Në pritje të Gjykatës Kushtetuese

Postuar në 13 Shtator, 2014 04:36
Agron Alibali

Më 8 qershor 2014, populli i Kosovës votoi paqësisht dhe me qytetari për përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, kanë kaluar tre muaj dhe institucionet themelore të Republikës së Kosovës të mandatuara nga këto zgjedhje, gjegjësisht kuvendi dhe qeveria, nuk po ngrihen dhe nuk po funksionojnë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ende nuk ka shpallur arsyetimin e dy vendimeve të saj për këto çështje të rëndësishme.

Sikurse dihet, i pari në zgjedhje doli koalicioni i kryesuar nga PDK-ja, mirëpo kjo fitore i ngjan asaj të Pirros, pasi nuk u arrit shumica absolute prej 61 deputetësh për formimin e qeverisë. Normalisht, partisë apo koalicionit që ka shumicën relative i takon tagri për të marrë mandatin nga Kryetarja e Republikës dhe për të hulumtuar mundësitë e formimit të një koalicioni qeverisës. Nëse kjo është e pamundur, atëherë mandati i kthehet Kryetares, e cila ia kalon partisë së dytë në listë. Nëse as kjo nuk ndërton dot qeveri, atëherë  mund të bëhet edhe një përpjekje e tretë te partia tjetër e radhës. Parlamentarizmi mbështetet në parimin demokratik të shumicës. Vetëm kur nuk ka shpresë për krijimin e shumicës, mund të kryen sërish zgjedhje. Mirëpo, nëse partia e dytë arrin të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve nëpërmjet lidhjes së aleancave me partitë e tjera – çka duket se po ndodh - atëherë kriza quhet e zgjidhur dhe jeta politike rifillon normalisht në legjislaturën e re.

Për të qartësuar këtë moment, fill pas përfundimit të zgjedhjeve, Presidentja Jahjaga i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sipas njoftimeve të shtypit, më 30 qershor 2014, Gjykata Kushtuetuese e shqyrtoi dhe vendosi për çështjen KO103/14 dhe vendimin e arsyetuar do ta publikonte “në ditët në vijim”. Ende ky vendim nuk është botuar, por sërish sipas shtypit, Kushtetuesja është e prirur të rekomandojë zgjidhje të mirëprovuara nga praktika demokratike parlamentare nëpër botë, të përmendur më lart. Natyrisht, hapi tjetër thelbësor është konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Sikurse dihet, regjistrimi i të gjithë deputetëve të rinj u krye më datë 16 korrik 2014, dhe të nesërmen u mbajt mbledhja konstitutive dhe u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit. Megjithatë, për shkak të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, më 23 korrik 2014 u pezulluan të gjitha veprimtaritë e Kuvendit deri sa gjykata të shqyrtonte dhe të vendoste për mospajtimin. Sikurse matematika ka ligjet e veta, ashtu edhe drejtësia – paçka se nuk është shkencë e saktë - mbështetet në disa ligje dhe parime themelore. Një prej tyre është se “gjykatësi e shpall apo e zbaton ligjin, por nuk e bën atë”. Prej kësaj rrjedh se Gjykata e nderuar Kushtetuese e Kosovës nuk ka tagër të bëjë as Kushtetutë apo as ligje, dhe as të zgjedhë Kuvendin apo Kryesinë e tij, dhe as Kryeministrin. Nuk e vëmë në dyshim se gjykata i njeh mire detyrat dhe kufijtë e fushës së veprimtarisë vet, mirëpo në një vend të vogël si Kosova krijohet përshtypja e ndikimit të politikës në punën e saj. Kujtojmë se, për të shmangur çdo përshtypje ndikimi, gjykata përkatëse e Gjermanisë e ka selinë në Karlsruhe, mjaft larg pra nga selia e qeverisë dhe e Kuvendit. Më 22 gusht 2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më në fund shqyrtoi kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Edhe sot e gjithë ditën vendimi i plotë e i arsyetuar nuk është shpallur. Kuvendi i Kosovës, i përbërë prej 120 deputetësh, e ka kuorumin të barabartë me 61 deputetë (120 : 2 + 1).Duke qenë se 83 > 61, rrjedhimisht del se kuorumi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është formuar dhe se votimi ka qenë i rregullt, fakt që duket se pranohet edhe nga ajo Gjykatë e nderuar. Me të vërtetë, “Vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 05-V-001,” është “votuar nga 83 deputetë të Kuvendit, më 17 korrik 2014”, pranohet në njoftimin e saj për shtyp. Mirëpo, përmbajtja e njoftimit zyrtar nuk përcillet aq kthjellët sikurse pritej. Së pari, gjykata, me shumicë votash, dhe jo njëzëri, “konstaton mungesë kuorumi” në “mbledhjen dhe në procedurën e ndjekur nga kryesia pas pezullimit të seancës konstituive, më 17 korrik 2014”. Pra, në qoftë se këtë “konstatim” e kuptojmë qartë, duket se gjykata nuk e vë në dyshim kushtetutshmërinë e seancës konstituive, ku edhe u zgjodh kryetari i Kuvendit, por shqetësohet për veprimet e kryera nga kryesia “pas pezullimit të seancës konstitutive”, pra, pas zgjedhjes së kryetarit.

Pra, duket se gjykata mendon se kuorumi ka munguar në mbledhjen e parë të kryesisë së periudhës së pestë legjislative, mirëpo kjo nuk ka rëndësi themelore për ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës. Leximi i vëmendshëm i dispozitave përkatëse të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit nxjerr në pah këto elemente dhe momente thelbësore në lidhje me procedurën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit: së pari, kryesia përbëhet nga kryetari dhe pesë nënkryetarë, pra gjithsej nga 6 persona (Neni 67.1. i Kushtetutës). Pra, nënkuptohet se kuorumi formohet vetëm nëse ka të pranishëm katër anëtarë të kryesisë. Së dyti, aty përcaktohet tagri i propozimit, i zgjedhjes dhe i shkarkimit. “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi me? i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumice?n e votave te? te? gjithë deputete?ve te? Kuvendit”, qartëson Neni 67.2 i Kushtetutës. Kuptohet se, që të arrihet te momenti i zgjedhjes duhet normalisht të ketë propozime. Pyetja është e qartë: cili është grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, i cili propozon kryetarin? Kjo varet nga përbërja e grupeve përkatëse pas seancës konstituive. Nëse grupi më i madh parlamentar është i njëjti që ka propozuar dhe ka zgjedhur kryetarin, atëherë, në thelb, nuk ka kurrfarë konflikti. Një ndër ligjvënësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave, i lindur jo larg Kosovës, shpallte 15 shekuj më pare se “është detyrë e gjykatësit ta mbyllë punën e ditës brenda po asaj dite”. Një shembull është çështja Bush ndaj Gore, shqyrtuar nga Gjykata e Lartë të SHBA-ve në vitin 2000, prej nga varej fati i zgjedhjeve presidenciale. Për rëndësinë e veçantë të çështjes, gjykata amerikane e shpalli vendimin brenda 24 orëve nga mbajta e seancës dëgjimore.

Vonesa në zbardhjen e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndofta përcjell njëfarë ngurrimi apo vështirësie në arsyetim. Nuk do të habiteshim sikur të mësonim se vendimi i arsyetuar të mos ketë gjetur mbështetjen e shumicës, çka mund të sillte rikonfigurim të votave të gjykatësve. Gjithsesi, është detyrim i gjykatës të shqyrtojë, vendosë dhe shpallë pa vonesë vendimet e veta për çështje kësodore. Përsërisim, se po mbushen më tepër se nëntë javë që vendimi për emërimin e kryeministrit ende nuk po shpallet dhe ka gati dy muaj qysh kur Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Kryetarin, dhe prapë Gjykata Kushtetuese nuk e ka shpallur vendimin e saj. Koha nuk pret. Populli i Kosovës e tha fjalën e tij me zgjedhjet e 8 qershorit. Nuk ka pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta hedhë poshtë këtë verdikt dhe as ta vonojë fjalën e saj në përputhje me Kushtetutën dhe me parimet e përgjithshme të së drejtës.

"Shekulli" 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.