Duke lexuar Georg von Hahn-in
Në mes të shekullit XIX, përkatësisht në vitin 1854, Johan Georg Von Hahn, konsulli për Greqinë Lindore, botoi veprën e gjerë “Studime shqiptare”, e cila u vendos në tavolinat e dijetarëve dhe historianëve europianë për të mësuar dhe për të kuptuar se çfarë janë shqiptarët, ç’është gjuha shqipe, çfarë zakonesh kanë ata, cila është prejardhja e tyre, cilët kanë qenë pararendësit e tyre e plot argumente të tjera. Vëllimi i parë i këtij studimi po qarkullon tash së fundi edhe në libraritë tona, megjithëse ai, në pjesën më të madhe, ishte përkthyer nga dijetari shqiptar i lënë mënjanë, Veniamin Dashi. Tani libri është plotësuar edhe me përkthimin e faqeve të tjera prej Afrim Koçit dhe kështu, kjo vepër e pazëvendësueshme për historinë tonë, vjen e plotë dhe me një paraqitje dinjitoze. Ka shumë mënyra për t’iu qasur kësaj vepre. Ajo, për një kohë të gjatë, ka qenë lëndë e parë për studiuesit shqiptarë, qoftë ata të periudhës socialiste, por edhe më herët. Edhe Dora D’Istria, në letërkëmbim me De Radën, e përmend këtë vepër dhe e çmon gjithashtu. Mirëpo, sot, ajo mund të lexohet edhe në një dritë tjetër. Kjo vepër nuk u botua dhe nuk qarkulloi në kohën e komunizmit, por ajo mund të konsultohej prej specialistëve të një rrethi të ngushtë me autorizim të posaçëm. Pse? Sepse në disa kapituj përshkrimi që iu bën Hahn zakoneve të jetës shqiptare dhe tipareve të shqiptarit binin ndesh me modelin nacional-romantik që impononte komunizmi. Ai model, për fat të keq, është ngulur edhe sot në mendjet dhe në përfytyrimin e shqiptarit të sotëm dhe ne e përfytyrojmë veten ende me stereotipitë folklorike të kohës së komunizmit në themel të të cilave vendosim trimërinë, nderin, fjalën e dhënë, punën, dashurinë për trojet e të parëve, urrejtjen për armikun dhe dashurinë për dyfekun. Mirëpo pas rënies së komunizmit ra dhe modeli nacional-romantik që kishim ndërtuar për veten tonë dhe tani shqiptari po shfaqet me pamjen më të paqartë dhe groteske nganjëherë. Tani, ne, mesa duket, po nxjerrim në reliev ato tipare që i kishte vënë re me ndjeshmëri të posaçme Hahn në mes të shekullit XIX. Unë nuk po analizoj në këtë shkrim atë vështrim dinjitoz që ky dekan i albanologjisë, siç edhe është quajtur me të drejtë, i bën historisë së shqiptarëve, vendit që ata zënë në familjen e popujve europianë dhe gjuhës shqipe. Në këtë pikë, ai argumenton në më shumë se një rast që shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Europës, madje ai shtyhet më tej dhe thotë se pellazgët ishin këtu përpara helenëve. Por kjo është një temë tjetër. Mirëpo vjetërsia nuk është vlerë dhe ndërsa ai argumenton në më shumë se një rast se shqiptarët janë një popull i vjetër dhe pasardhës të pellazgëve dhe të ilirëve, në skicat e udhëtimeve që ai ka ndërtuar duke vizituar territorin ku banonin shqiptarët, ai vëren se shqiptarët nuk e kanë ndjenjën filozofike. Duke analizuar organizimin shoqëror të shqiptarëve, në një vend ai thotë se midis pronarëve dhe bujqve ekziston një marrëdhënie e ngushtë, por kjo më shumë për arsye zakoni, sepse kështu është trashëguar, se shqiptarit nuk i intereson shumë pse-ja e gjërave. Por ajo që është më interesantja në këtë vazhdë duket në faqet që vijnë më pas. Hahni ka konstatuar se në Shqipëri ashtu si në Galinë e hershme që përshkruante Qesari, shumica e shtëpive është e ndarë në parti, në krye të të cilave qëndrojnë ata njerëz që kanë peshën më të madhe, të fortët. Dhe ja si e përcakton ai personalitetin e shqiptarit: “Shqiptari e ka shtysë të mbrendshme t’i japë personalitetit të tij nji vlerë të jashtme sa ma të madhe; asht ai i fuqishëm, atëhere të gjitha përpjekjet dhe synimet e tij rrahin në pohimin dhe në zmadhimin e namit dhe të ndikimit të tij; asht ai i detyruem të kërkojë mbrojtjen e nji të fuqishmi, atëhere ai përpiqet që këtë rrethanë ta shfrytëzojë sa ma shumë në të mirë të tij”. (Studime shqiptare, dr.jur. JOHAN GEORGE VON HAHN, Tiranë, 2014, f.95). Dhe diku më poshtë, kur bën dallimin mes mentalitetit lindor dhe atij perëndimor, ai thotë: “Në Perëndim njeriu tani jeton nën sundimin e ligjit, i cili, mbrojtës dhe kërcënues, e shoqnon në rrugën e tij të jetës, nga djepi deri në varr dhe e mban fort për dore. Ai e çliron atë nga kujdesi për ruajtjen e trupit dhe të pasurisë së tij dhe u vë fre pasioneve të tij të ndaluara. Ligji, zakoni dhe tradita e mbrojnë atë në jetën e tij nga veprimi dhe arbitrariteti i të tjerëve në një shkallë shumë më të naltë se në Lindje; për këtë arsye njeriu në Perëndim u trembet dhe shpreson shumë pak nga bashkëqytetarët e vet. Si të ishte një lule kopshti, i ruajtur dhe i selitur nga institucionet, ai mund të ecë i qetë rrugës së vet dhe të jetojë vetëm për vete dhe për profesionin e tij. Përkundrazi, lindori mund të krahasohet me një dru pylli, ekzistenca e tij rrethohet nga rreziqe të panumërta; atij i duhet të hapë sytë gjithmonë rreth e rrotull që të mos sulmohet në befasi dhe tue qenë se frika dhe shpresa e tij varen në nji masë të madhe nga arbitrariteti i njerëzve të tjerë, ai, si rregull, asht ma i zoti se perëndimori në njohjen dhe trajtimin e njerëzve. Perëndimori qëndron mbi tokë të fortë, lindori mbi tokë të lëkundshme; i pari ka mundësi që t’i përkushtojë ndërtimit të jetës së vet, ndaj nuk njeh rrengjet dhe marifetet, të cilat i dyti i ka të zakonshme për të ruajtur barazpeshimin në veprimtarinë e vet”. Është shumë interesant edhe një përcaktim tjetër, që është ai mbi natyrën e grindjeve politike në Shqipëri. Një i huaj e ka të vështirë të kuptojë se përse grinden shqiptarët, por ajo që është e sigurtë, thotë ai, është se ata nuk grinden kurrë për ide, por vetëm për zotërim të fshatit dhe të pronës. Shqiptarët i kanë të gjitha doket dhe zakonet si të grekëve të lashtë dhe të romakëve thotë ai më pas, por dallojnë prej tyre për mercenarizmin dhe gjakmarrjen. Libri është një mozaik pafund me karakteristikat më të hollësishme për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë dhe jetën e saj shpirtërore e materiale, por unë do të doja ta mbyllja me këtë konstatim për tipin antropologjik të shqiptarit: “Unë nuk due ma gjatë mbi racën shqiptare, se nuk ka asnji vend në Europë si Shqipnia ku përfaqësohen të gjitha format e racës njerëzore prej bukurisë ma të madhe deri te gjaja ma e shëmtuar.” Unë nuk dua të shtoj asgjë më shumë.
shqip
Comments
Lexo or mik lexo sa te duash

Lexo or mik lexo sa te duash por nje gje mos harro!

Kultura e Perendimorit ndryshon nga kultura e lindorit dhe brenda lindorit edhe kultura e Shqiptarit ndryshon akoma me shume ne raport me komshite. Ky fakt nuk eshte as keq dhe as per tu cuditur. Secili ka historite e veta qe kane favorizuar apo frenuar pak a shume zhvillimet Shoqerore. Problemi qe qendron ne kete mes eshte interesi politik, gjeostrategjik dhe moda e prirjes shoqerore ne kohera te caktuara. Te rikujtoj se kur Anglia e Gjermania s' ishin gje tjeter vecse ca pyje te dendura me popullsi primitive eksportin e kultures dhe dijes ( dhe cdo gje tjeter) ishte hapsira Helene e gjer ne Persi.

Per nje perendimor, kultura e nje lindori, apo akoma me e kufizuar, kultura e Shqiptarit do ti dukesh gjithnje me e ulet apo me primitive persa kohe Perendimi do te gezoje me teper resurse ekonomike dhe rrjedhimisht standarte me te larta jetese se sa ato te Shqiptareve-lindor. Per fat te "keq" nuk po jetojme epoken e standartit lindor, si me te lartin, qe te analizonim edhe ne "perendimoret" me percmim e me lupen e botanistit ne xhungel. Me siguri do te na pershtireshe mentaliteti perendimor si popull i ftohte, racional (pa emocione) dhe kolonizator sic ka qene e eshte edhe sot. Me siguri, po te kishim ne Shqipot nje Studiues per Gjermanet, Anglezet e Francezet ne shekullin e 19-te do ti pershkruanim keta popuj si me mizoret dhe me kafsheroret e botes (e konsideronin zezakun si qenje kafshe e krijuar nga Zoti si argat i te bardheve) Prandaj o "lexues" i epur per dije koti, ktheje njehere pllaken e historise "si kur te kishte halla oqe?" dhe do te shikosh se jo cdo gje qe shkruhet sot si histori eshte edhe baze per psikollogji kulturash. Georg von Hahn nuk eshte gje tjeter vecse mungesa e nje Gjergji nga Hani i Hotit qe na ka munguar ne Shqipove sepse historia nuk ka qene kaq dashamirese me fatet tona!!!

Ne kemi interes te intergrohemi ne Perendim sepse perendimi xixellon me shume ne syte e kokat tona por te pakten mos na thuani se llogjika e mentalitetit Shqiptar qenka "absurde" sepse paska vecori qe nuk i ka perendimori. Po mos te ekzistonte perendimori me siguri qe edhe ligjet edhe debatet do ti adaptonim nga sjelljet tona, jam i sigurte se nuk do te na dukesh vetja kaq inferiore e kaq injorante sac na duket sot.

fakti qe dikush shkruan nje

fakti qe dikush shkruan nje koment te tille, eshte nje lajm i mire. :)

Add new comment