Skandali i Tatimeve, nën hetim 15 firma fantazmë

Postuar në 21 Dhjetor, 2013 03:26

Nuk ka marrë fund hetimi për skandalin e skemës mafioze të gllabërimit të rimbursimeve të TVSH-së së Tatimeve nga firmat fantazmë. Pas arrestimit të 7 administratorëve të kompanive fantazmë, ekonomistes dhe 2 punëtorëve, të cilët kishin arritur të mashtronin përmes faturave fiktive të TVSH-së duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 26 milionë dollarësh, skandali pritet të marrë përmasa më të mëdha. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se një tjetër skemë mashtrimi pritet të prangosë edhe 20 persona të tjerë, ndërsa dëmi dyshohet të jetë rreth 20 milionë euro po të tjera. Dhe bëhet fjalë për hetimin e 15 firmave fantazmë që kanë përfituar këtë shumë, mes tyre edhe një emër tepër i njohur. Në shtator u arrestuan zyrtarët e Tatimeve dhe 7 të tjerë u shpallën në kërkim për këtë skemë, ku u zbuluan 5 milionë dollarë abuzime, nga 11 firma fantazmë, 2 pronarët e të cilave u shpallën po në kërkim.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi me sukses operacionin, i cili lë në burg drejtuesit e subjekteve të përfshira në skemën e mashtrimit. Në skemën e tretë mësohet se është vepruar po me faturat e shit-blerjeve fiktive të objekteve industriale që përfshihen në rimbursime sipas ligjeve dhe procedurave tatimore.

Nga hetimet që kishin gati dy vjet që kishin filluar, rezultoi se disa subjekte tregtare kishin regjistruar në QKR dhe në Administratën Tatimore, në mënyrë fiktive, persona të ndryshëm pa asnjë lloj aktiviteti tregtar me qëllim tërheqjen e blloqeve me faturat e TVSH-së, duke kryer më pas blerje fiktive të skrapit dhe duke shmangur pagimin e TVSH, e cila u rimbursohej si aktivitet.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, aktualisht janë të zbuluara 20 firma fantazmë dhe 15 të tjera janë ende në proces hetimi. Për 20 kompanitë e para fantazmë që kanë përfituar mbi 31 milionë dollarë rimbursime të padrejta, para që ende nuk janë gjetur destinacionet, janë arrestuar 7 pronarët, 2 të tjerë në kërkim. Në pranga ra ish-drejtoresha e Tatimeve, kreu i Inspektoriatit të Tatimeve dhe 7 inspektorë të tjerë janë ende në kërkim policor. Ndaj tyre ka masa sigurie nga gjykata për “mashtrim”, “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre”. Ndërkohë prokuroria pritet të bëjë të ditur kompanitë e tjera për të cilat dyshohet se kanë përdorur të njëjtën skemë mashtrimi me rimbursimin e taksës së vlerës së shtuar. Të dyshuarit hiqeshin sikur bënin xhiro të mëdha me blerje dhe shitje skrapi, duke përdorur fiktivisht familje të varfra, invalidë dhe pensionistë, apo dhe punonjës, sikur kryenin aktivitete me ta. Por në fakt as nuk shisnin dhe as nuk blinin sasi të mëdha hekuri. Kurse faturat fiktive i depozitonin te Tatimet dhe me ndihmën e zyrtarëve të këtij institucioni përfitonin rimbursimin e padrejtë.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.