Disa llogari për vizitën e 10 nëntorit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4801_skender-minxhozi-e1357845728822.jpg?itok=a52FTfhs)
Një përfaqësues në zë i shoqërisë civile serbe deklaronte pardje se shtyrja e vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi shënonte de factofitoren e forcave radikale, të cilat nuk e duan një takim Vuçiç-Rama në këtë moment. Nenad Xhurxheviç i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, deklaroi se shpreson që kjo pengesë të bjerë së shpejti, nga vullneti i dy kryeministrave për t’u takuar. Konstatimi i Xhurxheviç i përket asaj sfere të opinionit publik në dy vendet, që beson se distanca dhe mostakimi në një moment të vështirë si ky, është shumë i keq sesa ballafaqimi sy në sy. Zëra si ai i Xhurxheviç, apo edhe i ish-presidentit Tadiç, shënojnë triumfin e arsyes, edhe në një terren që ne shqiptarët e kujtojmë si të “shkrumbuar” aktualisht, nga vlaga e verbërisë nacionaliste.
Jo vetëm kaq. Para tri ditësh, Vuçiç i ka telefonuar Ramës. Mes tyre ka lindur një bisedë e gjatë, e cila raportohet shumë më e gjallë, më e lirshme dhe më e shpenguar sesa do të mund ta përfytyronim rëndom një bisedë mes dy kryeministrash të dy vendeve që konsumuan një luftë të vërtetë verbale në harkun e një jave.
Por diferencat e thella dhe ajo që pamë në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit nuk tejkalohen me një telefonatë. Duhet shumë më tepër se kaq. Mund të thuhet me plot gojën se mes serbëve dhe shqiptarëve ka sot aq shumë paragjykim e mosbesim, saqë dy vendet nuk janë në gjendje ta durojnë njëri-tjetrin përballë, as sa për një gjysmë ndeshjeje. Domethënë, për treçerek ore.
Kanë qenë të shumtë zërat, këto ditë, që i kanë kujtuar UEFA-s, se duhet të kishte bërë me Serbinë dhe Shqipërinë atë që bëri me Spanjën dhe Gjibraltarin, ose me Ukrainën dhe Rusinë. Por politikanët respektivë, në të dyja vendet, kanë marrë përsipër (të paktën me fjalë), detyra shumë më të rënda sesa ajo e Mishel Platinisë, për të mos futur në një grup futbollistët serbë dhe shqiptarë.
Vizita e 22 tetorit, që tashmë është shtyrë për më 10 nëntor, është një sfidë ndaj të gjitha atyre elementeve që krijuan stuhinë perfekte të 14 tetorit. Duke shtyrë që takimi të bëhet, pala shqiptare ka pasur strategjinë e qartë se fusha nuk u duhet lënë e lirë atyre që mendojnë se mes Tiranës dhe Beogradit mund të ketë vetëm katapultime flamurësh nga ajri, kacafytje nëpër stadiume, dhunë të skajshme verbale dhe deklarata politikanësh që flasin si tifozë të këqij futbolli. Një logjikë solide, e cila duket se fitoi.
Por nën këtë shtresë vullneti të mirë formal dhe parimesh të shëndetshme, të dyja palët, Tirana zyrtare dhe Beogradi zyrtar, kanë luajtur vërtet vetëm 41 minuta futboll, por kanë bërë shumë minuta dhe orë të tjera politikë, propagandë, lëvizje taktike dhe llogari me laps në dorë. Ky është ndoshta edhe aspekti më intrigues që la pas ndeshja e Beogradit.
Teksa shprehet se e shkuara nuk do të marrë peng të tashmen dhe të ardhmen në Ballkan, Edi Rama po përsërit në fakt një frazë me të cilën ka luftuar për tetë vjet në opozitë panelin e vjetër politik të Tiranës, me në krye Berishën. Ndërkaq, rezistenca e Kryeministrit shqiptar për të mos u tërhequr nga vizita në Beograd, as në orët më të këqija pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, ka nga pas një kalkulim të ftohtë, i cili synonte dhe synon që ta nxjerrë palën serbe si rrënuese të shanseve për dialog dhe normalitet në rajon. Një përllogaritje që e ka vendosur Edi Ramën, në ditët e fundit, në një pozitë gjithnjë e më komode, karshi klasës politike serbe, e cila u mundua ta kompleksojë kreun e qeverisë shqiptare edhe me goditje “poshtë brezit”, siç qe fabula qesharake me vëllain e tij Olsi Rama. Me vizitën e 10 nëntorit, rezultat i një ndërmjetësimi të fuqishëm amerikano-gjerman, Rama mund t’i gëzohet një fitoreje politike jo të vogël në planin ndërkombëtar, por edhe në planin e brendshëm, ku opozita e djathtë u investua jo pak, për anulimin e vizitës në Serbi.
Në anën serbe, Vuçiç, Nikoliç dhe Daçiç kanë gjithashtu rolet e tyre për të luajtur në këtë teatër politik. Nëse i gjithë stadiumi i Partizanit mallkoi shqiptarët, gjysma e tij mallkoi gjithashtu edhe Kryeministrin Vuçiç. Fitimtar i bujshëm në zgjedhjet e fundit politike, Vuçiç e di fort mirë se nacionalizmi serb mund ta bëjë shumë të rrëshqitshëm terrenin për elitën politike të vendit. Duket qartë se ai po mundohet t’u dalë përpara problemeve që ka në shtëpi. Sa i përket ministrit të Jashtëm Daçiç, logjika e momentit bëhet edhe më delikate, pasi atij i duhet të ruajë kuotat politike të dëmtuara rëndë gjatë zgjedhjeve të fundit. Nuk ka qenë e rastit që deklaratat e Daçiçit (i cili sot pret në Beograd jo një, por dy ministra shqiptarë, Bushatin dhe Hoxhajn), kanë qenë më të ashpra se ato të Vuçiçit.
Lidershipi serb e kupton se vala e nacionalizmit agresiv, që pasionoi shkallët e stadiumit të “Partizanit” të Beogradit, mund të hedhë në erë jo vetëm të ardhmen e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe vetë politikën serbe. Prandaj deklaratat që vijnë nga kryeqyteti serb duhen dëgjuar me shumë skepticizëm këto orë. Është i gjithi një teatër politik, i bazuar jo më mbi pasionet e gjysmë-ndeshjes Serbi-Shqipëri, por mbi taktikat politike që secili i luan sipas interesit në shtëpinë e tij.
"Shqip"
Comments
OK, le te mos na rrembeje
<p>OK, le te mos na rrembeje emocioni dhe ti kthejme gjerat te gjitha permbys. Se pari ndeshja e Beogradit, ishte ndeshje futbolli dhe jo referendum politik ne Serbi. Nje ndeshje futbolli qe u anulua sepse ca huligane hyne ne fyshen e lojes dhe filluan te hedhin karrige mbi lojtaret. Cfare tjeter prisnim nga Ivani & Co. Por eshte gabim te thuash se shumica e heshtur serbe jane te verbuar nga urrejtja per shqiptaret. Une mendoj se serbet jane njerez si ne, kane halle e papunesi, duan te ushqejne kalamajte e derri dje mbanin njelloj si ne rradhe para ambassadave per te marre nje cope vize te vizitoheshin tek mjeku. Serbet e thjeshte nuk ka mundesi te jene aq te marre. Ne stadium ne pame shtresen me te ulet te serbeve- kjo eshte e gjitha. Se dyti, tonet nacionaliste dihet qe jane te demshme dhe jane trashegimi e te kaluares historike deri ne njefare pike (lufta ne Kosove) por me shume e se kaluares asaj folklorike. Une kuptoj sesi banoret e Kosoves, serbe dhe shqiptare te kene ndienja te forta ndaj njerezve me te cilet jane vrare me vite - keto jane plage qe nuk mbyllen kollaj (nuk ka rendsi kush pati faj se emocionet nuk pyetin per logjike). Ndersa banore te Serbise se thelle behen nacionaliste nga kolltuku i shtepise thjesht se lexojne shume gazeta. Njelloj si "kuqezinjte" e Shqiperise qe pershendeten si triumfal dhe fisnik irritimin (e pajustifikuar) te sportisteve shqiptare ne fushe kur nje lojtar serb morri te largonte nga fusha nje objekt te paautorizuar qe sic thote dhe Platini, mund tu kishte plasur njerezve mbi koke. Eshte detyre e elitave politike qe te tregojne leadership dhe tu qetesojne kokat e ketyre nacionalisteve urbane, qe megjithse bejne me shume zhurme sesa dem, acarojne klimen midis dy kombeve. </p><p>Se treti por me e rendesishmja, kryeministrat nuk duhet te sillen si tifoza budallenj futbolli. Cfare ndodhi gjate ndeshjes i takon UEFAs. Qeverite e dy vendeve duhet te kuptojne se edhe sikur te duam, asnjera pale nuk do te heqe dot nga kurrizi tjetren edhe per 1000 vjet te tjera. Te dy jemi kombe njelloj te medhenj numerikisht dhe jemi te destinuar te rrime ngjitur me njeri tjetrin. Nese mundemi, bejme mire ti mbyllim hesapet e vjetra dhe te biem rehat te dy. Ndryshe per qindra vjet nuk do bejme hajer duke luftuar me njeri tjetin.</p>
Add new comment