Stepja ndaj Reformave, si dëm publik dhe si vetëvrasje politike
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1342_qeveria-rama44_1.jpg?itok=4gKH8otd)
Shqiptarët votuan, më 23 qershor të vitit të kaluar, për një ekip të ri drejtues në krye të tyre. Ekipi erdhi, me lule, foto dhe fanfara dhe u vendos demokratikisht në krye të sipërmarrjes drejtuese. Ndreqi dhe krruajti zyrat e lëna nga paraardhësit, mbolli bar dekorativ me shumicë dhe, si e ka adet Rama, Kryeministria ndërroi faqe. Dhe mirë bëri. Syrit dhe penelit të Piktorit-Kryeministër, ja kanë me të drejtë frikën. Se këtej nga ne, ka ca që piktorët i dinë për një gjë dosido. Por gabim duket se kanë bërë, se duke u nisur që nga ’97-ta, peneli i tij, duall, për hatër të shqiptarëve, më vrasës se sa kallashet e shumta, të të shumtëve. Mirëpo, thënë këto fjalë, të pakursyera për nga dashamirësia, në këto 300 e ca ditë qeverisjeje të kabinetit të ri, përveç detyrave të shtëpisë të qeveritarëve, sfida më kryesore janë Reformat. Ku edhe peneli hyn në punë vetëm në finale, për të zografisur dekoret e suksesit. Nëse do të ketë suksese. Ashtu si edhe gjithkush nga ne që ka vendosur të jetojë në këtë vend, uron me gjithe zemër. Pikësëpari për të mirën e vet dhe të bashkësisë ku jeton. E pra, janë thelbësore:
Reforma në Arsim, Reforma në Shëndetësi, Reforma Territoriale, Reforma në Drejtësi dhe Rizgjimi i Ekonomisë shqiptare.
Shqipëria nuk mund të vijojë të fabrikojë një arsim të lartë, masiv dhe mediokër, që bartet edhe sot nga shkollimi formal që prodhon diploma, por që nuk ja del të farkëtojë profesionistë të vërtetë dhe intelektualë të vërtetë. Arsimi publik dhe segmente të gjera të arsimimit privat janë ca punishte, që ngjajnë më së shumti me ato qilarët apo bodrumet ku falsifikohen pijet e markave të shtrenjta. Në shishet e këtyre qilareve, lëngu mbushës ka ngjyrën e pijes së zgjedhur, por kurrësesi vlerën e saj. Ndërsa etiketat bartin në mënyrë të rrejshme logon superiore të pijeve të famshme. Duke helmuar shoqërinë me diploma të pavlera dhe duke shtuar rradhët e papunësisë së të diplomuarve të punishteve të bodrumeve. Duke e mediokrizuar shoqërinë shqiptare ditë mbas dite dhe duke falsifikuar palcën e saj në një nga pikat më nevralgjike. Shëndetësia, mbetet një gropë septike dhe me erë të keqe nga ku kalojmë sa herë kemi nevojë dhe nuk shmangemi dot. Pa shprehur dyshim në vullnetin e mirë të ministrit Beqja, përgjithësisht serioz dhe i përkorë në qëndrimet publike, specialistët mendojnë, se është kryesisht reforma e thellë e Sigurimeve Shëndetësore çelësi i zgjidhjes, që do të çojë shkallë shkallë në përtharjen e kësaj grope septike kombëtare. Mjekësia falas, është një fjalë e madhe, që rrezikon të mbetet një premtim dhe aq. Nëse edhe shëndetësia, nuk ndërkallet në ligjësinë e tregut, simbas modeleve që nuk duhen shpikur, por duhen vetëm aplikuar dhe zbatuar me dorë të fortë, beteja është e humbur pa filluar ende. Edhe sikur të Ringjallet Nënë Tereza dhe t’i drejtojë ajo dhe motrat e saj spitalet shqiptare, dyshoj se përveç lehtësisë mrekulluese të dhimbjeve dhe dinjitetit të vdekjes në duart magjike të Motrave, shëndetësia nuk shërohet dot. Nëse mjekët nuk paguhen maksimalisht simbas tregut, që të lënë mënjanë tregtinë e ilaçeve dhe tregtinë e shpirtrave që jo rrallë përcjellin barbarisht dhe pa ndjeshmëri në botën tjetër, të gjithë do të vuajmë, sot edhe nesër. Dhe përtej retorikës, kur të shohim që ata që na drejtojnë, të shtrohen vetë nëpër spitalet apo klinikat tona, atëhere kthesa ka filluar. Por, besoj gjithkush e di, se po të nisemi nga frekuentimi që ata i bëjnë spitaleve shqiptare, rezulton që politikanët tanë të lartë, janë supernjerëz që nuk sëmuren kurrë për statistikat shqiptare. Për kartelat e klinikave austriake, zvicerane apo franceze, sigurisht që po. Mirëpo edhe një Reformë, në thelb krejt më e thjeshtë, reforma vendore, krejt e domosdoshme dhe 20 vite e vonuar, po shndërrohet në një betejë, me aspekte herë dramatike dhe herë qesharake. Në këtë rrafsh, besoj se forca e Ramës dhe e Metës duhet të ndihet me të gjithë peshën e vet. Duhet energji, kompromis, por mbi të gjitha përgjegjshmëri stataliste e dorës së parë. Dhe vendosmëri politike. Madje edhe ‘arrogancë’ numrash nëse lypet! Sepse duhet dalë nga kjo llomotitja alla shqiptarçe, e gjithkujt për gjithçka. Duhet kuptuar, sot, më shumë se asnjëherë, se kush e tërheq karrocën e pushtetit në këtë vend, që ka një pasion vetvrasës për çartallosjen dhe anarkinë, duhet ta çojë karron në stacion, përpara se sa ta shqyejnë kopetë e ujqërve të të gjitha markave. Mallin, kuajt dhe karrocierët. Konsensusi sa më i gjerë është i domosdoshëm, pa dyshim. Por si mundet të mbajmë sehir ca ‘barrikada’ të ngritur nga një tufë bejlerësh të rinj, të ashtuquajtur kryekomunarë dhe sekserët e tyre, të korruptuar dhe të dhjamur me toka e prona deri në fyt, që t’i bëjnë karshillëk shtetit dhe domosdoshmërisë për Reformë. Sepse nëse një Qeveri zhurmëmadhe për nga pritshmëria dhe për nga elokuenca deklarativiste, nuk ka forcën e kaut që tërheq parmendën e pushtetit, le ta lerë atë parmendë. Rasti i Reformës në drejtësi, është më kompleks. Askush nuk ve në dyshim kalbjen e thellë të sistemit tonë të Drejtësisë. Porse sekreti qëndron te zëvendësimi i dhogave të dyshemesë së kalbur. Nëse do të hiqnim përshembull, ato që maxhoranca quan dhogat e kalbura blu, askush nuk na afron garancitë, që do të zëvendësohen me dhoga të tjera, të shëndetëshme dhe të pangjyrosura nga partishmëria. Dhe pra, askush nuk provon dot bindshëm, që dhogat e reja të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nuk do të ngjyrosen sakaq, simbas nuancave të pushtetit në fuqi. Kuptohet në kurriz të drejtësisë së qytetarëve, si këmbim për favore të reja për qeveritarët e rinj. Sepse në reformizmin qëndron edhe besueshmëria e tregut dhe e investitorëve vendës dhe të huaj. Një ringjallje e shumëpritur ekonomike, është sot, si edhe të gjithë e dinë, sfida ballore e çdo qeverisjeje, e pra edhe e kësaj të tashmes. Për të shkuar drejt saj duhen këllqe dhe këmbë të forta. Që ndryshe mbiquhen Reforma. Përndryshe, zbythja do të ishte edhe vetvrasja e këtij qëllimi.
"Mapo"
Comments
Analize me fryme realiste dhe

Analize me fryme realiste dhe korrekte ..... Vertete ne mbetemi ne pritje dhe , packa se Be-Luli mbrapa kane lene nje germadhe me dhoga te kalbura !

Sinan Hibro, Samuel Beckett

Sinan Hibro,

Samuel Beckett ka shkruar dicka te bukur per pritesit si ti: "Waiting for Godot".

Nuk shpresohet qe te iket nga nje e keqe kur nje tjeter ia ze vendin se pares edhe kur kjo e dyta eshte pispillosur me bukur.

Kurre mos i beso nje

Kurre mos i beso nje gazetari qe si kameleoni mer ngjyrat e qeverise aktuale.

Add new comment