Tabaku: Kallëzimet në prokurori të nisin nga ministrat aktualë

Postuar në 21 Dhjetor, 2013 10:38

TIRANË Përmes një analize të hollësishme, zëdhënësja e Grupit parlamentar të PD-së, Jorida Tabaku sjell në një intervistë për gazetën “Mapo” pikat e dobëta të projekt-buxhetit dhe paketës së re fiskale, pasi i vetmi efekt pozitiv, sipas saj, është shfryrja e premtimeve elektorale të qeverisë së sotme. Tabaku nuk sheh ndershmëri të qeverisë në sistemin e ri fiskal që ajo ka zgjedhur të implementojë. Përkundrazi. Sipas saj, ky sistem po abuzon me taksapaguesit e rregullt të vendit. Tabaku flet edhe për zgjedhjet në parti, reflektimin brenda saj për rezultatin e 23 qershorit, si dhe për nevojën që kjo parti ka për të qenë sa më afër elektoratit.

Znj. Tabaku, në komisionet parlamentare po diskutohet projektbuxheti

dhe paketa e re fiskale. Sipas jush, cilat janë efektet pozitive dhe negative të këtij drafti?

Për të gjykuar paketën fiskale duhet të kishim një propozim të qeverisë thuajse një muaj më parë, por sikundër e dimë, qeveria e solli projektbuxhetin për miratim (flas në mënyrë zyrtare) vetëm të dielën në darkë. Asnjë fjalë për miratimin e buxhetit, është një detyrim i qeverisë për të qenë korrekte me ligjet e vendit për disa arsye nga të cilat mund të veçoj si dy më kryesoret; sistemin e ri fiskal dhe krahasimin me qeverinë e shkuar. Por kjo qeveri nuk na dha mundësinë jo vetëm neve si opozitë, por as ekspertëve të fushës që të gjykojnë më saktësisht këtë politikë fiskale të re dhe nga ana tjetër nuk arriti që të mundësojë një debat publik mbi paketën e re fiskale, ndërkohë që qeveria e kaluar ka qenë shumë herë më serioze (paçka kundërshtive që mund të ketë pasur nga grupe të ndryshme interesi) në pjesën e buxhetit. U vendos në një kullë (në mund ta quajmë kështu) dhe atje filloi të përllogariste, pa pyetur askënd përpos FMN-së, se si duhet të paguanin taksapaguesit e vendit dhe çfarë efekti do të kishte në ekonomi. Më pyesni a shoh ndonjë efekt pozitiv në këtë buxhet, mund t’ju përgjigjem se i vetmi efekt pozitiv është shfryrja e premtimeve elektorale të qeverisë së sotme. Le të flasim pak më gjerësisht mbi buxhetin.

Qeveria përpara zgjedhjeve praktikoi një slogan mjaft joshës dhe propagandistik, ajo premtoi se 95% e shqiptarëve do të paguajnë më pak dhe se 5% e shqiptarëve do të paguajnë më shumë. Premtoi taksim të ndershëm e kështu me radhë; por me ardhjen në pushtet duket se gjërat ndryshuan, por gjithsesi qeveria nuk u prononcua. Me tatimin e ri progresiv mbi pagën ajo rrek t’u tregojë qytetarëve që do të paguajnë më pak kur në fakt rritja e taksave dytësore i bën qytetarët të paguajnë më shumë. Lejomëni t’ju sjell një shembull; unë jam një deputete që kam kontakte të afërta me njësinë 8 në qytetin e Tiranës, shumica e banorëve në njësinë time jetojnë në shtëpi të ndërtuara para 1993, shtëpi që nuk kanë kushtet e shtëpive të ndërtuara nga 1993 e më pas. Qeveria me sloganin e taksimit të ndershëm ka vendosur që këto qytetarë të paguajnë më shumë se sa çfarë kanë paguar deri më tani. Si do të ndikojë kjo rritje takse në kursimin që këto banorë do të përfitojnë nga tatimi progresiv i pagës së tyre? Thënë më qartë, një qytetar që i ka të ardhurat diku tek 1 milion lekë të vjetra do të ketë një barrë fiskale më të madhe se sa një qytetar që hyn tek 5% i sipër përmendur i qeverisë. Kështu që premtimi populist kthehet të jetë një flluskë sapuni të cilën qeveria tenton ta mbulojë me tabelat e taksimit mbi pagën që ministrat e saj nxjerrin në konferenca për shtyp. Rritja e taksës së qarkullimit është një tjetër taksë indirekte që do të ndikojë (edhe efektet e para duket se i ka dhënë) në xhepat e konsumatorëve shqiptarë (sidomos atyre që futen në 97% e propagandës populiste). Një rritje e taksës do të sjellë automatikisht rritjen e çmimit të naftës, që do të shoqërohet me rritje të çmimit të produkteve dhe shërbimeve dhe në fund është pikërisht konsumatori i cili do të ndëshkohet. Një arritje e presupozuar e paketës së re fiskale është heqja e TVSH-së për ilaçet. Nga njëra anë qeveria do të heqë rreth 900 milion lekë nga buxheti që i jep ISKSH—e me të cilën kjo e fundit rimbursonte 90% të ilaçeve, por nga heqja e TVSH-së qeveria do të humbasë 1 miliard lekë, por në fakt efekti neto i humbjes është vetëm 100 milion lekë. Por çfarë është më e rëndësishmja është se qeveria nuk na siguron aspak që çmimi i ilaçeve do të ulet. Ky dezinformim bëhet për të treguar se qeveria ka përmbushur premtimin e saj për shëndetësi falas, premtim që nuk e shohim të reflektuar në projektbuxhetin e shtetit.

Por le t’i kthehemi projektbuxhetit. Le të supozojmë se qeveria do të mbledhë të gjitha të ardhurat dhe të shohim se a i rialokon ajo sipas premtimeve të saj parazgjedhore. Kishte premtuar që ajo do të çonte në 5% mbi PBB shpenzimet e saj për arsimin ndërkohë që në projektbuxhetin e paraqitur për vitin 2014 arsimi zë 2.8%. Premtoi gjithashtu legalizime falas, dy javë më parë z. Lame pohoi se nuk do të kishte legalizime falas se Rama na është keqkuptuar (edhe pse me zë e me figurë Rama firmos dhe zotohet para qytetarëve për legalizime falas). Ishte z. Rama që premtoi se do të dëmshpërblente ish të përndjekurit politikë brenda vitit të parë ndërkohë që me sa duket ato do të vazhdojnë të përndiqen politikisht, sepse zëri në projektbuxhetin e qeverisë është i papërfillshëm. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me pronarët.

Gjithashtu kemi shumë pikëpyetje të pazbardhura nga projektbuxheti si fjala vjen fondi i kompensimeve në masën 1.1 miliard lekë: në mbështetje të politikave të reja lidhur me reduktimin e TVSH-së për energjinë, për shportën e ushqimeve etj. Ku sipas ligjit, kriteret e shpërndarjes do të vendosen me VKM, por për momentin nuk jepet asnjë detaj. Në vitin 2011 opozita e asaj kohe kundërshtoi fuqimisht vendimin e qeverisë për të limituar fondin që i kalohej qeverive vendore, zotimi i opozitës së atëhershme qe se do ta hiqte këtë limit por në projektbuxhetin që kemi para duarve shohim që ajo e ka thelluar akoma më tej këtë limit në transfertat e pakushtëzuara. Dukshëm qeveria ka ardhur me premtime që i dinte mjaft mirë që nuk mund t’i mbante, dukshëm ajo vazhdon të abuzojë me këto premtime duke dezinformuar qytetarët e vendit se i ka mbajtur ato.

Përtej debatit politik të ditës që ky projektbuxhet rrit barrën fiskale mbi të gjitha kategoritë e popullsisë, a jeni dakord se të ardhurat nga taksat duhen rritur pasi jemi vendi i fundit në rajon për nivelin e mbledhjes së tyre me 23,1% të GDP-së?

Natyrisht që jam shumë dakord që duhet përmirësuar sistemi i mbledhjes së të ardhurave nga taksat. Por a është taksimi progresiv, apo sistemi i propozuar, efektiv? Le t’i hedhim një sy asaj ç’ka propozon qeveria. Taksimi progresiv është një taksim që edhe në literaturë njihet si një lloj takse që “promovon” informalitetin dhe evazionin, imagjinoni një taksë të tillë në një vend si Shqipëria që kulturën e pagimit të taksave e ka 20 vjeçare dhe jo aq të kultivuar. Premisat që kjo taksë të mundësojë rritjen e të ardhurave nga zgjerimi i bazës tatimore është jo vetëm teorikisht e vështirë por edhe praktikisht i pamundur. Përmes sistemit të ri fiskal unë lexoj që të njëjtët taksapagues të paguajnë më shumë për të mbuluar ato taksapagues që i shmangen detyrimeve që kanë ndaj shtetit.  Nëse më lejoni të bëj një krahasim; është njësoj sikundër shumë vite më parë ku qytetarët që paguanin faturën e dritës paguanin edhe për ato qytetarë që nuk e paguanin atë. Këtë lloj taksimi, pra të paguash edhe për atë që nuk paguan, qeveria na e quan taksim të ndershëm. Një tjetër e dhënë shumë domethënëse është se në të gjitha raportet e këshilltarëve të jashtëm (qoftë edhe BB-së) apo institucioneve të brendshme këmbëngulet që të përmirësohet mbledhja e taksave dhe jo të ndryshohet sistemi fiskal. Kam dëgjuar që disa ekspertë pranë qeverisë kanë raportuar se nuk kemi asnjë të dhënë për frytshmërinë e taksës së sheshtë, ndërkohë që po të shohim tabelat e paraqitura nga vetë FMN, do shohim se që nga momenti i vendosjes së taksës së sheshtë kemi një rritje nominale të mbledhjeve, një rritje që është shoqëruar dhe me një krizë ekonomike dhe financiare që goditi vendin dhe që natyrisht u shoqërua me efektet që ne tanimë i kemi të njohura por kjo nuk do të thotë që sistemi fiskal që ne lamë ishte i padrejtë. Si përfundim unë nuk shoh një ndershmëri të qeverisë në sistemin e ri fiskal që ka zgjedhur të implementojë, përkundrazi shoh një abuzim të saj me taksapaguesit e rregullt të vendit. Shoh një qeveri që jep me njërën dorë dhe merr të dy duart.

Cili është komenti juaj për rikthimin e FMN në mbikëqyrjen e financave shqiptare. A mos është më mirë që në kohë të turbullta ekonomike vendi të jetë nën tutelën e institucioneve ndërkombëtare, apo këshillat e tyre për rritje taksash dhe mos rritje të pagave dhe pensioneve do të shtojnë varfërinë apo do të tkurrin edhe më tej konsumin? 

Qeveria e shkuar i shkëputi marrëdhëniet me FMN sepse kishte arritur pjekurinë e duhur për të menaxhuar vetë ekonominë e vendit. Banka Botërore në 2008 e riklasifikoi Shqipërinë si vend me të ardhura të mesme dhe rrjedhimisht ne nuk na duheshin më kreditë e zhvillimit. A jemi ne në kohë të turbullta sa të kemi nevojën e FMN-së për të mbikëqyrur apo programuar shpenzimet tona? Nuk mendoj kështu, kam përshtypjen që ne nuk kemi nevojë për një student tjetër për të plotësuar detyrat tona të shtëpisë, sikurse e thashë më sipër qeveria e kaluar arriti që t’i bënte vetë ato. Përkundrazi mendoj që FMN është thjesht një justifikim përmes të cilit qeveria aktuale tenton të përgatisë justifikimin për mos mbajtjen e premtimeve dhe unë dyshoj që edhe me ndihmën e FMN-së ato premtime të mbahen.

Një nga çështjet që spikat në buxhet është rritja e borxhit në nivelin 74,8%. Por 1/3 e tij është thënë se do të merret për të shlyer borxhin ndaj biznesit të akumuluar nga qeverisja e kaluar. Cila mund të ishte rruga tjetër sipas jush që edhe borxhi të mos rritej edhe biznesi të merrte pagesat e prapambetura?

Është pak e çuditshme që qeveria e re, e cila në opozitë nuk la çast e moment pa përmendur se ajo do të ulte borxhin publik, sapo vjen në pushtet merr hua (përmes një akti normativ) për rregullime zyrash dhe salltanete të këtij lloji dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm planifikon një tjetër hua. Pikërisht kjo opozitë që në programin e saj kishte paraqitur një këshill mbikëqyrës nga Banka e Shqipërisë që do të kontrollonte borxhin.

Gjithashtu është për t’u theksuar se është akoma e paqarte pse fshihet raporti i “Deloitte” (raporti i detyrimeve ndaj biznesit). Në këtë raport u identifikuan afërsisht 24 miliardë lekë detyrime, ndërsa në buxhet shikojmë të parashikuar një vlerë prej 39 miliardë (pasi siç thuhet edhe në relacion, vlera prej 39 miliardë ka dalë si vlerë e rënë dakord me FMN-në) pra nuk është marrë parasysh vlera e bazuar në raportin zyrtar të “Deloitte” edhe pse për këtë raport janë shpenzuar para nga buxheti.

Cili është sipas jush bilanci i qeverisë për 100 ditët e para?

Në këto 100 ditë ne kemi parë një spektakël pa asnjë lloj përmbajtje. Qeveria në këto ditë është kujdesur të ruajë makijazhin e saj duke harruar të bëjë detyrat e shtëpisë. Fakti që statusi kandidat na u shty edhe pasi qeveria e shkuar i plotësoi kriteret e kërkuara nga BE dhe ato të kërkuara nga z. Rama sërishmi pamë një përgjigje negative.

Në 100 ditë kemi parë akte normative për rregullime godinash, që ato t’i përshtaten formatit të kryetarit të qeverisë, ndërkohë që personat me aftësi të kufizuar ishin harruar nga kryeministri. Kemi parë një kryetar qeverie që thotë “Po” parimore pa pyetur askënd, që lë në ankth për ditë të tëra qytetarët e vendit të tij dhe që në fjalimin e tij nuk pati asnjë frazë ndjese për shqetësimin që i solli një populli përkundrazi nxori mllefin ndaj atyre që kishin dalë në shesh duke i akuzuar se nuk kishin kuptuar vizionin e tij. Në 100 ditë kemi parë një qeveri që merr vendime në errësirë, fshehtas të gjithëve duke shkelur kështu çdo rregull komunikimi. Kemi parë aksione si fundi i marrëzisë që rezultoi thjesht në një dështim, sikundër e shihni edhe ju sot në Tiranë kemi ende ato kazino që z. Rama i quante burim i krimit dhe i shthurjes sociale.

Po bilanci i opozitës?

Opozita është përpjekur të jetë një opozitë ndryshe. E keni parë, besoj, që ne nuk kemi qenë një opozitë bojkotuese, nuk kemi vendosur asnjëherë interesat e partisë përpara atyre të qytetarëve. Jemi opozita e parë në vend që pati një nismë në parlament pro statusit kandidat në Bashkimin Europian një nismë e tillë kurrë nuk është parë nga opozita e djeshme, përkundrazi ne jemi dëshmitar që zotërinjtë në fjalë nuk votuan 3 ligjet derisa kontrata e nënshkruar në 1 prill me aleatët e tyre i detyroi t’i votonin në maj të 2013.Nga ana tjetër, opozita ka një punë të madhe për të bërë, ajo nuk ka numrin e duhur të deputetëve për të qenë e fortë në parlament përmes numrave. Nuk e kemi këtë komoditet, por besoj se kemi frymën për të arritur këtë komoditet në vitet në vazhdim. Kemi një detyrë të vështirë por edhe të realizueshme për të kryer, riforcimin e partisë më të madhe të djathtë në vend.

Kreu i PD-së lajmëroi më 8 dhjetor hapjen e zgjedhjeve në PD së bashku me analizën për humbjen e 23 qershorit. A nuk është pak vonë për të diagnostikuar dhe kuruar një sëmundje të para 6 muajve dhe a ishte kjo një skemë shtyrjeje për të mos bërë analizë? 

Por a nuk do të ishte shumë herët për të kuruar sëmundjet? Në nxehje e sipër? Më me rëndësi janë parimet mbi të cilat ndërtohet diagnostikimi dhe shërimi i tij se sa koha, 6 muaj nuk janë as shumë por nuk janë as pak. Kush mendon se humbja nuk ka bërë të reflektojmë mendoj se gabohet, humbja e 23 qershorit na ka bërë të reflektojmë së brendshmi, duke u përpjekur të kuptojmë se çfarë nuk shkoi mirë në qeverinë tonë dhe në partinë tonë. Elektorati i djathtë është një nga ato humbje që duhet të rifitojmë dhe pikërisht kjo është një nga politikat që edhe z. Basha po ndjek. Ne po përpiqemi që të pasqyrojmë frymën tonë mbi një parti që ka nevojë për një gjak të ri ashtu që ajo të lëvizë dhe të jetë sa më pranë elektoratit të saj.

A ndani opinionin se në zgjedhjet e reja brenda PD-së duhet të kemi një ripërtëritje të strukturave dhe drejtuesve deri në kupolën e lartë; kryesi dhe sekretariat, pasi drejtuesit aktualë kanë mbi vete hijen e konsumit të 8 viteve qeverisje dhe koston e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit?

Unë  besoj se kryetari i partisë u shpreh për këtë dhe sqaroi procesin e analizës dhe zgjedhjeve nga qeliza bazë e partisë, seksioni, deri në nivelet më të larta.

Cili është mendimi juaj për kallëzimet penale që ekzekutivi po bën në prokurori për ish-ministra të PD dhe zyrtarë të lartë të asaj qeverisjeje?

Ka një problem të madh në këtë mes, a janë këto kallëzime penale për shkaqe politike apo për shkaqe të abuzimit? Nëse nuk janë për shkaqe politike por për hir të drejtësisë atëherë mendoj që qeveria duhet të kallëzojë edhe shumë emra të tjerë që sot ndodhen në qeveri. Le ta nisim pastrimin nga vetja, për të treguar që jemi parimor dhe më pas le ta shtrijmë këtë parim mbi të tjerët. Me këtë nuk dua të them që kallëzimet e qeverisë janë të vërteta, sepse është gjykata që i vendos ato në janë apo jo të vërteta, por dua të flas në parim.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.