Pas paqes fetare, na duhet paqja politike
Bashkëjetesa dhe toleranca kanë qenë fjalët më të përdorura javët e fundit, në vigjilje e sidomos gjatë ditës së vizitës së Papës në Shqipëri.... Që në krye dua të them se ne gabimisht kemi përdorur në të njëjtin kuptim fjalën “tolerancë” me fjalën “bashkëjetesë”. Edhe në qofshim një shoqëri tolerante, duhet të dimë se në këtë rast kjo fjalë nuk është në vendin e saj, pasi “tolerancë” do të thotë që një bashkësi njerëzish ushtron diktatin dhe tjetra e toleron, apo që një individ është më mistrec dhe tjetri e toleron. Pyetja që mund të bëjmë është nëse jemi ne një shoqëri tolerante apo jo? Edhe pse në tërësinë e saj shoqëria përbëhet nga individë të mirë e të këqij, të dhunshëm e të paqtë, mundet edhe të thuhet pa u menduar dy herë se shoqëria jonë nuk është tolerante. Kronologjia e ngjarjeve kriminale tregon se në shoqërinë tonë janë vrarë e vriten njerëz, pasi grinden duke mbajtur radhë (të mbash radhë është një tregues qytetarie), janë vrarë e vriten për një vend parkimi makine, për një gërvishtje makine, për një prekje me bërryl duke ecur në rrugë…. Madje edhe grindjet, pra sherret e rëndomta mes të rinjve, nuk përfundojnë me një përleshje me grushte ku dikush, apo njëra palë mund të dalë e fituar e njëra e humbur. Jo, konflikti që mund të nisë për një çështje krejtësisht banale në rrugë apo në një lokal, mund të vazhdojë me muaj derisa të prodhohen viktima.
Në shoqërinë tonë ka ende syresh, madje ca si shumë, (histori gjakmarrjesh e hakmarrjesh) ku mëria lihet me testament brez pas brezi, e trashëgohet si pasuri e patundshme. Mungesa e tolerancës demonstrohet fuqishëm edhe te klasa politike (madje më shumë), të cilën e akuzojmë shpesh se me sjelljen e saj nxit dhunën në shoqëri. Në këtë kontekst ne jemi një shoqëri nervoze dhe ekspresive tej çdo limiti. Aseti i madh i bashkëjetesës fetare, më shumë sesa produkt i tolerancës mund të jetë produkt i pandjeshmërisë, apo më saktë indiferencës fetare. Këtu e kam fjalën për atë lloj bashkëjetese, e cila ka bërë që në shoqërinë tonë as kur dashurohesh, as kur martohesh, as kur bën biznes, as kur punëson dikë, as kur futesh në shoqërinë e dikujt, nuk pyesim se i cilës fe është personi me të cilin jemi duke vendosur këtë marrëdhënieje. Kjo ka bërë që edhe brenda së të njëjtës familje të ketë të paktën dy besime fetare. Kjo nuk ndodh kaq rëndom në shoqëritë konservatore apo ato ku ekstremizmi po shtrin rrënjët në mënyrë të frikshme.
Duhet të jemi të qartë, se kjo nuk është pasojë e tolerancës, por më e pakta e indiferencës, apo shkallës së ulët të besimit. Por kjo nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që kjo lloj paqeje fetare sot është reale në Shqipëri dhe ky është një aset i çmuar, të cilin me vizitën e fundit të Papa Françeskut, ne ditëm ta marketojmë mrekullisht. Pavarësisht arsyeve, bota është e etur për të tilla bashkëjetesa mes feve, pasi sot ka vatra të nxehta e luftëra ku, në emër të fesë, priten koka dhe groposen njerëz për së gjalli, apo bëhen ekzekutime që tejkalojnë ato të periudhës së para Krishtit. Bota ka nevojë për shembuj të tillë dhe ja ku jemi ne, një nga më të mirët që ajo mund të kërkojë në këtë drejtim. S’do guxoja dot të parashikoja nëse me rrënjosjen më tej të besimit fetar, veçanërisht atij islam, indiferentizmi fetar do të vazhdojë të garantojë këtë harmoni që kemi sot. Por uroj dhe shpresoj që ky mjedis të ruhet në të ardhmen.
Megjithatë, problemi që dua të ngre më tej nuk është fetar, por thellësisht social dhe politik. Siç e theksova më lart, ne nuk jemi një shoqëri tolerante. Pasi, ndërsa nuk duam t’ia dimë se i cilës fe është ai me të cilin bëjmë krushqi apo pimë raki, ne kemi treguar se i kemi prishur krushqitë dhe jemi vrarë për shkak të bindjeve politike. Ne mund të krenohemi natë e ditë me paqen fetare, por është për të vënë kujën që kemi arkivuar akte dhune e krime për shkak të ndasive politike. Ndërsa krenohemi se jetojmë në paqe fetare dhe myslimanet e ortodoksët dalin në shesh të përshëndesin Papën, ne duam taborrë me policë për të ruajtur sigurinë e mitingjeve nga antimitingjet. Mbaj mend angazhimin e stërmundimshëm të policisë kur PD-ja dhe PS-ja ndanë, në të njëjtën kohë, përkatësisht sheshin “Skënderbej” dhe sheshin “Nënë Terza” për mitingjet e tyre disa vite shkuar. Shoqëria shqiptare, intolerante dhe në paqe fetare, sot është në krizë të madhe sociale për një mijë arsye. Të gjitha qeveritë dhe e gjithë klasa politike shqiptare rreh gjoksin për paqen fetare, por është detyrë e saj të punojë së pari për paqen sociale. Ekstremizmin fetar ne e kemi zëvendësuar me ekstremizmin politik.
Në rrjetet sociale ne nuk shikojmë të grinden muslimane me ortodoksë e katolikë, por shikojmë të shahen e ofendohen në mënyrën me vulgare të mundshme demokratë e socialistë. Ndërsa nuk ka dhunë verbale për arsye fetare, ka një dhunë verbale të egër për arsye politike. Padyshim që ky është tregues i intolerancës së shoqërisë, pra të individit si përbërës i saj, por është edhe produkt i përçarjes që ka mbjellë politika në këto 23 vjet pluralizëm. Ndaj dhe është detyrë e saj ta “predikojë” këtë paqe para se të krenohet me paqen dhe bashkëjetesën fetare.
"Gazeta Shqiptare"
Comments
Zoti Mentor shpreh ate qe

Zoti Mentor shpreh ate qe eshte e vertete ne Shqiperi dhe qe shumica nuk e pranojne qofte per mode dhe per me teper per hipokrizi te shemtuar.-"Aseti i madh i bashkëjetesës fetare, më shumë sesa produkt i tolerancës mund të jetë produkt i pandjeshmërisë, apo më saktë indiferencës fetare.... Duhet të jemi të qartë, se kjo nuk është pasojë e tolerancës, por më e pakta e indiferencës, apo shkallës së ulët të besimit.".

Shqiptaret nuk besojne dhe nuk e kane idene cfare eshte feja. Po mar vetem nje shembull nga mesha e Papes, diten e diele. Megjithese pastoret qe u shperndane ne turme duke bere kungimin, theksonin se duhej te kungoheshin vetem ata besimtare qe jane rrefyer dhe falur mekatet para zotit te krishtere, shumica e atyre qe u kunguan, pa e ditur se cfare po benin, ishin myslimane. Tani keta ose nderruan fene, ose sipas kurhanit tani e tutje jane te mallkuar.

Ose te marrim politikanet. Sa vjet kane politkanet, me origjine fene myslimane, pa hequr kepucet per te hyre ne xhami? Politikanet me perkatesi ortodokse a shkojne cdo te diele ne kishe per te ndezur nje qiri dhe sa vite kane pa u rrefyer? Ja pra hipokrizi ne shkallen siperore dhe qe nuk duan ta pranojne. Jane te gjithe ateiste dhe kjo nuk eshte nje blasfemi per ditet e sotme. Ata nuk besojne ne fe, por besojne ne vlera te tjera, ose sic thekson edhe Kushtetuta jone, Vlera te tjera Universale.

Une ua mirekuptoj deshiren e

Une ua mirekuptoj deshiren e mire ketyre gazetareve me keto thirrjet per paqe politike. Po mire eshte qe dikush heret a vone tu thote qe jane edhe pak naive, ne mos budallenj.

"Paqe politike" ka vetem ne vendet diktatoriale, aty ku nuk diskutohet e nuk kundershtohet asgje. Vendet demokratike jane ne nje lufte konstante politike dhe ketu nuk ka asgje te keqe. Interesat e grupimeve te ndryshme perballen ne arenen publike. Shihni pak se me sa veshtiresi qeverisin Obama dhe Cameron sot, kane sa e sa individe qe i kundershtojne, i bllokojne, i bejne referendume. Asgje nuk eshte e paqte dhe e heshtur, perkundrazi.

Per me teper historia politike shqiptare tregon qe rastet kur partite bien dakord nuk jane aq pozitive, si psh Kushtetuta dhe ndryshimi i saj.

Add new comment