Miratohet rezoluta e integrimit

Kuvendi ka votuar pasditen e së mërkurës pro projekt-rezolutës së përgatitur për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në seancën parlamentare deputetët kanë votuar unanimisht me 105 vota në favor të procesit të integrimit të vendit në BE.
Para votimit kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim ku shprehu gatishmërinë e tij për hapjen e një kapitulli të ri në jetën parlamentare të Shqipërisë.
“Shqipëria është një vend i aftë që kapitullin e Parlamentit jofunksional ta konsiderojë të mbyllur dhe të shkruajë një kapitull të ri. Për këtë kemi marrë vlerësime
Mos prisni që mazhoranca të kthehet në një fabrikë miratimi ligjesh. Nga ne prisni që të rrisim në nivel evropian shkallën e zbatueshmërisë së ligjit
Edi Rama
Kryeministër i Shqipërisë
pozitive nga partnerë dhe miq që deri dje e shihnin Parlamentin një nga arsyet për të mos e afruar Shqipërinë me Evropën. Ky është Parlamenti i respektit ndaj tjetrit”, deklaroi Rama.
Duke komentuar takimet e tij të fundit me zyrtarët ndërkombëtarë, Rama nënvizoi se qeveria e re ka një mbështetje të plotë nga faktori evropian për realizimin e angazhimeve të mara.
“Mbi Shqipërinë rëndon ende shumë një bilanc angazhimesh të pambajtura e zhgënjimesh, që u lë vend partnerëve për të mos qenë 100 për 100 të bindur se Shqipëria është gati. Por ju siguroj se kemi gjetur më shumë se mbështetjen e plotë për të inkurajuar qeverinë e re që të vazhdojë drejtimin që ka përcaktuar. Kemi siguruar mbështetjen që të hapim një kapitull të ri në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe kundër rrënimit ekonomik”, tha Rama.
Duke vlerësuar kontributin e kryetares së komisionit të integrimit, kryeministri ka theksuar se mazhoranca mbetet e angazhuar për gjithëpërfshirje politike.
“Qëllimi ynë është që deri në hapjen e negociatave të adresojmë siç duhet 5 prioritetet kyçe të vendosura nga BE. Opozita do të çlirohet nga të gjitha makthet e së kaluarës, kur ajo u asgjesua nga pozicioni i një faktori jetik”, tha Rama.
Ai u shpreh se qeveria e tij është e gatshme të përfshijmë edhe shoqërinë civile në procesin e integrimit dhe që ngërçin e së kaluarës ta zgjidhë bashkë me opozitën përmes rezultateve të reja.
“Kalimi nga angazhimi në letër në angazhimin real do të tregojë se ne shqiptarët jemi më të aftë sesa vetëm të miratojmë ligje në letër dhe t’i hedhim hi syve qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi Rama.
“Mos prisni që mazhoranca të kthehet në një fabrikë miratimi ligjesh. Nga ne prisni që të rrisim në nivel evropian shkallën e zbatueshmërisë së ligjit. Kemi një paketë nismash që do të na ndihmojë të arrijmë rezultate konkrete për të bindur edhe vendet skeptike të BE”, vijoi kreu i ekzekutivit.
Më tej Rama bëri një pasqyrim të luftës së deritanishme që kabineti i tij ka nisur kundër krimit të organizuar, duke e vënë theksin tek rritja e evidentimit të veprave penale.
“Ne po luftojmë seriozisht krimin e organizuar. Është rritur konstatimi i veprave penale dhe trafiqeve. Disa të arrestuar kanë filluar të thonë gjëra interesante, ndërkohë që disa të kërkuar nga drejtësitë e huaja janë lënë në harresë”, tha Rama.
Në fund, kryeministri rikonfirmoi se do të anulohen të gjitha konçesionet korruptive, që kanë bërë që lekët të mos përfundojnë në xhepat e shqiptarëve.
TOP CHANNEL
Add new comment