Mijëra qytetarë mbeten pa përgjigje nga “Belle Air”

Postuar në 26 Nëntor, 2013 08:14

Me qindra qytetarë dje “zaptuan” dyert e Pallatit të Kulturës, aty ku kompania kishte zyrat qëndrore, në pritje për të marrë një përgjigje për fatin e parave të tyre për biletat e prenotuara tek “Belle Air”. E po kështu me qindra udhëtarë kanë fjetur në aeroporte të vendeve të ndryshme të Europës, pa mundur të kthehen në destinacionin e tyre. Kompania “Belle Air” shpalli falimentin, duke shkaktuar skandalin e radhës për qytetarët e këtij vendi, duke mos ju dhënë asnjë përgjigje. Skena e djeshme para Pallatit të Kulturës ishte një nga ato skenat e vitit 1997, kur firmat piramidale mashtruan shqiptarët. Po në radhë, po në pritje të një përgjigje, po policë që rrinin para dyerve të mbyllura dhe thjesht ngrinin supet nëse i pyesje “në do të japë një përgjigje kompania për fatin e parave të qytetarëve të saj që i besuan fluturimin e radhës”. E thuajse e njëjtë situata ishte dhe në aeroportin ndërkombëtare apo nëpër agjenci udhëtimesh, por kompania shpalli papritur falimentin duke i lënë në udhë dhe pa asnjë përgjigje me mijëra qytetarë të këtij vendi.

Haxhinasto: Falimenti i “Belle Air” i papritur

Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto ka reaguar në një konferencë për shtyp pas njoftimit të kompanisë “Belle Air” për pezullim e aktivitetit. Haxhinasto e ka cilësuar të papritur këtë vendim, ndërsa ka theksuar se nuk ka pasur ngrirje të llogarive. Sipas tij, ky vendim është në dëm të pasagjerëve të “Belle Air”. “Situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga kompania ‘Belle Air’. Edhe tani që flasim, nuk ka asnjë bllokim të llogarive nga asnjë nga institucionet shtetërore të vendit”, u shpreh ministri. Zoti Haxhinasto tha se vendimi i “Belle Air” për pezullimin e fluturimeve ishte i papritur për Qeverinë. Sipas tij, autoritetet janë duke bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur zgjidhje për qytetarët. Haxhinasto ka shtuar se do të hapet tregu i aviacionit civil, në mënyrë që të ofrohet një shërbim më i mirë për klientët. “Jemi të vendosur për liberalizimin e aviacionit civil, në përputhje me ligjin”.

Ministri i Ekonomisë: Borxhi tatimor i kompanisë 4.8 milionë euro

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka reaguar dje lidhur me falimentin e papritur të “Belle Air”, duke bërë të qartë se Ministria ishte në dijeni për situatën që kompania ka përcjellë për shtetin shqiptar dhe arsyet që e çuan kompaninë në këtë situatë. “Kompania ‘Belle Air’ ka vetëmbërritur në këtë situatë. Qeveria ka qenë shumë fleksibël me situatën e vështirë ekonomike që ka patur vetë kompania, madje disa herë jemi mbledhur me ministrin e Financave, me ministrin e Transportit, nën porosinë e Kryeministrit, për të ofruar fleksibilitet maksimal ndaj kompanisë, e cila ka një periudhë shumë të gjatë pa likuiditete”, u shpreh Ahmetaj. “Nga informacionet e para, edhe sipërfaqësore, dukej që kishte një keqmenaxhim fondesh, sepse një kompani e cila ka patur 115 milionë euro qarkullim, mbetet papritur pa para dhe kjo ka qenë edhe pyetje e drejtpërdrejtë që Qeveria i ka bërë menaxhimit të kompanisë, se cila është arsyeja që kompania nuk ka para në llogaritë e veta. Gjëja e parë që të vjen ndërmend, nëpërmjet edhe informacioneve që marrim drejtpërsërdrejti duke iu referuar bilanceve të tyre, rezulton që kompania ka bërë investime të këqija jashtë vendit. Ka vend për një hetim për të parë se ku janë devijuar fondet”, thotë ministri Ahmetaj. Sipas tij në pronocimin për Top Channel, ka patur një bllokim dy ditor të llogarive të kësaj kompanie, kur në bazë të ligjit ka ndërhyrë administrata tatimore. Ky bllokim sipas Ahmetaj ka ardhur sepse “kompania ‘Belle Air’ rezultonte që mos kishte paguar taksat dhe tarifat me një shumë prej 4.8 milionë eurosh, shuma të pranuara dhe nga kompania, qoftë në komunikim me administratat tatimore, qoftë edhe në komunikim publik apo në komunikim me institucionet e tjera të Qeverisë”.

Asetet që kompania “i bleu” vetes

Gazeta “Dita” zbardh një vendim të asamblesë së kompanisë “Belle Air” që i përket periudhës së marsit të këtij viti, ku dëshmohet që kjo kompani zotëron asete. Edhe pse tashmë është pranuar dhe nga vetë kompania që ajo nuk kishte asgjë në pronësi të saj, qoftë dhe një nga avionët të cilin ligjërisht duhej ta kishte nën pronësi, kjo kompani ka blerë pasuri të paluajtshme, pasi vendimi i asamblesë thotë se miraton “kontribute në natyrë në vlerën 207.291.150 lekë, sipas raportit të ekspertit vlerësues, (konvertuar në lekë 1.560.000 euro x l39.59 leke) që i korrespondon kontributit në natyrë – pasuri e paluajtshme regjistruar në ZRPP Krujë, Zona Kadastrale 3183, me nr. pasurie 115/14, Vol. 3, Fq. 93, ku secilit ortak i përket 50% e kontributit”. Në të vërtetë sipas këtij vendimi që disponon gazeta flitet për zmadhim kapitali të shoqërisë në shumën e 1.276.379.000 lekë në të cilën përfshihet veç blerjes së pasurisë së paluajtshme afër Rinasit, edhe “përfshirje të rezervave të rivlerësimit të shoqërisë të krijuara gjatë vitit ushtrimor 2012 në vlerën 509.263.747 lekë sipas raportit të ekspertit kontabël”, thotë vendimi. Ky fakt pohon dy tregues, që kompania ka qenë në gjendje të blejë asete dhe deri dje nuk flitej për një skemë falimenti të saj. Por gjatë gjithë kësaj periudhe burime pranë kompanisë së fluturimit bëjnë të ditur se asnjë taksë nuk është paguar nga kompania, nuk është marrë asnjë masë për t’ju përgjigjur shërbimit ndaj udhëtarëve pra edhe nëse do t’i kompensojë udhëtarët që kanë prenotuar për periudhën deri në mars të 2014, me ato taksa që i ka shmangur shtetit shqiptar në këta muaj, e që sipas ministrit të Ekonomisë, kapin shumën e 4.8 milionë eurove, shtuar këtu detyrimin që i ka aeroportit e që llogaritet rreth 8 milionë euro, çon në faktin se kompania e ka përllogaritur skemën që “papritur” ju shfaqi qytetarëve të këtij vendi. Kjo kompani operonte në një situatë monopolistike në tregun shqiptar dhe jashtë çdo lloj kontrolli dhe mbikëqyrje shtetërore për veprimtarinë e saj. Ajo zotëronte mbi 50 për qind të tregut të fluturimeve dhe ishte njëra nga 10 kompanitë që janë autorizuar të operojnë në tregun vendas.

Çfarë po ndodh ?!

Nga Habjon Hasani

Prej 48 orësh kompania ajrore që ka monopolin në transportin ajror në Shqipëri, “Belle Air”, ka shpallur falimentin. Është një ngjarje tepër e rëndësishme për dy arsye: Me mijëra, rreth 60 mijë qytetarë shqiptarë preken direkt nga ky falimentim që ka nuanca të forta të një skeme mashtrimi. Së dyti, mbetet ende e pazbardhur dhe e pa hetuar se në ç’rrethana është bërë ky veprim i njëanshëm i kësaj kompanie. Sa i takon çështjes së parë, pra qytetarëve të mashtruar, mund të themi se kompania përveçse u ka marrë paratë qytetarëve, ka arritur dje me sukses t’u marrë dhe pjesës dërrmuese të medieve, televizione e gazeta, misionin e tyre.

Nga ana tjetër qytetarëve dje, u është shfaqur përfaqësuesi i një kompanie italiane e quajtur “Blu Panorama” i cili u afron ekzekutimin e udhëtimeve të paguara te “Belle Air” nga kjo kompani italiane, me kushtin që të paguajnë dhe 70 euro shtesë. Që në fakt është çmimi i biletës “loë cost” pra thuajse çmimi i një bilete të blerë normalisht. Shfaqja e kësaj kompanie ka nisur që në orët e para të pasdites së djeshme në aeroporte ku udhëtarëve shqiptarë në panik të cilët e kanë paguar njëherë biletën, u ofrohej kjo “marrëveshje” për të ripaguar një biletë të re. Situata të kujton një shprehje të goditur të filmit “Ëall Street” : Në kaos spekulantët fitojnë dy herë. Por njëherazi dyshimet janë të forta nëse pas “bamirësisë” fshihet sërish Belle Air, që rimashtron qytetarët shqiptarë pa mbrojtje.

Problemi i dytë janë procedurat e falimentimit të kësaj kompanie. Kompania ka borxhe, serioze, që e kalojnë shifrën 15 milionë dollarë, 9 milionë dollarë i ka vetëm Zyrës së Taksave për vitin e kaluar. Nga ana tjetër DITA ka zbuluar sot se të paktën deri në muajin Mars 2013, kjo kompani kishte të deklaruar kapitalin e saj themeltar në 10 milionë dollarë dhe kishte blerë tokë pranë Aeroportit të Rinasit në vlerën e 2.2 milionë dollarëve. Pra deri disa muaj më parë kompania dispononte asete të rëndësishme, fati i këtyre aseteve mund të ketë ndryshuar javët e fundit, por një hetim është i nevojshëm për të parë se çfarë ka ndodhur. Në vijim të këtij shqetësimi është i nevojshëm një hetim i imtësishëm, fillimisht administrativ e nëse do jetë e nevojshme edhe penal, për të parë të gjithë dokumentacionin e kësaj kompanie në lidhje me detyrimet dhe deklarimet në zyrat shtetërore të Aviacionit Civil. Si mundi kjo kompani të precipitonte në pak javë? Çfarë ka ndodhur, si nuk u diktua nga institucionet shtetërore ky rrezik? Kush manipuloi “sytë e shtetit”? Janë të gjithë pyetje që lypin një përgjigje, zyrtare.

Vetëm një hetim i tillë i këtyre zhvillimeve do na siguronte se qeveria e re po sistemon tregun e spekulimeve të transportit ajror, në të kundërt, çdo gjë do t’i ngjante një rokade monopolesh të bërë në mirëkuptim, në mos një riciklim të bosëve të “Belle Air”, po me ndonjë emër tjetër. Në çdo rast për qytetarët shqiptarë situata do të mbetej “Bruttisimo Air”

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.