A do jetë Hillari Klinton pasuesja e Obamës?

Lavdërime pa fund për Hillari Klinton: Presidenti amerikan, Barak Obama, e ka cilësuar ministren e tij në largim si një nga ministrat e Jashtëm më të mirë të Shteteve të Bashkuara.
Në një intervistë të përbashkët për CBS, Obama deklaroi të dielën në mbrëmje se Klinton ka qenë një nga këshilltaret e tij më të ngushta. “Do më mungojë,” tha ai.
Klinton, që pas katër vitesh në detyrë do të largohet nga qeveria, tha se ajo ishte habitur kur Obama, pas betejës së ashpër paraelektorale, kishte vendosur ta merrte në ekipin e tij.
“Në politikë dhe në demokraci fiton një palë zgjedhje, por edhe humbet. Unë kam punuar shumë dhe humba,” tha 65- vjeçarja duke rikujtuar betejën mes tyre për të fituar nominimin e demokratëve në vitin 2008.
Ish- Zonja e Parë tha se edhe ajo, në rast se do kishte fituar zgjedhjet para katër vitesh dhe do ishte bërë presidente, do e merrte Obamën në ekip.
Por një temë gjatë intervistës ishte tabu. Klinton nuk pranoi të përgjigjej për spekulimet se ajo do jetë kandidate për presidente në zgjedhjet e vitit 2016. Ajo megjithatë nuk i mohoi spekulimet, por as i pranoi. “Unë jam akoma ministre e Jashtme. Nuk më lejohet të dëgjoj pyetje të tilla,” tha ajo duke qeshur.
Klinton e kishte bërë të ditur përpara katër vitesh se ajo do qëndronte vetëm një mandat në detyrë.
Obama ka vendosur senatorin Xhon Kerri në vend të saj.
Mediat spekulojnë se edhe dalja e të dyve në një intervistë të përbashkët është një sinjal se Obama mbështet kandidaturën e saj për presidente në vitin 2016.
Disa analistë amerikanë thonë se nëse ajo do jetë kandidate e demokratëve, do e ketë të sigurt fitoren.
Ndërkohë një tjetër emër popullor i demokratëve, Xho Bajden, nuk do kishte asnjë shans përballë Hillari Klinton.
TEMA
Add new comment