KOSOVA KA SHËNUAR NGRITJE NË LIRINË E MEDIAS

Postuar në 31 Janar, 2013 02:53

 

Në raportin më të ri të organizatës Reporterët pa Kufij lidhur me treguesin e Lirisë së Shtypit në Botë, Kosova është radhitur në vendin e 85-të, duke u ngritur me një pikë në krahasim me një vit më parë. Shtypin e shkruar raporti e karakterizon si embrional, gjë që i jep shumë hapësirë atij më me ndikim, medias transmetuese.

Në këtë kuadër përmendet “kanali kryesor ose udhëheqës, Radio Televizioni i Kosovës, për të cilin thuhet se vazhdon të zgjerohet nën ndikimin e pushtetit.

“Financimi i tij varet nga vullneti i Kuvendit, i cili sigurisht se nuk do ta privojë veten nga leva që vjen prej një situate të tillë,” thekson raporti.

Raporti vë në pah se qasja në informacionet publike vazhdon të jetë e vështirë dhe e pa garantuar me ligj, ndërsa me krijimin e Këshillit të Mediave të Shkruara është vendosur baza vetërregulluese me një trup rregullator të përbërë nga gazetarë dhe redaktorë.

Për shtypin e shkruar thuhet më tej se ‘tetë të përditshmet janë në pronësi private, disa të lidhura me partitë politike apo me grupe financiare. Autocensura është përkeqësuar më tepër nga mungesa e një statusi të mirëfilltë shoqëror për gazetarët,’ thuhet ndër të tjera në raportin më të ri mbi Lirinë e Shtypit në Kosovë.

Në një vlerësim më të gjerë për rajonin e Ballkanit, raporti bën fjalë për vazhdim të proceseve gjyqësore ndaj gazetarëve si dhe për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj njerëzve të medias.

Si shembull më i keq në rajon përmendet Maqedonia e cila në krahasim me vitin e kaluar ka zbritur për 22 vende duke u radhitur në vendin e 116-të. Shqipëria ndërkaq është radhitur në vendin e 102-të. /rtk/

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.