Kosova, pa viza dhe në 2014

Postuar në 31 Dhjetor, 2013 02:57

Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaçi tha sot se në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave është shënuar një progres i konsiderueshëm. Por  ai nuk shfaqi optimizem se vitin qe vjen BE do te mund te perfshije Kosoven ne hapesiren Shengen.

“Vlerësimet tona të brendshme, por edhe ato që i marrim nga organizatat ndërkombëtare, vlerësojnë lartë progresin që është arritur në fushën e riatdhesimit, riintegrimit, sigurisë së dokumenteve e kështu me radhë. Pra në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave kemi shënuar një progres të konsiderueshëm”, u shpreh Thaçi.

Sipas tij, ky progres është vlerësuar edhe nga misioni faktmbledhës i ekspertëve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë qëndruar në Kosovë gjatë javës së parë të dhjetorit dhe të cilët tashmë janë duke hartuar raportin e misionit faktmbledhës. Ai tha se ajo çka kanë kërkuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, është që të ketë interakcion më të madh, të ketë më shumë misione faktmbledhëse, të ketë raportime më të shpeshta nga ana e tyre dhe në përgjithësi të intensifikohet agjenda e liberalizimit të vizave edhe nga ana e Brukselit.

“Sa do që jemi mirënjohës për misionin e fundit faktmbledhës të dhjetorit, po aq jemi të dëshpëruar që ky mision erdhi në Kosovë gati 14 muaj pas misionit të fundit faktmbledhës, pra me një tempo të tillë, të ngadalshme, kemi shqetësime reale, që ky proces kaq i rëndësishëm për vendin dhe qytetarin tonë do të vonohet edhe më shumë dhe kjo jo për shkak të mospërmbushjes së kritereve, por për shkak të vonesave procedurale dhe burokratike. Për këtë arsye unë personalisht, por edhe ministrat relevant jemi duke kërkuar më shumë interakcion në mes të shërbimeve të Brukselit dhe Prishtinës, pra jemi duke kërkuar që agjenda e liberalizimit të vizave për Kosovën të prioritizohet dhe të trajtohet si e tillë nga të gjitha palët”, tha kreu i ekzekutivit të Kosovës.

“Po e theksoj edhe njëherë, që dua rezultate konkrete, të prekshme për të gjithë, të gjithë duhet ta ndiejnë dorën e institucioneve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Thaçi.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.