Festat, tregtarët rrisin çmimet e importit

Postuar në 31 Dhjetor, 2013 02:56

Më shtrenjtë frutat dhe perimet, ndërsa ambulantët nga fshatrat përreth largohen nga policia bashkiake

Kontrollet për tregtarët e produkteve të fruta-perimeve kanë nisur rreth dhjetë ditë më parë. Por, pavarësisht ultimatumeve të vendosura nga bashkia e kryeqytetit, çmimet kanë nisur të rriten si çdo vit në prag festash, 10-15 apo edhe 20 lekë më shumë, kryesisht për produktet e importit. Këtë fundjavë, qytetarët në Tiranë po përballen me një rritje të çmimit të produkteve ushqimore. Çmimi i produkteve bazike për përgatitjen e tryezës së natës së ndërrimit të viteve ka pësuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me ditët e mëparshme. Në disa prej tregjeve kryesore në Tiranë, çmimet më të larta janë ato të fruta-perimeve. Task-Forca, e ngritur nga Bashkia e Tiranës, vijon kontrollin në tregje për të parandaluar rritjen abuzive të çmimeve në periudhën e festave të fundvitit.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, tha se pas kontrolleve të ushtruara në tregje të ndryshme të kryeqytetit, situata e çmimeve paraqitet nën kontroll.

Ndërsa çmimet janë rritur, tregtarët thonë se këtë vit më shumë se asnjëherë ka rënë ndjeshëm edhe fuqia blerëse.

Ata thonë se janë të detyruar të rrisin çmimet, pasi paguajnë transportin, taksat, ndërkohë që konkurrohen çdo ditë nga tregtarët ambulatorë. Por ka dhe nga ata që thonë se pavarësisht se nuk i kanë rritur çmimet, sërish fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm me një vit më parë. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po vijon monitorimin e tregjeve në Tiranë, ndërkohë që autoritetet e këtij institucioni pranojnë se ditët e fundit ka pasur një luhatje të çmimeve të fruta-perimeve, të cilat, sipas tyre, kanë pësuar një rritje të lehtë. Sipas nënkryetarit të bashkisë, përveç disa produkteve të importit, të cilat kanë pësuar një rritje me 10 deri në 15 lekë për kg, pjesa tjetër e produkteve që tregtohen në tregje nuk ka pësuar rritje çmimesh. Bashkia e Tiranës thotë se kontrollet nga Task-Forca do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Në rast të konstatimit të rritjes së çmimeve, bashkia paralajmëron hapjen e një tregu të ri alternativ në zonën pas Pallatit të Kulturës, ku qytetarët mund të blejnë produkte me çmime të stabilizuara.

Ndërkohë që edhe gjelat e detit, produkti bazë i tryezës së shqiptarëve, gjalpi për të bërë bakllavanë apo kadaifin, nuk tregtohen njësoj në të gjitha tregjet. Çmimet e tyre lëvizin sipas humorit të tregtarit apo çmimeve të konkurrencës…

 

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.