“Invalidët do shlyhen të gjithë nga janari, Berisha gënjeu për pagesat”

Invalidët kanë marrë pjesën më të madhe të pagesave të vonuara nga qeveria që u largua, ndërkohë që ka ende një tjetër pagesë që presin për këto muajt në vazhdim dhe për personat që u shërbejnë kategorive PAK. Pas debateve të ditëve të fundit, ku opozita akuzon Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë se po zvarrit pagesat, është ministri Erion Veliaj që sqaron situatën dhe jep faktet se si u abuzua me fondet dhe se si vetë ish-kryeministri Berisha ishte në dijeni të mungesës së parave për këtë kategori që tre muaj para se të largohej, pasi e kishte vënë në dijeni ish-ministri Ksera për gjendjen e krijuar. Veliaj shpjegon se invalidët do të shlyhen plotësisht në muajin janar, pasi borxhi që u ka lënë qeveria Berisha në ministri dhe që është i mbartur është 7 miliardë lekë, pasi gjithnjë ka akorduar më pak fonde për këtë kategori.
Zoti Veliaj, prej fillimit të marrjes së detyrës si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë jeni përballur me krizën e pagesave të personave me aftësi të kufizuar, situatë e mbartur nga qeveria e kaluar. Cilat janë arsyet që kanë sjellë këtë krizë?
Kjo krizë financash me pasoja të mprehta sociale e ka burimin në dy arsye themelore. Nga njëra anë, numri i personave me aftësi të kufizuar dhe i invalidëve të punës me të drejta për benefite është rritur në mënyrë abuzive, sidomos gjatë katër viteve të fundit. Nga ana tjetër, qeveria e shkuar, për disa vite me radhë, nuk ka akorduar fonde të mjaftueshme për të përballuar të gjitha pagesat për këtë kategori. Kjo ka bërë që, qysh në vitin 2010, personat me aftësi të kufizuara të mos marrin të gjitha pagesat që u takojnë me ligj. Për shembull, për vitin 2010, qeveria Berisha akumuloi një borxh prej 2 miliardë e 102 milionë lekë pagesash të papaguara kundrejt kësaj kategorie. Por, Berisha nuk e shleu asnjëherë këtë borxh, por vendosi që muajt e papaguar të paguheshin në muajin e parë të vitit pasardhës, ç’ka jo vetëm që e mbarti borxhin vit pas viti, por thelloi edhe deficitin vjetor të fondit të mbrojtjes sociale. E kështu, vit pas viti, borxhi u rrit dhe vonesat në pagesa u shtuan, për të arritur në vitin 2013, ku kriza është më alarmante se kurrë, pasi në disa komuna e bashki, personat me aftësi të kufizuar kanë marrë pagesa vetëm për gjysmën e muajve të vitit.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ju ka akuzuar se keni gënjyer me deklaratën se ish drejtuesit e Ministrisë së Punës kishin shpenzuar 96% të fondit për PAK që në muajin korrik. A keni dokumente që e vërtetojnë këtë fakt?
E vërteta është se Berisha është një gënjeshtar i papërgjegjshëm, i cili mendon se njerëzit e kanë harruar se deri para dy muajsh ka qenë kryeministër i vendit dhe përgjegjës për gjithçka ka ndodhur para 16 shtatorit. Për vitin 2013, ministri i mëparshëm ka kërkuar nga Ministria e Financave 21,5 miliardë lekë për programin e mbrojtjes sociale, i cili përfshin pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe ndihmën ekonomike. Qeveria Berisha akordoi vetëm 17,4 miliardë lekë, pra 4,1 miliardë më pak nga sa nevojiteshin. Po t’i shtojmë kësaj shume edhe borxhin e vitit 2012 prej 3 miliardë lekësh, i cili është shlyer gjatë muajve të parë të vitit 2013, del se diferenca reale mes fondeve të nevojshme e fondeve që vetë Berisha ka alokuar është mbi 7 miliardë lekë më pak nga sa nevojiten, dhe për këtë është përgjegjës vetëm Berisha dhe askush tjetër. Dokumentet për të vërtetuar këtë ekzistojnë dhe janë publikuar edhe në shtypin e shkruar. Ekziston një shkresë dërguar Ministrisë së Financave nga ministri paraardhës në ditët e para të korrikut të këtij viti, përmes së cilës e vë në dijeni se fondet për personat me aftësi të kufizuar po shteronin dhe se rrezikohej që qysh prej shtatorit të mos kishte para për kryerjen e këtyre pagesave. Berisha gënjen kur thotë se ne nuk e kemi gjetur arkën bosh, sepse arka ka qenë bosh që dy-tre muaj para se ne të ishim në qeveri dhe këtë e vërteton letërkëmbimi zyrtar mes ministrave të tij.
Ju keni deklaruar se nga auditimi që është kryer në disa njësi vendore me skemën e PAK-ut janë gjetur me qindra abuzime dhe të gjitha këto të dhëna do t’ia dorëzoni Prokurorisë. Në cilat komuna janë gjetur këto abuzime dhe sa është dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit?
Gjatë kësaj kohe kemi nisur një fushatë auditimi në të gjithë Shqipërinë dhe kemi zbuluar se ka rrethe të cilat nuk janë audituar prej 23 vitesh. Duke nisur nga java tjetër, ne do të çojmë në prokurori një seri abuzuesish që janë pushtetarë, ose qytetarë, që gënjejnë se janë me aftësi të kufizuara, duke shkelur një kod moral, por edhe ligjin. Ndërkaq, kemi përgatitur një seri dosjesh për një rreth të caktuar dhe në ditët në vazhdim këtë paketë do t’ia shpiem prokurorisë së atij rrethi. Më pas do të nisim çdo javë dorëzimin e dosjeve në prokuroritë përkatëse në rrethe. Kjo do të ndodhë edhe në rrethe të tjera ku janë vërejtur shkelje abuzive.
Shoqatat e invalidëve shprehen se nuk po marrin pagesat e plota dhe se u është hequr pagesa për kujdestarët. Cila është zgjidhja e përkohshme që i ka dhënë Ministria kësaj krize dhe a do të rimbursohen pagesat me miratimin e buxhetit të ri?
Ditën e parë kur unë fillova punë në këtë ministri konstatova se ishte harxhuar 96% e fondit të ndihmës ekonomike dhe pagesave për aftësinë e kufizuar. Që nga ajo ditë e deri më sot jemi duke punuar me Ministrinë e Financave për të siguruar një buxhet sado të vogël të kursyer në mënyrë që ta shpenzojmë për pagesat e aftësisë së kufizuar. Në këtë drejtim, përpjekja jonë është maksimale dhe e pakursyer. Po mundohemi që atë që kemi t’ua shpërndajmë gjithsecilit në mënyrë të barabartë. Ndërkaq, po përpiqemi që duke filluar nga janari të rimbursojmë të gjitha detyrimet e prapambetura për këtë kategori, përfshirë edhe pagesat për kujdestarët. Kriza që po kalojmë këto dy muaj, sigurisht jo për fajin tonë, është krejt e pashembullt.
Abuzimet me invalidët, 165 shkelës në Prokurori
Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka kallëzuar sot në Prokurorinë e Rrethit Elbasan anëtarët e Komisionit Mjekësor për Caktimin e Aftësisë në Punë, KMCAP Elbasan, dhe punonjës të Komunës Labinot-Fushë, në Elbasan, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës. Këta persona dyshohet se përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre kanë sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, si dhe kanë keqmenaxhuar pagesat e aftësisë së kufizuar. Nga kontrolli i ushtruar nga ekipi i auditit të Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se nga 372 persona me aftësi të kufizuar në Komunën Labinot-Fushë, 159 prej tyre kanë përfituar në mënyrë të parregullt Pagesën e Aftësisë së Kufizuar, pasi rezultojnë me mangësi dokumentesh në dosje. Gjithashtu, nga kontrolli i dokumentacionit mjekësor të dosjeve ka rezultuar se 109 persona kanë të njëjtën diagnozë, artrit rheumatoid dhe sëmundje renale kronike. Vetëm për një vit (Shtator 2012 – Tetor 2013) janë shtuar 59 dosje të reja, 31 prej tyre kanë mangësi të dokumenteve ligjore. Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi administratorët e Ndihmës dhe shërbimet sociale në Komunën Labinot-Fushë në Elbasan, Mjekun e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve Sociale, anëtarët dhe Kryetarin e KMCAP Elbasan. Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë të mundshëm, nëse do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera. Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së Pagesave të Aftësisë së Kufizuar. Për çdo shkelje të gjetur do të procedojë me kallëzimin e rasteve në Prokurori.
10 mujori, shpenzimet 7.1 për qind më shumë
Financat ia kanë dalë që të shtrëngojnë rripin, duke ulur shpenzimet dhe rritur të ardhurat në tetor, çka ka bërë që buxheti të rezultojë me një suficit prej rreth 4.4 miliardë lekësh në muajin tetor, sipas statistikave fiskale për 10 mujorin që janë publikuar nga Ministria e Financave. Kjo sjellje ka bërë që për gjithë periudhën janar-tetor 2013 deficiti buxhetor të reduktohet në 54 miliardë lekë, nga rreth 58 miliardë lekë që ishte për 9 mujorin. Por, pavarësisht tendencës pozitive të tetorit, deficiti vijon të jetë i lartë, si rrjedhojë e të ardhurave të ulëta dhe shpenzimeve të larta, sidomos në pjesën e parë të vitit. Për 10 mujorin, me të ardhurat që ishin gati 7.4 miliardë lekë më pak me bazë vjetore dhe shpenzimet që ishin 21.3 miliardë lekë më shumë se janar-tetori 2012, deficiti buxhetor u rrit me 28.7 miliardë lekë me bazë vjetore për periudhën në fjalë (për 9 mujorin rritja e deficitit ishte 32.5 miliardë lekë). Totali i shpenzimeve për 10 mujorin ishte rreth 320 miliardë lekë, duke rezultuar 7.1% apo 21.3 miliardë lekë më shumë, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në tetor, kursimi tek shpenzimet në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka ardhur në pjesën më të madhe nga tkurrja e ndjeshme e shpenzimeve kapitale, me rreth 2 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet për personelin, pagat, interesat, sigurimet kanë vijuar tendencën rritëse. Është kursyer dhe tek ndihma ekonomike, shpenzimet për të cilën ranë me gati 800 milionë lekë me bazë vjetore, në tetor. Me vetëm 1 miliardë lekë, shpenzimeve kapitale, në tetor të këtij viti ishin në nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit.
DITA
Add new comment