Notë proteste e Pakistanit për vrasjen e 24 ushtarëve nga NATO

Postuar në 26 Nëntor, 2011 11:51

Pakistani i ka dorëzuar NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara një notë të fortë proteste për sulmin aksidental të helikopterëve të Aleancës që la mbi 20 ushtarë pakistanezë të vrarë në kufirin me Afganistanin.

Në të njëjtën kohë, si formë reagimi, Islamabadi ka pezulluar edhe kalimin e autokolonave që furnizojnë misionin e NATO-s në Afganistan, ISAF me karburante, armatime e mjete të tjera të nevojshme, nëpërmjet territorit pakistanez.  

Zyrtarët  pakistanezë akuzuan NATO-n se ka vrarë të paktën 20 ushtarë të ushtrisë së Islamabadit gjatë një sulmi ajror në zonat kufitare me Afganistanin. 

Sulmi, sipas tyre, ka ndodhur në zonën tribale të Mohmandit dhe në të kanë marrë pjesë disa helikopterë të Aleancës që janë ngritur nga një bazë afgane. 

Sipas agjencisë Reuters, sulmi ka ndodhur rreth orës 02:00 me orën lokale, të ditës së shtunë. Ushtarët pakistanezë të vrarë në këtë sulm mësohet se kanë qenë 1.5-2 kilometër larg kufirit më Afganistanin, ku kishin ngritur një postbllok. Aleanca nga ana e saj ka reaguar duke deklaruar se është vënë në dijeni të një “incidenti” dhe se ka nisur hetimet për zbardhjen e tij, ndërsa zyrtarët pakistanezë deklarojnë të “inatosur” se sulmi i NATO-s ishte një sulm i paprovokuar dhe diskriminues.

Nëse konfirmohet, ky do të ishte incidenti më i rëndë ku përfshihen trupat e NATO-s dhe do të komplikonte edhe më shumë marrëdhëniet e vështira të Shteteve të Bashkuara me Pakistanin, marrëdhënie këto që janë tensionuar pas operacionit blitz të marinsave amerikanë që çoi në vrasjen e Osama Bin Laden më 2 maj të këtij viti. 

 

Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.