Djali i Remzi Hoxhës: Berisha të na kthejë eshtrat e babait ose është në gjak

Djali i Remzi Hoxhës thotë se nëse përgjegjësit e zhdukjes së të atit, duke përfshirë edhe Sali Berishën, nuk tregojnë ku janë eshtrat e tij, atëherë do të veprojë vetë.
Në një konferencë për shtyp, Ardian Hoxha tha në emër të familjes së tij se të gjithë e dinë kush e ka kryer krimin, zhdukur, tortuar dhe vrarë Ramzi Hoxhën dhe fëmijët e tij presin që kjo të marrë fund një herë e përgjithshmonë.
Një ditë pas takimit me kreun e qeverisë , Rama, Ardiani vlerësoi se më në fund një kryeministër ka pranuar t’i presë dhe t’u premtojë se përgjegjësit e zhdukjes së të atit do të vihen para drejtësisë.
“Ishte 39 vjeç kur e zhdukën. Me rastin e kësaj dite familja jonë kërkoi të takohet me kryeministrin e Shqipërisë. E kemi kërkuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe asnjeherë nuk kemi hasur në derë të hapur. Sot për herë të parë në gjithë këtë histori tragjike të familjes sonë lind një fije shprese se do realizohet ajo që ne kërkojmë, do gjenden eshtrat e babait tim.
Na jepet premtimi se do bëhet angazhimi maksimal dhe se eshtrat e babait tim do të gjenden dhe fajtorët do dalin para drejtësisë.
Ne kërkuam që institucioni i Kryeministrit të na ndihmonte dhe këtë dhimbje 18 -vjeçare ta përmbyllim. Unë si djalë i Remzi Hoxhës, bashkë me vëllain dhe xhaxhanë tim duam t’u kërkojmë këtyre personave që kanë kryer këtë krim dhe janë nga Sali Berisha, Bashkim Gazidede, Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Budjon Meçe, të na kthejnë eshtrat. E gjithë bota e di kush e ka kryer krimin, zhdukur, tortuar dhe vrarë babin tim dhe ne si familje duam që kjo të marrë fund një herë e përgjithshmonë. Të na çojnë drejt eshtrave dhe kjo punë të mbarojë dhe ne do ia falim gjakun. Ne e dimë që babi im s’mund të kthehet, e dimë që ai është vrarë. Të mos i lënë në gjak edhe pasardhësit e tyre dhe të mos jetojnë me frikë dhe ne të mos jetojmë me atë dhembje e mllef. Të gjenden eshtrat, të bëhet një varr e ne do ia falim gjakun”, tha ai.
Rama takon djalin e Remzi Hoxhës, të zhdukurit nga SHIK-u i Sali Berishës
20 nentor – Më në fund një kryeministër shqiptar ka takuar djalin e Remzi Hoxha, shqiptaro- maqedonasit të rrëmbyer 18 vjet më parë nga SHIK-u.
Edi Rama ka takuar Ardian Hoxhën dhe ky i fundit ka paralajmëruar të shtunën një konferencë për shtyp në lidhje me këtë takim.
Konferenca përkon me 21 dhjetorin, ditëlindjen e babait të tij.
Ardiani akuzon sërish se mazhoranca e kaluar, sot në opozitë, ka gisht në zhdukjen e babait të tij, por shpreson që kryeministri i ri të bëjë drejtësi.
“Sali Berisha na mori fytyrën para gjithë botës. Të shohim çfarë do na sjellë lidershipi i ri i shtetit të Shqipërisë. Sali Berisha ishte edhe urdhërdhënësi i vrasjes së babait tim, edhe mbrojtësi më i madh i kriminelëve të tij, të cilët e ekzekutuan vrasjen. Të shohim tani a i kishte seriozisht premtimet e tij parazgjedhore Edi Rama për luftimin e krimit dhe zgjidhjen e katër rasteve të mëdha që rëndojnë Shqipërinë, apo ishin vetëm fjalë boshe për të fituar zgjedhjet. Edi Rama e ka shumë të lehtë sepse është edhe Kryeministër dhe nuk është i përfshirë në rastin në fjalë. Të shohim a do sjellë Edi Rama drejtësi në Shqipëri apo do të vazhdojë shtrembësinë e Sali Berishës”, ishte shprehur Ardiani përpara disa javësh./
DITA
Add new comment