Serbët po fitojnë trepikëshin në PR!

Postuar në 17 Tetor, 2014 05:23
Arben Manaj

Shprehja: “Sa të dalë e vërteta, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës”, m’u kujtua tek bisedoja sot me një avokat anglez, i cili natyrshëm për episodin në Beograd, kishte mësuar nga shtypi dhe dinte për dronin e telekomanduar dhe “arrestimin” e vëllait të Kryeministrit shqiptar e asgjë tjetër.

Nuk dinte se ishin rrahur keqas lojtarët shqiptarë apo që serbët kishin hyrë në fushë me në krye Bogdanovin, si në kohët e vjetra të huliganizmit anglez, e që ende me sa duket nuk është arrestuar nga autoritetet serbe apo për sharjet raciste në kor “vrisni shqiptarët”, si dhe djegien e flamurit të Nato-s.

Fatkeqësisht për ne e fatmirësisht për ata, duket se serbët njëlloj si në rastin kur dy veta zihen dhe shkojnë në polici për të raportuar veprën penale, kanë aplikuar parimin “ai që paraqitet i pari, atij i shërbehet”.

Edhe pse mëkatarë të vetëdijshëm, nga mënyra sesi ata reaguan në betejën për mendjet dhe publikun botëror, janë impresionues në pafytyrësinë e tyre, dhe duhet pranuar se na kanë out-smart-ur, ose na kanë mundur në këtë fushë përmes zgjuarsisë dhe malinjitetit.

Në ditën e parë dhe ato që pasuan, në mediat e mëdha botërore, në mungesë të versionit të plotë shqiptar, ka mbizotëruar versioni serb i ngjarjes.

Gjetja e arrestimit fiktiv të Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit, siç do të ishte i çdo kryeministri të vendit që do ishte hipotetikisht përfshirë në një ngjarje të këtillë, do të ishte mjaft tërheqëse për editorët e lajmeve në çdo institucion mediatik, televiziv apo online. Dhe serbët e shfrytëzuan mjeshtërisht këtë gjë.

Madje edhe zyra e Kryeministrit serb arriti të ketë akses mediatik në rrjete të rëndësishme dhe influencuese botërore, si CNN apo gjetkë, ndërkohë që institucionet e Shqipërisë politike dhe atyre të futbollit, më shumë merreshin me demonstrimet dhe menaxhimin e pasioneve spontane nacionaliste për publikun shqiptar.

Ndërkohë që do të duhet të ndodhte e kundërta ose paralelisht me të, edhe ofensiva mediatike dhe e PR për median dhe opinionin botëror.

Është fatkeqësi që Kryeministri Rama, edhe pse komunikoi në Twitter, dhe u shpreh te “Zëri i Amerikës” në shqip, me gjithë respektin, kurrsesi nuk është e njëjtë me efektin që do të kishte qasja ndaj mediave të mëdha amerikane e përmes tyre më tej nëpër botë, aq më tepër që fizikisht ishte edhe në Amerikë.

Dhe këtu do të duhet të ketë diçka që çalon me mënyrën sesi bëhet PR ndërkombëtar i Shqipërisë.

Në rastin e ngjarjes në Beograd, aq më tepër kur ka me vete edhe të vërtetën dhe pamjet shokuese që e vërtetojnë atë, Shqipëria u tejkalua nga Serbia, çka dëshmon se janë më të sofistikuar në djallëzi apo zgjuarsi, në varësi të këndvështrimit sesi e shikon ofensivën mediatike dhe atë të marrëdhënieve në publik të instancave serbe.

Është pikërisht kjo ofensivë që bën që edhe figura të njohura të sportit botëror të bëjnë deklarata të çuditshme dhe dukshëm të jenë bindur nga argumenti serb dhe jo ai shqiptar.

Kam parasysh prononcimin e epitomisë së korrupsionit në qeverinë botërore të sportit, Sep Blater, që vetëm Dejvid Bekham iu kundërpërgjigj me thënien brilante se “edhe ato që thua ti, duhen dënuar”.

Fakti që Shqipëria reagoi me vonesë, humbi impaktin e menjëhershëm mediatik, pasi lajmi do të kishte interes për editorët në ditën e parë, pasi më pas, vetëkuptohet që gjërat veniten.

Kjo tregon se ne ende si vend, jemi më pak të sofistikuar në PR ndërkombëtar dhe forumet ku aplikohet dhe formohen opinionet ndaj vendit me ose pa të drejtë.

Kjo po ashtu demonstron se PR është në dorë të një individi apo zyrtari, qoftë edhe më i larti në vend, dhe nuk ka një sistem të aplikuar specialistësh që do të duhet të kenë hundë të hollë dhe të jenë me mjekër, jo domosdoshmërish fizike, për kësi situatash.

Serbia adaptoi parimin “sulmi është mbrojtja më e mirë”, ndërkohë që Shqipëria dukej se ishte në delir dhe fjeti për orë të tëra, ndërkohë që gënjeshtra serbe kishte bërë xhiron e botës.

Imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur, nëse e gjitha skena e Beogradit do të kishte ndodhur në “Elbasan Arena” dhe do të kishim ndërruar vendin me serbët.

Edhe UEFA madje, do e kishte marrë vendimin menjëherë ose brenda vetëm disa ditësh, siç pritej gjerësisht nga specialistët.

Ndërkohë në rastin e Shqipërisë, ka filluar të bëjë diplomaci sportive dhe sci-fiction si kreu i saj, duke futur në një thes mëkatarin e viktimën dhe parandjenja e frika ime është se presioni mediatik dhe deklaratat e udhëheqësve serbë dhe agresiviteti i tyre, kanë ushtruar presionin e nevojshëm dhe të dëshiruar për ta në këto instanca.

Nuk habitem nëse Shqipërisë nuk i jepet fitorja në tavolinë, që do të duhet t’i jepej çdo vendi tjetër vetëm për çerekun e asaj që ndodhi, por Serbia po luan politikë dhe po e luan mjaft mirë kartën e gogolit nacionalizëm për stabilitetin në gadishull.

Fakti që vizita e Kryeministrit shqiptar, e cila, për mendimin tim, do të duhet të anulohej në rrethanat e reja të krijuara, deri në një moment të dytë më oportun, do të duhet të shtyhej, edhe për faktin se një ditë pas saj, më 23 tetor, do të jepet vendimi për ndeshjen nga UEFA.

Për çdo njeri që ka pak haber nga politika e diplomacia do të jetë një vendim as mish as peshk, duke shfrytëzuar edhe faktin se dy qeveritë, nëse Rama shkon në Beograd, do të duket se po ndërtojnë ura, edhe pse pa qereste.

Qoftë edhe për këtë arsye vetëm, Rama nuk duhet të jetë në Beograd, pasi do të justifikonte indirekt atë që demonstruan serbët në Beograd ndaj atyre që mbrojtën flamurin në fushë, edhe pse jo atë zyrtar të kombit.

Përndryshe ai nuk do të ishte në sintoni me sentimentet momentale të qytetarëve dhe bashkëkombësve të tij, përpara të cilëve është llogaridhënës politikisht, në fund të fundit.

Kjo nuk do të zhbëjë asesi angazhimin e Shqipërisë zyrtare për të ndërtuar një Ballkan të ri politik postkonflikt, me sponorizimin e fuqishëm gjerman.

Ato që Rama dhe Shqipëria do të arrinte në sytë e politikës botërore do të eklipsoheshin nga një vizitë më 22 tetor, datë e cila nuk është oportune politikisht dhe diplomatikisht, por mbetet potencialisht konstruktive dhe diplomatikisht e sofistikuar po aq sa përpara dhunës fizike në Beograd dhe asaj mediatike e politike në postndeshje nga qarqet më të larta politike të shtetit serb.

Edhe nëse nuk ua marrim dot trepikëshin serbëve në futboll, të mos na e marrin të paktën në politikë e diplomaci përmes PR të tyre, që për momentin rezulton më efektive se ai shqiptar, praktikisht.

“Shqip”

Comments

Submitted by edi (not verified) on

I nderuar Arben Manaj!

Jam ndarkot deri diku me analizen tuaj ne lidhje me PR serb per ndeshjen por un do te thoja qe eshte me mire te ndertosh nje dosje te mirefillte me fakte qe i pa gjithe bota live per te fituar betejen ligjore perballe Serbise duke ia imponuar nje vendim te drejte per ndeshjen.

Ne qofte se UEFA do te merrte nje vendim pro Serbise do ti krijonte shume aleate Shqiperise ne rradhet e federatave , klubeve, trajnereve dhe lojtareve (vecanerisht nga English FA) kundrejt te korruptuarve Blater dhe Platini ne prag te zgjedhjeve per FIFA.

Submitted by Lira (not verified) on

Shume i goditur ky artikull dhe shume real.  Shpresoj te shkoje ne veshin e duhur

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.