Haradinaj vazhdon betejën me myslimanët për “mjekrrën”

Postuar në 27 Dhjetor, 2013 07:44

Është kthyer në një betejë të vërtetë deklaratash por dhe epitetesh marrëdhënia e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj me Lëvizjen Islamike Bashkohu në Kosovë. “Mjekrrat tuaja jo si ato të Ismail Qemalit e Adem Jasharit” i përgjigjet AAK-ja në një deklaratë të fundit drejtuar LISBA-s si kundërpërgjigje ndaj talljes që kjo lëvizje bëri pak kohë më parë në drejtim të Haradinajt.

“Islami në Kosovë ka ardhur para më shumë se 500 vjetësh. Ka ekzistuar në vazhdimësi dhe të paktën në mes të shqiptarëve nuk ka qenë në armiqësi me fetë tjera shqiptare. Myslimanët shqiptarë nuk kanë nevojë që njerëz si ata të LISBA-s t’ua rizbulojnë Islamin. Po ju premtojmë se në Kosovë nuk do të ketë vend për fundamentalizëm”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e AAK-së.

“Nuk do të mund ta çrrënjosë islamin tradicional nga Kosova asnjë lëvizje fundamentaliste dhe as njerëzit me shkollë të KOS-it të Serbisë, e as Fuad Ramiqi që ka luftuar kundër boshnjakëve përkrah Fikret Abdiçit dhe Millosheviçit. Ismail Qemali, Sami Frashëri, Vaso Pasha, Adem Jashari, Hoxha Tahsini e shumë patriotë të tjerë me mjekrra të pastra, e kanë puthur flamurin e Skënderbeut, të cilin ju nuk e doni”, theksohet në deklaratën e partisë së Ramush Haradinajt.

Konflikti në distancë nisi që me një deklaratë të Haradinajt ku tha se “Nuk i respektoj flliqtanat me mjekrra”. Ai iu kundërpërgjigj kështu komenteve të lëvizjes islamike mbi një video që qarkullonte në internet ku shihej Haradinaj duke thënë se “nuk e dinte pse ishte mysliman”. Në një dalje publike ai tha se i respekton të gjitha fetë, edhe fenë islame, por jo edhe njerëzit e ndytë me mjekrra. Kjo deklaratë mori tallje publike nga ana e LISBA-s, e cila tha se “ofronte mësim falas për Haradinajn që po denigronte veten dhe partinë e tij me deklarata të përfolura si ajo që “nuk i respekton flliqtanat me mjekërra”. Më tej LISBA përmente emra të patriotëve të shquar shqiptarë që mbanin mjekrra.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.