A ishte Ajnshtajni shqiptar?

Postuar në 01 Shkurt, 2013 12:44

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri u shpëtuan shumë hebrenj nga deportimi i tyre në kampet e përqendrimit. Mes tyre nuk ishte fituesi i çmimit Nobel për fizikë, Albert Ajnshtajn, edhe pse një thashethem synon të krijojë këtë ide

Nga Andreas Saurer, Berner Zeitung

 

“Në vitin 1935, nga mikpritja shqiptare ka përfituar edhe Albert Ajnshtajn, për të pasur mundësi që të lëvizte nga Evropa për në Shtetet e Bashkuara. Ai qëndroi për tre ditë në Durrës, në rezidencën mbretërore në Adriatik, përpara se të vazhdonte udhëtimin e tij në botën e lirë. E gjithë kjo pasi u pajis me një pasaportë shqiptare”.

Këtë e mëson nga një dokumentar mbresëlënës shqiptar “Rescue in Albania”. Por aty nuk thuhet ndonjë burim dhe asnjë person përgjegjës për këtë deklaratë.

 

Gjurmë të paplota

Filmi merr kështu një thashethem, që qarkullon prej vitesh në internet me një vrull të konsiderueshëm. Madje ai është cituar edhe nga gazeta serioze ndonjëherë.

Në vitin 2004, Shaban Sinani, profesor i historisë dhe ish- drejtor i Arkivit Shtetëror, në një ese mbi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, shkruan: “Nga burime indirekte të asaj periudhe, mësohet se hebreu i famshëm, shkencëtari Albërt Ajnshtajn, ka bërë një ndalesë inkonjito në Shqipëri”.

Kjo fjali është marrë nga historianë të tjerë dhe më vonë është shfaqur në disa gazeta e revista edhe në Berlin.

 

Raportime të ndryshme

Në vitin 2008, imami Qemal Lami deklaronte për gazetën online “Voicesnews.com” historinë e një shkencëtari të famshëm hebre, që me pasaportë shqiptare u arratis për në SHBA. Lami, një përfaqësues i komunitetit mysliman shqiptaro- amerikan, deklaronte: “Ju me siguri e njihni emrin e profesorit. Është Albert Ajnshtajn”. Fondacioni i njohur ndërkombëtar, Raoul Wallenberg e vendosi këtë citim ne faqen e tij.

Në mënyrë të paqartë dhe revista “Hebrenjtë” në Berlin e boton këtë informacion në vitin 2009.

 

Nuk ka dyshime

Pa asnjë dyshim u shfaq edhe në vitin 2011 në gazetën “Welt” ky citim: “E vërteta është se Albert Ajnshtajn në vitin 1935 me një pasaportë shqiptare u arratis për në SHBA, pasi qëndroi për pak kohë në mbretërinë e shqiptarëve”.

 

Ekspertët tundin kokën

Pra, a ishte Ajnshtajni për një kohë të shkurtër shqiptar?

“Kjo është e pamundur,” thotë Barbara Wolff për gazetën. Ai është arkiviste në Arkivat “Albert Ajnshtajn” në Universitetin Hebre në Jeruzalem. Ajo thotë se e ka ekzaminuar me detaje thashethemin që qarkullonte. Dhe ekspertja e Ajnshtajnit është e qartë: “Pas vitit 1933, Ajnshtajn me siguri që nuk e ka prekur tokën shqiptare”. Dhe: “Ajnshtajni nuk ka pasur kurrë pasaportë shqiptare”.

Në vitin 1935, Ajnshtajni kishte kohë që kishte mbërritur në SHBA.

Barbara Wolff tregon rrethanat: “Në tetor të vitit 1933, Ajnshtajn kishte udhëtuar për në SHBA si turist me një pasaportë zvicerane. Në këtë kohë ai e kishte dorëzuar pasaportën e tij gjermane”. Në vitin 1934, Ajnshtajnit iu hoq nënshtetësia e Rajhut gjerman.

 

Ai nuk u kthye më kurrë

Edhe Hans- Rudolf Ott, president i Shoqatës “Albert Ajnshtajn” në Bernë, e mohon intermexon shqiptare. “Albert Ajnshtajn në tetor të vitit 1933 është larguar nga kontinenti duke udhëtuar nga Sauthempton për në SHBA. Deri në vdekjen e tij, ai nuk u kthye në Europë më”. Përgjatë gjithë udhëtimeve të tij jashtë vendit, ai përdorte pasaportë zvicerane.

Shtatë vite të jetës së tij ai i kaloi në Bernë.

Në vitin 1940 mori nënshtetësinë amerikane.

Përfundim: Albert Ajnshtajn nuk ka qenë kurrë në Shqipëri dhe nuk ka pasur kurrë pasaportë shqiptare. Megjithatë, shqiptarët kanë një arsye për të qenë krenarë pasi kanë shpëtuar shumë hebrenj nga deportimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.