare i mungojnë dukshëm studimet presidenciale, sidomos ato që lidhen me kompetencat, ushtrimin e tyre, raportin me institucionet e tjera, specifikat e ndryshimeve kushtetuese apo modeli ynë në raport me modelet e tjera. Studimet parciale të disa juristëve apo politologëve nuk e mbushin dot boshllëkun e madh, dhe sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë do ndjehet nevoja për studime dhe referime të tilla.
Le të shohim një aspekt krahasues: modeli gjysmë-presidencial i periudhës së Zog u imitua në shumë elementë më 1992-1998 duke i njohur presidentit, përveç të tjerash, të drejtën e nismës ligjore dhe të mbledhjes/drejtimit të qeverisë në rrethana specifike. Në politikë kompetencat janë një gjë, mënyra e ushtrimit të tyre varet shumë nga personi, vullneti i tij dhe rrethanat. Për shembull, Presidenti Berisha (1992-1997) i ushtroi në maksimum kompetencat e tij, shpesh duke i tejkaluar ato, kurse Presidenti Meidani (1997-2002) megjithëse në periudhën 1997-1998 pati të njëjtat kompetenca zgjodhi një sjellje tjetër, shumë më protokollare dhe larg protagonizmit politik.
Në tërësi tradita shqiptare presidenciale dhe rajonale ka dëshmuar se nga modeli i liderit të fortë politik është kaluar tek modeli i figurave politike dytësore ose më tej. Në fillim të viteve 90 Alia e Berisha në Shqipëri, Zhelev në Bullgari, Iluesku në Rumani, Gligorov në Maqedoni, Mesiç apo Kuçan në dy republikat veriore ish jugosllave, etj, ishin figura dominuese politike. Më pas në dekadën e dytë të tranzicionit ndryshimet kushtetuese në çdo vend rritën dukshëm pozitën e kryeministrit dhe sot, kryeministri ka më shumë pushtet e dominim politik jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, etj, por edhe në Bullgari, Kroaci, Slloveni, Poloni, Hungari, Greqi, Itali, etj. Në disa raste zgjedhjet presidenciale përmes parlamentit ishin “të minutës së fundit”, siç ndodhi së fundi në Kosovë e Shqipëri, kurse në vendet me zgjedhje direkt ky tipar është i pamundur, edhe pse shpesh produkti është në favor të figurave të reja politike (Pahor në Slloveni, Ivanov në Maqedoni, Josipoviç në Kroaci apo Plevneliev në Bullgari).
Ndryshimet kushtetuese 2008 e dëmtuan ndjeshëm institucionin e Presidentit. Zgjedhja e tij më me pak vota, sesa p.sh, Avokati i Popullit, e bën atë produkt të çdo mazhorance, dhe cenon ndjeshëm hapësirën e veprimit të tij mbi palët politike. Loja me emrat e kandidatëve potencialë për President (37 më 2007 dhe 13 më 2012) dha efektin që pritej: zhvleftësimin e konceptit të garës dhe hierarkisë së vlerave dhe krijimin e traditës së kushdo që merr një sms nga shefi i partisë së shumicës mund të bëhet brenda orës President i Republikës. Kufizimi me ligj i kompetencave të veçanta tipike presidenciale (e drejta e faljes, dekorimeve, emërimeve të drejtuesve ushtarakë, etj) të motivuara nga nevojat ditore të mazhorancave të radhës, e dobësojnë dhe cenojnë akoma më shumë fushëveprimin e Presidentit të Republikës. Natyrisht që vetë sjellja e Presidentit në funksionet e tij gjatë mandatit të tij, mënyra sesi ai e kupton dhe zhvillon aktivitetin, - përcakton integritetin, mbështetjen, trashëgiminë dhe vlerësimin publik ndaj çdo mandati presidencial.
Në ditën presidenciale jo zyrtare, është koha të kthehet vëmendja nga ky institucion dhe të rikujtojmë sa vlerë e rëndësi ka një zgjidhje kushtetuese afatgjatë, funksionale dhe e qëndrueshme. Për shembull, nevoja për kalimin e zgjedhjes presidenciale direkt nga qytetarët (e aplikojnë 12 nga 15 shtetet ish komuniste në EL), nevoja për anulimin e ndryshimeve kushtetuese 2008 për zgjedhjen e Presidentit, nevoja për një ligj organik mbi institucionin, nevoja e një pakti politik për sjellje më institucionale dhe etike të politikës ndaj këtij institucioni, nevoja për reflektim nga vetë institucioni dhe nevoja për një model presidencial më afër qytetarëve e konceptit të shtetit.
Të gjitha janë premtime që u bënë edhe në fushatën elektorale 2009 dhe 2013 por që janë harruar konsensualisht! A jemi të përgatitur për ndryshime? A ka një koncept reformimi real? A ekziston vullnet politik për këtë? Këtë 24 korrik jo, dukshëm jo. As mazhoranca, as opozita. Një shans tjetër i humbur dhe kohë tjetër e humbur, në listën e humbjeve të njëjta në historinë tonë 100 vjeçare shtetërore. Për të cilat shpesh jemi penduar e pendohemi, duke harruar se pendesa ka vlerë vetëm kur kthehet në vullnet ndryshimi, përndryshe mbetet tipar i një klase politike të paaftë, pa vizion, pa strategji dhe natyrisht, pa të ardhme.
"Shqiptarja.com"
Add new comment