Fillimi i fundit të taksave po afron

Postuar në 24 Tetor, 2014 07:00
Besart Kadia

Bota është e pasigurt, por dy gjëra janë të sigurta, shkruante presidenti amerikan Frenklin, vdekja dhe taksat. Dihet që kësaj të fundit në Shqipëri, të paktën 50% e popullsisë i shmanget, duke sjellë atë që njihet si informalitet në ekonomi. E teksa të dhënat për rritjen ekonomike tregojnë për një ngadalësim në tremujorin e dytë të këtij viti, FMN në një studim të saj shprehej se Shqipëria ka zbrazur mundësitë për të rritur ekonominë nëpërmjet politikave fiskale.

Në tetë muajt e parë të vitit, në fakt qeveria ka zgjedhur vetëm rritjen e taksave, por nuk e ka kombinuar me rritje të investimeve publike. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të diskutojë mbi projektet që qeveria ka planifikuar të investojë, ndaj i marrim si të mirëqena se janë projekte të duhura. Pyetja që shtrohet nga tërë ekonomistët e majtë është: përse qeveria ka 30% më pak investime kapitale sesa vetë plani i saj për këtë periudhë kohe?

Kjo pyetje është e vlefshme, pasi në filozofinë e majtë në kohë krize ekonomike është e nevojshme një angazhim më i madh i shtetit për të inkurajuar më pas dhe biznesin privat për të investuar dhe konsumatorët për të konsumuar. Por sërish të dhënat e Ministrisë së Financave konfirmojnë se qeveria ka shlyer vetëm 50% të bizneseve që kanë detyrime të prapambetura, duke hedhur poshtë zotimet publike të kryeministrit se jo vetëm do t’i shlyente, por do t’i shlyente brenda vitit tërë detyrimet ndaj biznesit.

Në një strukturë tjetër ekonomie, mungesa e investimeve publike nuk do të ndjehej menjëherë në ekonomi. Por struktura e ekonomisë sonë ka krijuar me qindra biznese që konkurrojnë me njëri- tjetrin në tendera për paratë publike. Ndoshta kjo krizë mund t’i orientojë dhe këto biznese drejt atyre sektorëve të ekonomisë, ku Shqipëria mundet të jetë konkurruese dhe eksportuese. Por në periudhën afatshkurtër, çdo hezitim në ekonomi sjell zgjatje të krizës, ndaj mosrealizimi i  shpenzimeve nga ana e qeverisë mundet të ulë deficitin buxhetor, por sjell një sinjal të gabuar në ekonomi.

Mungesa e një plani të qartë publik për sfidat që presin ekonominë tonë në tri vitet e ardhshme kanë filluar të ndjehen që në vitin e parë. Ajo çfarë FMN shpjegon për ekonominë shqiptare është se qeveria duhet të përmirësojë vjeljen e taksave dhe të ulë borxhin publik deri në vitin 2018. Çfarë kjo nënkupton është një ulje e borxhit me afërsisht 1.2 miliard euro në katër vite, që përkthehet në më pak investime e në më shumë taksa për bizneset. Ndaj kushdo që mendonte se rritja e taksave në dhjetor të vitit 2013 ishte mbajtja e një premtimi elektoral, gabohet. Taksat, siç dhe po njofton Ministria e Financave, do të rriten sërish që këtë vit. Ato do të rriten sërish vitin e ardhshëm, dhe sërish pas dy vitesh, dhe është për t’u parë se sa më shumë do të rriten.

Qeveria ka treguar ambicie të madhe për të ndërmarrë reforma, në fakt më të mëdha se çfarë lejon vetë mandati qeverisës për të ndërmarrë reforma, më të mëdha se çfarë lejojnë financat shqiptare, më të  mëdha se çfarë lejon cilësia e administratës shqiptare, më të mëdha dhe se çfarë është në gjendje publiku të perceptojë dhe pranojë si reforma. Vlerësimi i Moody’s për parashikim pozitiv të ekonomisë sonë kishte më shumë parasysh efektet pozitive të marrjes së statusit kandidat, si dhe të bashkëpunimit të nisur me FMN për të ulur borxhin në të ardhmen. Raporti i kësaj agjencie nuk mat efektet e rritjes së taksave te biznesi dhe qytetarët shqiptarë. Ajo komunikon me investitorët ndërkombëtarë vetëm për rrezikun e dhënies hua ose jo Shqipërisë.

Në fakt, duhet ndarë në diskutim ekonomik rreziku dhe pasiguria. Rreziku në fakt nga borxhi publik është i ulët dhe këtë Moody’s e mat mjaft mirë me të dhënat financiare e ekonomike të ekonomisë sonë ashtu si dhe për ekonomitë e tjera. Por Moody’s dhe as qeveria nuk mundet të masin atë që ekonomistët e quajnë pasiguri, siç shprehej dhe presidenti Frenklin, në ekonomi. Pasigurinë e krijuar nga rritja e taksave në të ardhmen, nga mosrespektimi i kontratës, nga reformat e ndërmarra etj, çdo biznes e interpreton subjektivisht duke reaguar në forma të ndryshme. Ndaj, një plan i qartë dhe i sinqertë i qeverisë për vitet e ardhshme do të ndihmonte bizneset të ulnin subjektivizmin në interpretimin e ekonomisë sonë.

Sfidat janë reale dhe në të tilla raste, Churchill i adresohej parlamentit britanik përpara luftës me Gjermaninë, duke iu premtuar atyre “gjak, mundim, lot dhe djersë në muajt e vitet në vazhdim në luftën ndaj Gjermanisë, por në fund synimi ynë është fitore”.

"Mapo"

Comments

Submitted by Bard (not verified) on

Konfirmohet edhe njehere ai postulat i stervjeteruar i politikes shqiptare qe qeverite ne kete vend nuk i rrezon njeri; ato bien vete! Nese kjo qeveri vazhdon me kete ritem mosbytheçarje drejt gremines, nuk do te jemi me ne skenarin e renies se qeverise, por te renies se shtetit. Por fundja, ç'rendesi ka kjo: Specialistet e fushes, perfshire qeverine, ne vend qe te mendojne per zgjidhje, rrine e mendojne kujt t'ia hedhin fajin per situaten ku ndodhemi(sigurisht, per kete, fajin e ka Berisha!). Por a e shpeton vendin nga kolapsi ekonomik gjetja e fajtorit? A e permireson performancen ekonomike recitimi nga mengjesi ne darke i statistikave me buzeqeshje te sforcuar i  Moody's apo opinionisteve proqeveritare qe me shume se per krizen ekonomike jane te shqetesuar per honorarin per gjepurat e rrenat qe shkruajne?

Submitted by Anonim (not verified) on

Asgje nuk kuptova nga c'fare shkruan autori. Ai perpiqet te na tregoje nepermjet citateve disa njohurive qe ka ai per menyren se si veprojne organizmat nderkombetare , qe eshte i ditur e ka lexuar. Deri ketu mire , po me pas, jep ndonje ode apo sugjerim se si  dilet nga ky kolapas ?

Titulli , nga ana tjeter nuk ka asnje lidhje me c'fare shtjellon ne artikull.

Keto jane pozicionimet tipike te "kompetenteve e specialisteve" te ketyre 25 vjeteve te fundit. Po ashtu edhe te qeverive te ketyre viteve.Thjesht konstatojne, (ate qe edhe fshatari me i fundit e percepton), i fusin nja dy-tre citat,e e kaq.

Ke ndonje ide se si duhet te bejme ? Per peralla e fjale te radhitura ukur ne me taksat tona paguajme qeverine.

Submitted by fm (not verified) on

I nderuar Autor,

Kujdes....!

Citimi ne lidhje me pashmangshmerine e Taxave dhe Vdekjes i takon Benjamin Franklin cili nuk ka qene asnjehere President i USA por i President i 6 i Pensilvanise...mund te thuash pa frike se Ai eshte  nr.1 i Amerikes...por jo President i Amerikes....

stirling

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.