Nishani: Mazhoranca ka përgjegjësi më të mëdha për zgjedhjet, por opozita duhet të pranojë rezultatin

Postuar në 30 Janar, 2013 07:53

 

Kreu i shtetit tha se e ka liruar nga detyra ambasadorin Admir Banaj, por shtoi se kjo nuk ka lidhje me aferën Zafar Ansar- Argita Malltezi

Presidenti Bujar Nishani, në një intervistë për emisionin “Pesë pyetje nga Babaramo”, tha se ritmi i dhënies së shtetësive është i njëjti, por shtoi se do ishte mirë që të ndryshonte ligji.

“Që do të thotë, për shembull, nëse i kërkohet një qytetari që të jetojë 5 vite në Shqipëri, unë besoj që ky është një kriter që nuk ka pse të jetë për një qytetar shqiptar, të kombësisë shqiptare, i cili jeton në një vend të Evropës apo në një vend tjetër dhe ka të gjithë afeksionin dhe dëshirën për të pasur edhe pasaportën shqiptare. Nuk besoj pse, nuk është normale që t’i kërkohet që të jetojë 5 vite pa ndërprerje në Shqipëri që të marrë pastaj këtë pasaportë,” tha Nishani.

Presidenti tha se sa i përket zgjedhjeve, mazhoranca ka më shumë përgjegjësi për organizimin e tyre, por opozita duhet të pranojë rezultatin.

“Unë mendoj që mazhoranca që del nga një palë zgjedhjeje, ka përgjegjësi më të mëdha në aspektin e marrjes së detyrave për zhvillimin e vendit dhe të ofrimit të bashkëpunimit për opozitën. Nga ana tjetër, opozitën nuk e konsideroj si një humbëse. Përkundrazi, e konsideroj si një instrument të pazëvendësueshëm të monitorimit, të vëzhgimit, të kritikës, të kundërshtisë, pra, të një dinamike zhvillimi që kërkohet dhe duhet të jetë prezente në një shoqëri demokratike. Pra, në këtë kontekst dhe në këtë këndvështrim, unë mendoj që përgjegjësia e palëve është që të pranojnë rezultatin që del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të pozicionohen pastaj në vendet që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë përmes votës, duke marrë përsipër këto përgjegjësi,” tha Nishani.

I pyetur nëse ambasadori ynë në Arabinë Saudite, Admir Banaj është larguar nga detyra për shkak të çështjes Zafar Ansar- Argita Malltezi, ai tha se kjo nuk është e vërtetë, pasi ambasadori është larguar sepse i ka mbaruar mandati.

“E konfirmoj sepse është dekretuar lirimi i tij nga Presidenti i Republikës. Ka qenë një dekret në kuadrin e disa dekreteve, kanë qenë mos gaboj 5-6 dekrete, të cilat kanë ardhur nga Ministria e Jashtme dhe Kryeministri në përfundim të mandatit shumë kohë më parë se sa debatet, që ju po thoni, të nisnin në skenën publike. Nuk ka asnjë gjë të lidhur me këto çështje që debatohen sot. Ka qenë një proces rutinë kur një ambasador mbaron mandatin. Ambasadorët janë me mandat, në momentin që mbarojnë mandatin e tyre natyrisht që zëvendësohen nga ambasadorë të tjerë dhe ka qenë një periudhë kur Presidenti i Republikës me propozim të Ministrisë së Jashtme dhe me vendim të Kryeministrit, siç e përcakton procedura ligjore, ka liruar nga detyra të gjithë ata që kanë mbaruar mandatin e ushtrimit të detyrës së tyre dhe ka emëruar të tjerë. Dhe rasti që ju përmendni ka qenë në këtë kuadër”

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.