“Pax Albanica” e Mustafa Nanos dhe vizita e Papës
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4163_u2_agrongjekmarkaj_0.jpg?itok=eaMTGsuD)
"Pax Albanica”, libri i fundit i Mustafa Nanos flet për marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri. Vizita e Papa Françeskut dhe triumfi i saj kanë shfaqur para nesh një Shqipëri befasuese. Gjithë sa ndodhi çon ujë edhe në mullirin e M. Nanos. Një sërë hipotezash të shfaqura në këtë tekst që ka luajtur me zjarrin pa i fryrë atij u vërtetuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, disa të tjera jo.
Cilat janë ato? Nuanca të tyre shfaqen edhe në këtë shkrim, por më të qarta janë te “Pax”. Deri tani “Pax Albanica” është ruajtur duke heshtur së paku nga Pavarësia e këndej, tani e mbrapa mund të ruhet edhe duke folur me ngjan të thotë Nano që në krye. Një bibliotekë të madhe historie dhe albanologjie ka shtrydhur që të na mbushë mendjen për këtë. Kush e njeh autorin e di që nuk do ta bënte gjithë këtë punë për të qenë krejt dakord me ta, disa syresh të mbushur me famë, a për të thelluar vazhdën e mendimit të tyre!
Jo, shpesh i analizon për të mos qenë dakord, nganjëherë për t’i qesëndisur dhe herë tjetër papritmas për t’u bashkuar me ta pa mëdyshje, por pa anashkaluar pothuaj asnjë që këtë problem e ka pasur objekt hulumtimi. Gjithë kjo marrëdhënie nevoje pozitive e negative i shërben për të trajtuar atë që konsiderohet problemi më delikat i botës shqiptare - Pluraliteti i Feve. Si nga të krishterë u bëmë edhe muhamedanë? A jemi të gjithë në shtëpinë tonë apo ndokush na është bërë zot shpie?
Pyetje jo të lehta për arsyen e thjeshtë se përgjigjja i lë të gjithë nga pak të pakënaqur.
Nano merret me thelbin e problemit, konvertimin dhe ndryshimin demografik të raporteve me ndikimin e tij te forma që është realiteti shqiptar në epoka të ndryshme historike. Siç e perceptoj unë, feja ose fetë shikohen prej tij brenda disa proceseve historike, të cilat bëjnë të mundur që religjionet universale të marrin karakteristika etnike dhe krahinore.
Duket se shqiptarët e Mustafa Nanos nuk përshtaten me besimet, por i përshtatin ato duke përfituar nga ky veprim kohezion nacional dhe diversitet shpirtëror aq sa për të, të gjithë janë në vendin e tyre.
“Pax Albanica”, i cili rri mes esesë dhe tekstit akademik, përfiton nga statusi i librit të ndërmjetëm për të mos qenë politikisht korrekt si i tillë më i dobishëm e grishës për lexim. Historianët “zyrtarë” edhe çmeriten prej “blasfemive”, të tjerë që pa lokalizma nuk jetojnë do të kënaqin midenë, ndërsa ndonjë tjetër zemërohet me potere.
Disa nivele e rrethojnë objektin e studimit - Fenë dhe raportin e shqiptarëve me të dhe mes tyre.
Niveli-Subjektiv, etik dhe intelektual me interpretime personale të dokumenteve historike me përsiatje etike e metafizike produkte të edukimit, shenja fëmijërie, rrëfimeve krahinore e familjare, perceptime të huajsh mbi ne. I ati i Nanos quhet Selam e vonë e ka marrë vesh kuptimin, d.m.th. në prag adoleshence e nga ai shpjegim ka përftuar “leksionin” e parë mbi islamin, ndonëse nga e vona e thotë qartë se ai i ka bërë “selam” fesë, të gjithave duke u ndier si zotni veshur me laicitet që mbërrin deri në agnosticizëm.
I dyti është niveli objektiv e praktik, që detyrimisht e ka çuar Nanon të hulumtojë mbi natyrën e funksionimit së jashtmi të religjioneve, duke marrë në analizë rite, kulte kolektive ose pjesërisht të tilla; përmend ai Kishën e Shna Ndoit dhe impaktin që ka mbi të krishterë e muhamedanë, e njëjta gjë i vlen edhe për Tyrben e Abaz Aliut. Misteri i nderimit dhe besimit që i lidh shqiptarët me to, pavarësisht përkatësisë fetare, i shfaqet si vetëdije e turbulluar me disa shtresa. Qytete si Shkodra i mbledh aq sa si enë kristali i duket nga ku shquan dallimet dhe përpjekjet për bashkëjetesë. Aty s’ka ligjërata harmonie, por evidentim përplasjesh, mërish, kurthesh e shfryrjesh, por edhe triumf mendjesh të iluminuara. Lidhjen shqiptare të Njeriut me Zotin e sheh si përvojë e të tjerëve në drejtim të tij, por edhe të tijën ndaj të tjerëve. Kot e ka që i rri kaq larg Zotit se me sa shoh unë, ai i rri mbi kokë qoftë në formë pikëpyetjesh a dilemash.
Një tjetër pamje a nivel është ajo social e moral i këqyrjes së problemit nga i cili del se ndonjëherë për punë feje shqiptaret e kanë çuar dorën në silah siç thotë Fishta, janë urryer e zemëruar, kanë fyer paq njëri-tjetrin dhe me zell kanë ngritur pusi. Atë që nuk e thotë Mustafa Nano, nuk heziton ta thotë Pjetër Bogdani në letrat që i dërgon Vatikanit në kohën e tij. Kjo pamje nuk i rezulton dominante, por jo e papërfillshme. A e kanë përdoruar shqiptarët fenë në kuptimin e përfitimit? Mua më duket se Nano thotë Po? A janë besimtarë shqiptarët? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e ka më të vështirën.
Ndoshta privatisht autori mund të përgjigjet - me raste! A duhet të kthehen shqiptarët në fenë e të parëve? Jo, faleminderit, Liria dhe laiciteti duket sikur thotë Nano e tejkalojnë këtë problem. Laiciteti është kusht për bashkëjetesë në mënyrë që besimi të mos shndërrohet në ligj, në mënyrë që ky ligj të ndalojë besimin e tjetrit. Çdokush prej nesh ka të drejtë të bëjë jetën që dëshiron në besimin që zgjedh, pa përjetuar vështirësinë e të ndjerit në kontrapozicion është mesazhi i nëntekstit.
Intelektuali duhet të jetë moralisht më i miri i kohës së tij, gjykon Fihte!
Ngatërrestarë, qejfmbetur, nopranë e plot vetave i shfaqet elita shqiptare Nanos, por kjo, sipas tij, s’i pengon ata të jenë si bashkësi laikë e proeuropianë meqenëse scripta manet nuk e shkruan, por e nënkupton se edhe moralisht ata ishin më të mirët. Formulën ideologjike “feja e shqiptarit është shqiptaria” që rilindësi Vaso Pashë Shkodrani e la si zgjidhje, si kompromis, si kod heshtjeje që nuk duhet cenuar n.q.s. duhet të mbijetojmë së bashku, ai e destrukton.
Nano flet e cenon, por për të shkuar në origjinë të problemit, duke mbërritur në kohën e formulimit të saj dhe të nevojës për të duke analizuar me po aq frenetizëm përdorimin dhe dobinë në rreth 120 vjet. Autori argumenton në këndvështrim sociologjik dhe për të ripohuar vlefshmërinë dhe aktualitetin e saj si koneksion me laicitetin e shtetit. Ndryshimi? Hajde të flasim duke vënë në diskutim çdo gjë. Të shkojmë në modernitet te formula nga vetëdija jo thjesht nga nevoja. Përmasë iluministe! E kemi? Mbetet për të parë! Mustafa Nano nuk ngurron të shpërndajë peshqeshe duke i dhënë Zotit çfarë është e Zotit e shqiptarëve çfarë është e tyre, bashkëjetesën, pranimin e njëri-tjetrit, rrezikun nga lehtësia e manipulimit dhe konstatimin që nuk jemi as shenjtorë e as djaj në këtë histori, por njerëz që e kemi përballuar historinë siç kemi mundur dhe ditur. Tashmë ajo, historia, nuk bëhet me ndoshta e sikur. Kështu e kemi. Ta gëzojmë e të mos rënkojmë. Përpara kemi të ardhmen, dhe jo të shkuarën.
Ka disa gjëra në “Pax Albanica” me të cilat nuk jam dakord, madje aspak, kjo për arsyen se nuk ndihem padron i historisë, por derisa ta kem këtë padronancë, nuk mund t’i them Mustafa Nanos e ke gabim.
Duke e mbyllur gjykimin tim, një vërejtje e kam, e cila si çdo gjë e kësaj bote, është e diskutueshme. Më shtihet se ndonjëherë Mustafa Nano i jep përparësi autoreferencialitetit pa gajle sesa referencës historike, guxim prej publicisti ky! Përdorimi dialektor i foljeve kishte e ishte në kish e ish, ndonëse impakt dialektor për të, për redaktorët është faj. Nuk e di, ndoshta kjo i vjen nga vetëdija kulturore që i bën lakonikë kufijtë e modestisë apo për faktin se Mustafa nga arabishtja do të thotë i përzgjedhur nga Zoti?
Kjo vërejtje është edhe komplimenti im për origjinalitetin e këtij teksti. “Pax Albanica” e emocionoi Papa Bergolion, funksionoi, por nuk do të vonojë të shfaqë edhe dritëhijet e veta, shtiratjet etj., etj., që Nano i ka konstatuar përgjatë historisë! Një pyetje mbetet për Mustafa Nanon: A e ka menduar ndonjëherë që në një meshë papnorë të kishte rreth njëqind e pesëdhjetë mijë myslimanë shqiptarë? Mos “Pax Albanica” po ndërtohet mbi raporte të reja?
Marrë nga Panorama
Comments
Mbi raporte te reja? kthim te

Mbi raporte te reja?

kthim te feja e te pareve do te thoni??? aty u rreh mendja apo jo Gjekmarkaj?

Pavaresisht se c'thote

Pavaresisht se c'thote Gjekmarkaj, nuk me duket se ka ndonje te keqe te kthehesh ne fene e te pareve, sikurse nuk ka ndonje te keqe te rrish ne fene e te dyteve. Fundja, fundja kjo eshte edhe ideja themelore e tolerances fetare jo vetem ne Shqiperi por kudo....toleranca mbaron atje ku fillojne bombat dhe kokat e prera....

Jazek jazek jazek Agron, ti

Jazek jazek jazek Agron, ti keke marre besa boll me punet e dovletit, bre burre!

Ore, po ata 150.000 myslimanet shqiptare ne meshen papnuere a mos i ke pa ne anderr, apo ne nje zhgjander kadareane?

Si bre burre shkon e ban pyetje te tipit "mos pax albanica po na ndertohet ne raporte te tjera"? Se na e ke mbyll gojen te taneve me kaq mprehtesi intelektuae si ke demonstrue ne keto shkrimet e fundit... Raportet jane vendos njehere, nuk diskutohen ma, kush bashkepunoi me fashistet kurre s'ka me ken shumice n'ket vend. Pse, mos na ka lan mendt ne bizantino-otomanet me ia dorezue Shqypnine nje fashisti te kompleksuem te sojit tand?

E mbaje vedin, se nuk qan burri ne publik nga halli se nuk e lexon kush, tuj u qa gazete me gazete te Saliut.

Do degjohemi, simpaticone, ban vaki edhe shikohemi ne ndonje salle gjyqi, meqe na kishe kujtue per tipa koti ne komentuesve te Pejsazheve.

deleted
deleted
Add new comment